Takim me Kryeministrin Berluskoni dhe zyrtarë të tjerë
11/02/2010 Kryeministri Berisha niset në Itali për një vizitë dyditore
Kryeministri Sali Berisha do të niset gjatë ditës së sotme drejt Italisë, për të zhvilluar një vizitë dyditore. Gjatë kësaj vizite, shefi i ekzekutivit do të pritet në një takim të veçantë nga Kryeministri italian Silvio Berluskoni. Gjatë këtij takimi mendohet se krerët e dy qeverive do të bisedojnë në lidhje me marrëdhëniet mes dy vendeve, thellimin e raporteve bilaterale. Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Berluskoni mësohet se do të nënshkruajnë disa marrëveshje të rëndësishme me interes reciprok. Po ashtu, gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin italian Romë, kreu i Qeverisë shqiptare do të zhvillojë disa takime të tjera me zyrtarë të lartë të shtetit fqinj. Vizita e Kryeministrit Berisha vjen në një moment të rëndësishëm të udhës së vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, si dhe të liberalizimit të vizave. Republika e Italisë, dhe në mënyrë të veçantë Kryeministri Berluskoni, ka mbajtur një qëndrim tejet miqësor ndaj Shqipërisë dhe aspiratave të saj të integrimit evropian. Diplomacia italiane ka kërkuar disa herë që Brukseli të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Madje, ka ndërmarrë iniciativa konkrete në funksion të kësaj çështjeje shumë të rëndësishme.
Ekonomia
Gjatë vizitës dyditore në Itali, Kryeministri Berisha do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë së Republikës së Italisë. Në këtë konferencë, e cila zhvillohet në qytetin e Veronës, Berisha do të jetë i ftuari i nderit. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri do vërë theksin në ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare.