E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi ua rikujton deputetëve vitin 2007

Protestat e fundit të punëtorëve shëndetësorë, Policisë së Kosovës, si dhe pakënaqësitë e disa prej deputetëve, të cilët vazhdimisht po kundërshtojnë projektet e iniciuara nga Qeveria e Kosovës, kanë shtyrë kryeministrin, Hashim Thaçi, që në seancën e së enjtes të Kuvendit të Kosovës që t’ua rikujtojë deputetëve se cila ka qenë gjendja e pagave në vitin 2007.

Të enjten është duke u mbajtur seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pas pyetjeve parlamentare, seanca është duke i vazhduar punimet me shqyrtimin e disa projektligjeve.

Kryeministri Thaçi shprehu qëndrimin e përkushtimeve të qeverisë, si dhe të gjithë dikastereve për siç ka thënë ai vendime të përgjegjshme në lidhje me përmirësimin e gjendjes në vend.

Ai theksoi se duhet të kihet parasysh cila ka qenë paga e policëve në vitin 2007 dhe çfarë është sot, paga e punëtorëve të shëndetësisë, paga e punëtorëve të universitetit, paga e arsimtarëve, si dhe përkushtimet e përgjegjshme shtetërore.

“Në një formë apo formën tjetër, të gjithë kemi qenë në pushtet, dikush më herët dikush sot dhe natyrisht dikush do të vazhdojë prapë, kështu po vendos populli dhe natyrisht se vullnetin e sovranit duhet ta respektojmë të gjithë. Besoj se këtu pajtohemi të gjithë, edhe Gjilani. Dua të kemi parasysh periudhën kur ne udhëheqim qeverinë, dhe cila ka qenë më herët, cila ka qenë paga e policëve në vitin 2007 dhe çfarë është sot, paga e punëtorëve të shëndetësisë, paga e punëtorëve të universitetit, paga e arsimtarëve, si dhe përkushtimet e përgjegjshme shtetërore dhe çfarë janë sot”, theksoi Thaçi.

Thaçi po ashtu kritikoi deputetët për kundërshtim të disa projekteve, siç janë: ndërtimi i autostradës, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, kundër koncesionimit të aeroportit, kundër privatizimit të PTK-së, si dhe kundër ndërtimit të hidrocentralit të Zhurit, duke ftuar debat të hapur politik dhe profesional.

Derisa Ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi ka bërë disa krahasime të pagave të punëtorëve shëndetësore të Kosovës me ato në Shqipëri, si dhe ka që kërkuar ngritja e pagave të tyre të jetë në nivel me ato të punëtorëve shëndetësorë të rajonit, deputetja Xhylnaze Syla ka shprehur interesimin e saj të dijë se nga do të sigurohet buxheti për ngritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Në fillimet e punimeve të seancës ishin të pranishëm vetëm 5 ministra, gjë që i ka ngritur shqetësimin e deputetëve për mungesë të përgjegjësisë dhe korrektësisë nga ana e ministrave. Mungesa e ministrave gjithashtu ka shtyrë deputetët që shumë nga pyetjet të shtyhen për seancën e ardhshme. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›