E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Duhet amnistia, në Irlandë e Moldavi pati efekte pozitive”

 nertila mahoMoldavia aplikoi amnistinë fiskale në vitin 2008 dhe investimet e huaja ju rritën 80 për qind, ndërsa në Irlandë efekti në të ardhura arriti deri në 2.5 për qind e GDP. Deputeti i PD, Sybi Hida, i deleguar nga FMN në vitin 2007, për aplikimin e amnistisë në Moldavi, tregon për Gazetën efektet pozitive dhe negative të një hapi të tillë. Sipas tij, tani, Shqipëria është në kohën optimale për të ndërmarrë këtë hap. A mendoni se është koha e duhur për një amnisti fiskale?  Pyetja është interesante, sepse në të vërtetë amnistia fiskale është një çështje që i përket kohës dhe jo objektivave/synimeve të programeve qeveritare. Në qoftë se do të analizojmë sjelljen e qeverive ndaj këtij fenomeni, ato u janë shmangur debateve në lidhje me amnistinë fiskale. Por ky është një fenomen që kërkon zgjidhje. Kërkon zgjidhje pasi kapitali i cili i është shmangur pagesave të taksave qëndron ose jashtë vendit, ose nën jastëk, ose përdoret me një produktivitet më të ulët. Dhe nga pikëpamja ekonomike, jo nga drejtësia, do të thotë pamundësi për të përdorur burimet për zhvillimin ekonomik. Pra, kërkohet një zgjidhje dhe personalisht mendoj që një amnisti fiskale do të rriste produktivitetin e ekonomisë sonë. Mendoj që koha është optimale sepse vendi ynë, pasi janë ulur ndjeshëm edhe taksat, është bërë tërheqës për investitorët, kështu që një amnisti fiskale do të rriste hyrjen e kapitalit vendas që qëndron në bankat e huaja. Megjithatë nga pikëpamja politike kjo është një ndërmarrje me kosto, pasi opozita do të përdorë të gjithë arsenalin e saj për ta negativizuar amnistinë fiskale.  Si aplikohet një amnisti fiskale ose çdo të thotë amnisti fiskale?  Amnisti fiskale do të thotë amnisti e taksave dhe legalizim i kapitalit. Amnisti e taksave do të thotë falje e borxheve që kompanitë ose individët kanë ndaj autoriteteve taksambledhës. Legalizim i kapitalit do të thotë deklarimi vullnetar nga individët ose personat juridik i pasurive monetare, pasurive të paluajtshme dhe i pasurive të tjera të fituara/prodhuara brenda ose jashtë vendit. Që amnistia fiskale të jetë e suksesshme, së pari, ajo duhet të zbatohet vetëm një herë, që zgjat disa muaj dhe mos të përsëritet kurrë dhe, së dyti, të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Gjithashtu, duhet që ligji që do të bëjë të mundur amnistinë fiskale të përjashtojë tërësisht amnistinë e taksave dhe legalizimin e kapitalit që janë produkt i krimit dhe aktiviteteve terroriste. Personalisht kam pasur fatin të marr pjesë në diskutimet dhe rishikimet e ligjit të amnistisë fiskale që aplikoi Moldavia në vitin 2007, si punonjës i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Nga kjo eksperiencë kam mësuar që amnistia fiskale nuk është një ndërmarrje e lehtë dhe kërkon vendosmëri politike e cila duhet të formatizohet me një ligj të qartë dhe të aplikueshëm. Në Moldavi personat që legalizuan pasuritë e tyre ishin të detyruar të paguanin një gjobë për buxhetin e shtetit prej 5 për qind të vlerës që ata kërkonin të legalizonin, një normë pothuajse e përdorur nga shumica e shteteve që kanë aplikuar legalizim të kapitalit.  Si u zbatua amnistia fiskale në Moldavi, disa detaje më gjerësisht për këtë proces? Amnistia fiskale në Moldavi përfshinte legalizimin e kapitalit dhe amnistinë e taksave. Ligji hyri në fuqi në Prill të 2007 dhe procesi i amnistisë përfundonte në Dhjetor të 2008, duke parashikuar që nuk do të ketë amnisti në të ardhmen. Objekti i legalizimit të kapitalit ishin mjetet monetare, pasuritë e paluajtshme dhe letrat me vlerë që nuk ishin deklaruar më parë dhe/ose ishin deklaruar nën vlerën e tyre të vërtetë dhe mbi të cilat nuk ishte paguar taksa e vërtetë. Ndërsa objekti i amnistisë së taksave ishte vlera e borxheve që nuk ishin paguar në buxhetin e shtetit, e cila ishte e barabartë me vlerën e taksës së papaguar, interesave e gjobave që kishin subjektet ndaj buxhetit të shtetit para hyrjes në fuqi të ligjit për amnistinë. Sigurisht që në këtë amnisti përjashtoheshin pasuritë e fituara nga aktivitetet kriminale. Subjekt i amnistisë ishin si subjektet fizike ashtu edhe juridike. Qeveria e Moldavisë nëpërmjet kësaj amnistie kërkonte të rriste investimet në ekonomi dhe të rriste të ardhurat e buxhetit të shtetit me rreth 0.5 për qind të PBB. Objektivi i parë ishte i suksesshëm, pasi në vitin 2008 investimet e huaja direkt u rritën me 80 për qind krahasuar me 2008 dhe ekonomia u rrit me 7.2 për qind, duhet të kemi parasysh që Moldavia aplikoi taksën zero për qind për fitimin e investuar në 2008. Eksperienca ndërkombëtare tregon rezultate të ndryshme porsa i përket efekteve në buxhet, ku më e suksesshmja vlerësohet ajo në Irlandën e vitit 1998 me rreth 2.5 për qind e PBB, shtatë herë me e lartë nga çfarë ishte parashikuar.