Kërcënohet zëvendës imami

Zëvendësi i imamit të xhamisë kryesore të Podujevës, Fahrudin Jashari është kërcënuar me jetë përmes një letre anonime. Rasti është paraqitur në polici dhe autorë të kësaj letre dyshohet të jenë përfaqësues të rrymave ekstreme të islamit që po përpiqen të involvohen në udhëheqje të xhamive anekënd Kosovës, shkruan Express.
Shkuan të hapin kutinë që është caktuar për njerëzit që dëshirojnë t’u ndihmojnë të varfërve.
Por ata u befasuan kur panë një letër, të shkuar me dorë dhe të panënshkruar nga askush.
Për më tepër, letra kishte përmbajtje kërcënuese.
Me shkrim të dorës autori i letrës kërcënon me jetë dy persona, zëvendësin e imamit të xhamisë “Met Podujeva” në Podujevë dhe një imam tjetër të kësaj ane, Besim Llalloshin.
Sipas burimeve të Gazetës Express, letra kërcënonte drejtpërdrejt Fahrudin Jasharin i cili është zëvendës i imamit Idriz Bilalli. Po ashtu, në letër përmendet edhe imami Besim Llalloshi, i cili ka qenë kandidat për imam të xhamisë në Podujevë por që është tërhequr pas disa incidenteve të fundit.
Imami i xhamisë kryesore të qytetit, Idriz Bilalli konfirmon gjetjen e letrës, që sipas tij, ka përmbajtje serioze të kërcënimit, mirëpo refuzon të tregojë saktësisht se çfarë shkruan aty.
“Po e kemi gjetur atë letër, në të përmendet myezini Fahrudin Jashari dhe imami Besim Llalloshi. E kemi paraqitur këtë rast edhe në polici”, tha Bilalli për Express, të dielën.
Ai sqaron se së shpejti dega e BIK’ut në Podujevë do të dalë me një qëndrim të vetin në lidhje me këtë.
Bilalli nuk e ka idenë se kush mund të qëndrojë prapa këtij kërcënimi, por dyshon tek njerëzit e rrymave të ndryshme.
Imami Bilalli njihet si kritik i rreptë i krerëve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai së bashku me disa imamë tjerë kanë formuar Sindikatën e Punëtorëve të BIK’ut dhe në disa paraqitje publike ka kritikuar veprimet e krerëve të fesë islame në Kosovë, përfshirë edhe Myftiun Naim Tërnava.
Megjithëse se nuk tregon se çka është shkruar në atë letër, burime të Express tregojnë se myezinit Jashari i është përmendur emri i imamit Bilalli.
“Nëse vazhdon ta dëgjosh Idriz Bilallin ke me përfundu keq. Më mirë të bjen të largohesh prej tij”, është njëra nga fjalitë e shkruara në letër.
Imami i xhamisë në qendër të Podujevës thotë se e ka lajmëruar rastin në polici, mirëpo kjo e fundit nuk e ka paraqitur fare këtë fakt në raportin e saj 24 orësh. Por, jozyrtarisht, në policinë e Podujevës thonë se rasti është raportuar të premten.
Në xhamitë e Podujevës edhe më herët ka pasur incidente. Në një ditë xhumaje madje është shkrepur edhe alltia. Në xhaminë në rrugën e “Llapit” një person ka gjuajtur në drejtim të një qytetari i cili pretendonte se ai është imam i xhamisë, ndërsa BIK e kishte zgjedhur një tjetër.
Sabri Berisha ka nxjerrë alltinë dhe në prani të qindra besimtarëve ka gjuajtur në drejtim të Besim Arbanashit i cili tentonte të merrte pa u zgjedhur postin e imamit në vend të Imri Llugaliut.
Berisha u arrestua dhe po mbahet në paraburgim për tentim vrasje. Po ashtu, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij policia gjeti katër kilogramë drogë të fshehura në makinë. Përveç Berishës u arrestuan edhe tre persona tjerë, dy nga ta shtetas të Shqipërisë.
Xhamia ku ndodhi incidenti nuk u hap për më shumë se dy javë, ndërsa tash duket se gjakrat janë qetësuar pasi që Besim Arbanashi është tërhequr nga pretendimet e tij ndërsa imam zyrtarisht është Imri Llugaliu.