E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendim i vështirë

Gjykata Kushtetuese pritet të nxjerrë një vendim brenda javës së ardhshme për të treguar nëse certifikimi i procesit elektoral i Gjakovës është marrë në pajtim me ligjet e Kosovës.

Sipas burimeve të Expressit brenda Gjykatës Kushtetuese, vendimi për Gjakovën do të merret më së largu të premten e javës tjetër.

“Paneli i Gjykatës menjëherë ka filluar të shqyrtojë faktet dhe janë të një mendimi që vendimi të mos vonohet. Vendimi mund të jetë i gatshëm më së largu më 19 shkurt”, ka thënë burimi.

Ndryshe, Zëdhënësi i Gjykatës Kushtetuese, Vigan Qorrolli ka thënë për Express se mund të përmendë data se kur pritet të merret vendimi për procesin elektoral të Gjakovës.

“Nuk mund të themi kur do të merret vendimi, pasi paneli është duke punuar në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Po çfarë vendimi pritet të marrë organi më i lartë gjyqësor në Kosovë në lidhje me ankesën e parë të zgjedhjeve?

Eksperti i zgjedhjeve dhe profesori i Juridikut, Mazllum Baraliu thotë se Gjykata Kushtetuese është duke u përballur me një lëndë, ku të dy palët kanë argumente të plotfuqishme.

“Përfaqësuesja e AKR’së prezantoi fakte se vendimi i KQZ’së ishte marrë para se të përfundojnë ankesat në dy institucionet përkatëse. Pala tjetër ofroi argumente me shkrim se në KZAP dhe Gjykatë Supreme nuk kanë raste të tilla ankimore dhe pastaj i kanë certifikuar rezultatet”, thotë Baraliu, i cili ka qenë prezent në seancën dëgjimore të Gjykatës.

Ai mendon se provat e prezantuara nga Mimoza Kusari-Lila dhe Nesrin Lushta janë fakte të fuqishme, të cilat do ta vështirësojnë marrjen e një vendimi objektiv nga Gjykata Supreme.

“Gjykata e ka shumë të vështirë të marrë një vendim objektiv, por ose kundër dhe do të ballafaqohet me një situatë absurde dhe paradoksale. Kjo, sepse Gjykata i ka provat e pakontestueshme nga të dy palët”, ka thënë ai.

Sipas Baraliut, provat e prezantuara nga kandidatja e AKR’së se KQZ’ja ka marrë vendim para se të përfundojnë të gjitha ankesat për procesin zgjedhor dhe faktet e KQZ’së se ka marrë përgjigjeje me shkrim se në këto institucione do ta vështirësojnë marrjen e një vendimi të shpejtë.

Megjithatë, ai beson në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese
“Të dy palët i kanë mbrojtur argumentet dhe i mbetet Gjykatës të vlerësojë se cila ka bazë, e cila jo”, ka thënë ai.

Ndryshe, të martën në Gjykatën Kushtetuese janë përballur ish-kandidatja e AKR’së për Kryetare të Gjakovës, e cila pretendon se vendimi i KQZ’së për certifikimin e rezultateve të Gjakovës ka qenë i paligjshëm.

Ndërsa, Kryetarja e KQZ’së, Nesrin Lushta ka mbrojtur vendimin se certifikimi i zgjedhjeve është bërë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve dhe Kushtetutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›