Duhet të ndalet ndotja dhe degradimi i monumenteve të natyrës
Nga Prof. Lush SUSAJ
Çdo ditë dëgjojmë mburrje, diskutime dhe deklarata mbi parajsën mjedisore dhe ekonomike që në të vërtetë, kurrë nuk ka ekzistuar.
Çdo ditë dëgjojmë të flitet për rrugë dhe infrastrukturë moderne, pavarësisht se kurrë nuk u ndërtuan dhe nuk u mirëmbajtjen si të tilla.
Dëgjojmë të flitet për bum turistik, për shërbime turistike, për kulturë shërbimi, për mikpritje, korrektesë dhe të tjera cilësi pothuajse të panjohura nga shumica e njerëzve të këtij vendi.
Si rrallë kush tjetër në këtë botë, jemi mësuar, madje nuk bëzajmë për rrugët skandaloze, për gatimet e varfra e të pista, për shërbimet gjysmake as edhe për sjelljet e ashpra e të vrazhdta.
Për fatin tonë të keq, duket se është bërë normë ajo buzëqeshja e shtirur dhe e shoqëruar me nxjerrjen jashtë të dhëmbëve të skërmitur, është bërë zakon biseda e mbushur me mashtrime e mburravecëri dhe ajo ndarja e mbushur me hipokrizi dhe pëshpëritje të tilla si: ia hodha apo e hëngri, shërbesa dhe mirënjohja janë zëvendësuar me nxjerrjen e gjuhës pas shpine.
Sikur të mos mjaftonte kjo sjellje e vrazhdë dhe abuzive, shohim se është rritur në përmasa të frikshme indiferenca ndaj monumenteve të kulturës dhe pastërtisë së mjedisit, është rritur idiotësia dhe fëlliqësia e njerëzve ndaj resurseve natyrore, historike dhe turistike.
Për shkak të kësaj idiotësie, unë sot pata një moment të rendë sepse u ndodha përballë një sjellje fyese dhe irrituese të njerëzve të pa edukuar të këtij vendi që aspiron për në BE.
Unë, gjatë viteve 2009 dhe 2012 jam specializuar në Universitetin e Brayghtonit, Angli dhe pas ftesës time, njëri nga akademikët, njëkohësisht edhe shef i njërit nga departamentet e këtij universiteti, së bashku me gruan e tij, erdhën për një vizitë një javore në Shqipëri.
Unë së bashku me bashkëshorten time shkuam për ti pritur në Sarandë. Qëndruam dy ditë në Sarandë, nga aty vajtëm dhe vizituam Butrintin, Ksamilin, Gjirokastrën dhe më pas u nisëm për në Tiranë, duke mbajtur nga rruga e bregut që kalon nëpër Himarë.
Në Sarandë, Gjirokastër dhe Butrint, njeriu provon kënaqësinë që të jep relievi dhe bukuria e krijuar aq bujarisht nga natyra shqiptare.
Ndërsa shërbimi në lokale, rregulli dhe shërbimi në muzeume, situata në rrugë, janë skandaloze sepse nuk vepron ligji, për pasojë njerëzit përpiqen të përfitojnë përmes abuzimit me fondet, me cilësinë dhe me çmimin e shërbimeve që ofrojnë ndaj turistëve dhe vizitorëve të këtij vendi. Abuzohet që nga investimet themelore e deri tek një llamp ndriçimi apo një fletë palosje që aktualisht mungon në të gjitha kalatë dhe muzetë e vendit tonë.
Duke e shmangur trajtimin e situatës në kalatë dhe muzetë e shumta që vizituam, dua të paraqes dhe të përshkruaj një situatë turpëruese që buron nga mungesa e një minimumi edukate, kulture dhe etike mjedisore.
Konkretisht, gjatë udhëtimit nëpër Himarë, unë i fola aq shumë Chrisit mbi Llogaranë, Palasën, Orikumin, i fola për borën, mjegullën, erën dhe pishën flamur në Llogara.
Për këtë arsye, Chrisi dhe bashkëshortja e tij u bën edhe më kurioz që ta shikonin dhe ta fotografonin nga afër këtë monument të natyrës shqiptare.
Aty nga ora 17 pasdite, arritëm tek Pisha Flamurë në Llogara, është një pishë e vjetër me degë të rritura nga njëra anë në formën e një flamuri që valëvitet.
Prej vitesh, kjo bimë është shpallur monument natyre, është një bimë unike, për pasojë aty ndalojnë turistë dhe vizitor për ta parë dhe fotografuar.
Kur arritëm në afërsi të pishës, ndaluam makinën dhe dolëm jashtë për ta fotografuar dhe për të shijuar ambientin dhe ajrin e pastër e të ftoftë të asaj dite.
Miqtë nga Anglia e pëlqyen shumë pamjen e bukur të degëve dhe shkuan poshtë në drejtim të pishës flamur.
