E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhet të hiqen reklamat nga Universiteti i Prishtinës

Fakultetet e Universitetit të Prishtinës nuk po shfrytëzohen vetëm për të publikuar të dhëna për studentë dhe për Universitetin në tërësi, por janë bërë mundësi e mirë edhe e bizneseve të ndryshme për të postuar informacione për aktivitetet e tyre. Studentët thonë se të tilla reklama ka kudo nëpër fakultetet e UP-së, ndërsa këto publikime i dënon edhe vetë stafi akademik i Universitetit. Ata këto publikime e reklama i shohin si prishje të imazhit në tërësi të Universitetit të Prishtinës, raporton KTV-ja. Për konkurse të ndryshme, koncerte, shitblerje e gjithçka tjetër mund të informoheni përmes këtyre reklamave. Ka shumë sosh të vendosura nëpër këto fakultete, kurse në anën tjetër mbesin të pakta informacionet për studentë dhe për aktivitetet ligjëruese brenda fakulteteve.

Studentëve u kanë rënë në sy këto reklama dhe sipas tyre ato nuk do të duhej ta kishin vendin në hapësirat universitare dhe duhet të largohen menjëherë.

Këto publikime e reklama i ka dënuar edhe organizata studentore “Paqja Studentore”. Sipas nënkryetarit të saj, Arian Ademi, fakulteti duhet të shërbejë vetëm për të postuar informacione për studentë, ndërkaq postimet e tjera duhet të largohen menjëherë nga aty.

Edhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Skënder Ahmeti ka thënë se të gjitha këto vendosen pa lejen e dekanatit dhe si të tilla duhet të largohen.

Profesori i Fakultetit të Filologjisë, Milazim Krasniqi u shpreh se këto publikime ndikojnë keq edhe te studentët, madje edhe te qytetarët, kur shohin gjëra të tilla të vendosura nëpër fakultete.

Muret e fakulteteve janë bërë vend i reklamave dhe letrave të shqyera, duke u ndërruar të vjetrat me të rejat.

Për largimin e këtyre reklamave është kompetent menaxhmenti udhëheqës i fakulteteve të UP-së, pasi që fakulteti duhet të postojë vetëm atë që i përket informimit të studentëve./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›