E Diel, 1 Nëntor 2026

Dugolli deklarohet si deputet i pavarur

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur punimet me prezantimin e deputetit të ri, Bujar Dugolli, i cili ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e Grupit Parlamentar të AAK-së, por do të ushtrojë aktivitetin e tij si deputet i pavarur.

Nominimi që i bëri AAK-ja deputetit të saj Rasim Selmanaj për kryetar të Deçanit dhe fitorja e tij në zgjedhjet lokale, ka bërë që tani ulësen e deputetit Selmanaj ta zërë Bujar Dugolli.

Ish-ministri i Tregtisë dhe i Industrisë, në zgjedhjet e fundit, ishte renditur i nënti për nga numri i votave në listën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Me të filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, deputeti Bujar Dugolli e ka marrë fjalën dhe e ka sqaruan pozicionin e tij, ndërsa i ka përgëzuar deputetët dhe institucioneve për punën që kanë bërë gjatë kësaj periudhe.

Duke treguar pozicionin që do të ketë në Kuvendin e Kosovës, Dugolli një falënderim të posaçëm ka dhënë ndaj mijëra votuesve që e kanë mbështetur në zgjedhjet e 2007, ndërsa ka lëshuar kritika se në atë proces kishte manipulim me votën e lirë.

“Unë këtu përfaqësoj ata votuesit e mi, ata të cilët votuan për listën e partisë së cilës i përkisja atë kohë, por sot deklaroj se unë përfundimisht nuk i përkas grupit parlamentar të AAK-së dhe asaj partie. Aktivitetin dhe punën time sipas ligjeve, rregullave dhe kodit të mirësjelljes të deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës do ta ushtrojë si deputet i pavarur, duke qenë konstruktiv në të gjitha fushat që janë në interes dhe dobi të vendit e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.

Dugolli theksoi se të jetë konstruktiv në punën e tij si deputet dhe në të gjitha ato ligje e iniciativa që janë në dobi të Kosovës, porse do të kundërshtojë zëshëm në ato politika që nuk shkojnë në interes të vendit. /Kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›