Papritur, unë e pashë se si Evi ndaloj dhe me një fytyrë të ngrysur u kthye nga unë dhe më pas eci e shkujdesur drejt rrugës ku ishte parkuar makina.
E pyeta se çfarë ndodhi, ndërsa edhe unë vazhdova i shkujdesur drejt pishës.
Sapo arrita tek ai livadhi i vogël me barë natyror ku zakonisht qëndrojnë vizitorët për të bërë fotografi, pash se si prapa shkurres së dëllinjës, mu në vendpushimin e vetëm të vizitorëve apo më mirë në krye të shkallëve të betonit, ndonjëri nga barinjtë, kalimtarët, ndofta dhe banorë të zonës, kishte bërë një m..t të madh.
Mesa duket, Evi e kishte prekur jashtëqitjen me majën e këpucës, ndaj u largua e ngrysur, nuk foli dhe nuk bëri asnjë fotografi, ndërsa profesor Chrisi doli nga ana e majtë e pishës, e pa me vëmendje drejtimin e degëve dhe mjegullën që vinte valë-valë nga Qafa e Llogarasë dhe bëri disa shkrepje të shpejtë të aparatit.
Kështu e gjeta të dhunuar këtë pamje natyrore kaq të bukur, kështu është ndotur edhe ky objekt natyror unikal e shumë i dashur për turistet dhe vizitorët e shumtë që vijnë në këto anë.
Me shqetëson fakti se si njerëzit që jetojnë dhe përfitojnë drejtpërsëdrejti nga kjo bukuri, në vend që të bëjnë ndonjë pastrim, sistemim e mirëmbajtje më të mirë të vendit rreth e rrotull pishës, shkojnë dhe kryejnë jashtëqitjen në vendqëndrimin e turistëve dhe vizitorëve të shumtë.
Në vend që të mbjellin bar dhe lule, pemë dhe shkurre të tjera, në vend që ta zgjerojnë edhe më shumë atë livadhin me barë që aktualisht shërben si vendqëndrim për vizitorët, dhunojnë, ndotin dhe dëmtojnë edhe ato pak shkurre natyrore, madje njërën nga shkurret më të dendura e kishin kthyer në një nevojtore të pisët duke e përdorur si objekt sa për tu fshehur pas sajë e për të kryer jashtëqitjen, njëlloj si njerëzit e shpellave.
Në këtë vend, çdo gjë e krijuar nga natyra është e bukur dhe e bollshme, ndërsa shërbimi, ajo që varet nga njeriu është turpëruese dhe e papranueshme.
Megjithëkëtë pamje, për të kënaqur miqtë që vinin për herë të parë në Shqipëri, ndaluam edhe tek njëri nga lokalet e shërbimit në Llogara.
Këtë ndalesë e bëmë për të shijuar një gjellë tradicionale të kësaj zone të quajtur arapash.
Pavarësisht se kishim ngrenë një drekë të bollshme në Shën Vasil, për të kënaqur edhe pronarët e lokalit, përveç arapashit, porositëm edhe kos e djathë dhie të zonës.
Edhe në këtë ndalesë, pamë se si shërbimi ishte shumë i ngadaltë, aty mungonte buzëqeshja, cilësia dhe komunikimi i duhur.
Sikur të mos mjaftonte kjo, kur na mbërriti porosia, provuam se si edhe arapashi ishte përgatitur shumë keq, për pasojë Evi nuk e preku fare, ndërsa Chrisi konsumoj rreth 1/4 e pjatës.
Ndërsa kur erdhi koha për të paguar, përsëri provuam edhe atë lojën e ndyrë me çmimet, për një kos të hollë e të thartë (që realisht nuk ishte kos dhie), paguam nga 150 lekë.
Në këtë mënyrë, prova për të shijuar një ushqim tradicional, një arapash e të përgatitur keq, paguam 1800 lekë.
Llogaranë e krijoj Zoti të bukur e të begatë, ajo është një nga pjesët më të bukura të natyrës së Jugut të Shqipërisë, ndërsa konstatova që ata që e përdorin, për fatin e tyre të keq, vazhdojnë ta dhunojnë, madje ndonjëri shkon dhe ndot mu tek monumenti, duke lëshuar jashtëqitjen njëlloj si lopa bajgën mbi livadh.
Urojmë që edhe tek këta njerëz të arrijë e të depërtojë drita e dijes, qytetaria dhe kultura e mjaftueshme për të mos abuzuar me monumentet dhe mjediset e përbashkëta.
Urojmë që tek drejtuesit e institucioneve, bashkive dhe komunave të zgjohet dhe të funksionojë përgjegjësia, ligjshmëria dhe kujdesi për monumentet e natyrës, për pastërtinë e mjedisit dhe për kulturën e mirë të shërbimit.