SHBA-OSBE: Shfrytëzoni tryezën e Presidentit
11/02/2010 Ndërkombëtarët u kërkojnë PD-PS ta shohin si mundësi për zgjidhjen e krizës
Ambasadorët Uithers dhe Bosh përkrahin iniciativën e kreut të Shtetit
Dy ditë para zhvillimit të tryezës politike të thirrur nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ndërkombëtarët u bëjnë thirrje dy liderëve kryesorë në vend ta shfrytëzojnë këtë tryezë si një mundësi për të nxjerrë vendin nga kriza. “Ne besojmë se ky proces ofron një mundësi të rëndësishme për zgjidhjen pa vonesë të mëtejshme të ngërçit aktual politik. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfitojnë nga kjo mundësi. Një zgjidhje e shpejtë e ngërçit do të mundësojë që palët të përqendrohen në axhendën euroatlantike të Shqipërisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të ambasadës amerikane. Dy ambasadorët i japin përkrahje të veçantë edhe Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për rolin e tij të moderatorit që ai do të luajë në këtë rast për daljen nga kriza. “Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht përpjekjet e Presidentit Topi dhe Këshillit të Evropës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Në këtë kontekst, ne përshëndesim udhëheqjen e Presidentit shqiptar Topi në mbikëqyrjen e diskutimeve midis Qeverisë dhe opozitës, që do të fillojë më 13 shkurt”, vijojnë SHBA-të në deklaratë. Mbajtja e tryezës politike mbështetet edhe nga kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Robert Bosh. “Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mirëpret ngrohtësisht nismën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për të organizuar një tryezë politike të rrumbullakët, ditën e shtunë, si një hap konstruktiv dhe inkurajues drejt zgjidhjes së ngërçit politik aktual. I mirëpresim gjithashtu edhe reagimet publike pozitive të drejtuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste lidhur me pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe aktive për të shqyrtuar bashkërisht mënyrat me të cilat mund të kapërcehen vështirësitë”, thuhet në deklaratën e shkurtër të kësaj organizate. Apeli i ambasadorit të SHBA-ve, Xhon Uithers dhe atij të OSB-së, Robert Bosh, vijnë në një kohë kur tryeza mendohet të dështojë për shkak të mosheqjes dorë të Kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës Rama nga kushtet për “moshapjen apo hapjen e kutive” të votimit. Ndërkombëtarët kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës të pranishëm me zhvillimet reja politike në vend. Përgjatë gjithë këtyre muajve ata i kanë bërë thirrje opozitës të lërë mënjanë bojkotin dhe të zërë vendet në parlament. Pas më shumë se gjashtë muajve që opozita nuk iu përgjigj këtyre apeleve, ndërkombëtarë “fusin” në lojë edhe presidentin e Republikës për të nxjerrë politikën nga kjo situatë. Në fillim ta javës ata konsultuan presidentin e Republikës për hapat më të fundit për thirrjen e një tryeze politike.
Tryeza
Presidenti i Republikës Topi, pas disa konsultimeve paraprake me ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë vendosi që të thërrasë tryezën politike, për të diskutuar dhe zgjidhur krizën politike në të cilën është përfshirë politika shqiptare prej më shumë se 6 muajsh. Kjo tryezë do të zhvillohet ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010, në selinë e Presidentit.
Ndërkombëtarët
Përpara se Presidenti Topi të vendoste datën e thirrjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Berisha dhe kryetarit të opozitës, Rama, ai u konsultua më parë me ambasadorin e Spanjës, vend që kryeson presidencën e BE-së Emanuel Montobio, përfaqësuesin e KE-së, Helmut Lohan, dhe ambasadorin amerikan Xhon Uithers. Berisha-Rama
Pas deklarimit nga kreu i shtetit të ditës së zhvillimit të tryezës, kreu i selisë rozë Edi Rama ka deklaruar se hapja e kutive është një kusht i patjetërsueshëm. Ndërkohë që për selinë blu kjo pikë është e panegociueshme. Kryeministri Berisha është deklaruar kundër hapjes së kutive, por i hapur për të negociuar më Partinë Socialiste.
Takimi me homologun malazez
Topalli: Bojkotit po i vjen fundi
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është deklaruar dje optimiste për një zgjidhje që do të dalë nga tryeza e Presidentit dhe që do t’i japë fund bojkotit. “Kam gjashtë muaj që pres të ndalet bojkoti, nëse kjo ndodh para tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti për normalitetin e jetës parlamentare dhe demokratike. Unë jam optimiste”, tha Topalli. Ajo ka kujtuar dhe një herë se kanë mbetur dhe pak ditë nga 4 marsi, afati i fundit i skadimit të deputetëve socialistë. Për këtë arsye ripërsëriti thirrjen për të ndërprerë braktisjen e Parlamentit, që sipas saj është vullnet i një njeriu të vetëm. “I përsëris ftesën çdo deputeti, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike: Ejani në Parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj. Ndaj bëni detyrën që ju ka dhënë populli. Unë jam e sigurt se bojkotit, po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër”, tha Topalli. Kryeparlamentarja priti dje në mesditë homologun e saj malazez Ranko Krivokapic, i cili gjithashtu tha se opozita duhet ta ndalë bojkotin, që dëmton jetën demokratike të një vendi.
Axhenda e negociatave Berisha-Rama
Detajet e së shtunës deri në firmosjen e paktit përfundimtar
Në tryezën e Presidentit të Republikës, kreu i mazhorancës, Sali Berisha dhe lideri i opozitës Edi Rama, do të shoqërohen secili nga një përfaqësues tjetër. Kryeministri mendohet të shoqërohet nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndërsa kreu i selisë rozë nga kreu i asamblesë kombëtare, Gramoz Ruçi. Paraprakisht është rënë dakord që diskutimet e të shtunës të bazohen mbi rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Dokumenti bazë është përzgjedhur përkrah propozimeve të Partisë Socialiste, siç ka qenë propozimi për të diskutuar mbi kërkesat e opozitës, variant i cili është rrëzuar. Roli i kreut të shtetit në këtë tryezë, i përcaktuar si negociator, në përputhje me statusin e tij si personalitet mbi palët dhe në përputhje me kuadrin kushtetues, do të lehtësojë dialogun. E shtuna do të shënojë çeljen e negociatave, por ajo do të pasohet nga takime të tjera në nivel ekspertësh politikë nga të dyja kampet. Do të jenë pikërisht ekspertët, të cilët duke u bazuar te dokumenti bazë, në këtë rast rezoluta e KiE-së, dhe te propozimet e secilës palë, do të hartojnë dokumentin final që përfaqëson vullnetin e përbashkët politik të opozitës dhe të mazhorancës. Kreu i mazhorancës Berisha dhe ai i opozitës Rama do të ulen sërish në të njëjtën tavolinë në përfundim të negociatave, për të firmosur paktin që do të nxjerrë edhe vendin nga kriza politike. Ndërkohë që të gjitha bisedimet deri në aktin përfundimtar është menduar të mbahet e fshehtë dhe jashtë vëmendjes së medias.