çfarë efektesh pozitive dhe negative i jep amnistia ekonomisë?  Efektet e amnistive fiskale kanë qenë objekt i shumë studimeve. Dhe, në përgjithësi, të aplikueshme edhe për vendin tonë, përfitimet nga amnistia fiskale mund të përmblidhen në pesë kategori kryesore: 1) rritje e kapitalit financiar, 2) rritje në të ardhurat buxhetore, 3) rritje e numrit të tatimpaguesve që paguajnë taksa, 4) ndihma për kalimin drejt një sistemi strikt dhe të drejtë taksimi dhe 5) ulja e ndjenjës së fajit për ata që kanë kryer evazion. Ndërsa, kostot që rrjedhin nga amnistia fiskale mund të përmblidhen në tri kategori kryesore: (1) një irritim i taksapaguesve të ndershëm duke rritur ndjenjën që sistemi i taksave është i pandershëm, (2) inkurajim për mos të paguar taksat dhe (3) reduktim i frymës që evazioni fiskal është i gabuar. Në rastin e vendit tonë, mendoj që efekti kryesor pozitiv do të jetë rritja e burimeve financiare të cilat do të ndihmojnë në rritjen e investimeve. Po ashtu edhe efekti i rritjes së të ardhurave buxhetore është një faktor tjetër që e bën tërheqëse amnistinë fiskale. Meqë deklarimi i të ardhurave do bëhet përmes bankave a do ndikonte fakti që këto  të fundit të rrisin kreditimin? Një nga faktorët kryesor të rritjes së kreditimit të ekonomisë është madhësia e likuiditetit në sistemin bankar. Duke qenë se amnistia fiskale rrit depozitat në sistemin bankar, mendoj që edhe kreditimi për ekonominë do të rritet. Nga ana tjetër, një faktor tjetër pozitiv për rritjen e kreditimit të ekonomisë është edhe kundërparti i kreditimit, që janë asetet e kompanive dhe individëve. Një legalizim i kapitalit të individëve dhe kompanive do të thotë një rritje e kolateralit (garancia që kërkojnë bankat nga huamarrësi) në ekonomi, pra një lehtësim për sistemin bankar për të dhënë më shumë kredi.Spaho: Më parë duhet të përgatitet administrata fiskaleKreu i komisionit të Ekonomisë, është më pak optimist për aplikimin e amnistisë fiskale. I pyetur nga gazeta, Edmond Spaho, theksoi se aplikimi i kësaj nisme është i lidhur ngushtë me forcimin e organeve fiskale të vendit.Si aplikohet një amnisti fiskale ose çdo të thotë amnisti fiskale?Nga vetë fjala amnisti do të thotë se kemi të bëjmë me falje e cila mund të jetë kryesisht falje e detyrimeve fiskale apo legjitimim i kapitaleve të formave të ndryshme. Falja duhet njëkohësisht të nënkuptojë ndarje përfundimtare me të kaluarën, domethënë me praktikat e jashtëligjshme. Në përgjithësi vendet që e kanë aplikuar përjashtojnë nga amnistia paratë dhe kapitalet origjina e të cilave është krimi i organizuar, trafiqet e qenieve njerëzore apo droga. Amnistia fiskale mund të jetë e pjesshme për lloje të caktuara taksash apo tërësore. Falje të pjesshme janë kryer edhe në vendin tonë, në shtator të vitit 2008 u falen kamatëvonesat dhe gjobat për detyrime fiskale me kusht që të paguhej principal i detyrimit.A mendoni se është koha e duhur për një amnisti fiskale?Kohët e fundit ka pasur zëra për një amnisti të përgjithshme. Për të ndërmarrë këtë është i nevojshëm një vlerësim i sistemit fiskal të vendit, gjendja e tij, problemet, vlerësim i detyrimeve të papaguara të ekonomisë, vlerësim i kapitaleve në formë monetare dhe në forma të tjera të cilat ndodhen jashtë kanaleve të ligjshme për të ditur efektet që do të kemi në ekonomi.Duhet vlerësuar shkalla e përgatitjes së institucioneve të cilat duhet të parandalojnë amnistimin e kapitaleve me origjinë kriminale apo trafiqet e ndryshme. Para se të ndërmerren hapa konkrete është i nevojshëm një debat i gjerë i shoqërisë në lidhje me këtë çështje për të parë nëse ka qëndrim unik dhe gatishmëri nga të gjithë aktorët që do marrin pjesë, nëse është moment i përshtatshëm dhe a do mund të arrijmë rezultatet e parashikuara dhe probleme të tjera të ngjashme. çfarë efektesh pozitive dhe negative i jep amnistia ekonomisë, a i jep ajo shtytje zhvillimit ekonomik.Nëse realizohen pritshmëritë, amnistia duhet të gjenerojë burime shtesë të ardhurash dhe kapitalesh. Sigurisht ky është efekt pozitiv dhe ndikon në zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër duhet kuptuar se amnistia fiskale favorizon ata të cilët kanë shkelur ligjin. Kjo mund të çojë që paguesit e rregullt të shkurajohen dhe të tentojnë dhe ata të shkelin ligjin. Duke qenë se favorizon një pjesë të lojtarëve ekonomikë, amnistia ka efekte negative në drejtim të konkurrencës së ndershme në treg. Sikurse mund të shihni rezultatet mund të jenë të përziera dhe në varësi të mënyrës se si amnistia konceptohet dhe realizohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›