E Shtunë, 31 Tetor 2026

A është ky fundi i tiki-taka dhe i një epoke të artë për Barcelonën?

24042013_MessiRrëzimi i një klubi që është më tepër se një skuadër në një mbrëmje si ajo e Muenchen Arenas nuk mund të kalohet lehtë në Spanjë. Barcelona e konsideruar nga shumë si ekipi më i mirë i të gjitha kohërave i kishte dhënë prej kohësh shenjat e një skuadre anemike, pa shpirt dhe mbi të gjitha e pafuqishme për të vrapuar në fushë. Kjo situatë nuk mbetet jashtë analizës së mediave madrilene, të cilat me siguri fërkojnë duart dhe paralajmërojnë rrëzimin e kështjellës katalanase. Në këtë linjë, e përditshmja Marca nuk kursehet në kritika, madje shkon deri aty sa hedh për diskutim debatin;
A është ky fundi i një epoke të artë për Barcelonën?
Për rreth 20 vjet Barcelona nuk kishte pësuar një disfatë të tillë, sepse dy dekada më parë, Dream Team u poshtërua në finalen e 18 Majit me rezultatin 4-0 nga Milani i Capellos. Ajo disfatë rrëzoi si një kështjellë rëre ekipin e pamposhtur të Johan Cruyff. Daniele Massaro dy herë, Dejan Savicevic dhe Marcel Desailly ishin golashënuesit e atij takimi që ndikoi edhe në biografinë e trajnerit holandez, i cili u shkarkua rreth një vit e gjysmë më pas nga presidenti José Luis Núñez. Barcelona e Cruyffit la pas vetëm hirin e një epoke të artë që u pasua nga emra të tjerë në stol si Bobby Robson e Louis Van Gaal, të cilët edhe pse arritën të korrnin suksese në arenën kombëtare, nuk mundën tia kthenin më shpirtin e skuadrës Dream Team. Rreth dy dekada më pas, Barcelona e Tito Vilanovas pëson të njëjtin fat, por këtë herë, nuk bëhet fjalë për rrëzimin e një skuadre ëndrrash por për rrokullisjen drejt humnerës se ekipit Pep Team. Trajneri katalanas e transformoi klubin në një kundërshtar të frikshëm për këdo, saqë edhe thjesht emri Barça i kallte të dridhurat kujtdo që zbriste në fushë përballë 11 jashtëtokësorëve. A ka përfunduar epoka e artë e shekullit të ri për ekipin blaugrana? Këtë do ta mësojmë vetëm pas 90 minutëshit të Camp Nout një javë më pas.

Mediat: Waterlo katalanase në Alianz Arena
Barcelona, fundi i një cikli, Waterlo blaugrana në Alianza Arena e të tjera si këto ishin titujt me të cilat u hapën gazetat sportive spanjolle dhe ato europiane pas humbjes së Barccës. As shkruan se cikloni Bajern Mynih shkatërron Barcelonën, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe gjykimin e arbitrit Viktor Kasai, që sipas spanjolles injoroi dy 11-metërsha në favor të bavarezëve dhe lejoi 3 gola të dyshimtë, golin e Gomez, golin e Robenit dhe golin e parë personal të Muller-it. Marca kthehet 20 vite më pas për të gjetur një humbje të tillë për Barcelonën, dhe ndalet në 18 majin e vitit 1994, kur Barcelona luante finalen e Ligës së Kampionëve kundër Milanit të Fabio Capello-s, ku u mposht pikërisht 4-0. El Mundo Deportivo flet për katastrofën që solli fundin e një cikli, ndërsa shkruan se përpos superioritetit të Bajernit që nuk u vendos asnjëherë në vështirësi, në rezultatin e takimit ndikuan edhe vendimet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes. Humbja është shokuese dhe kualifikimi për në finalen e Ligës së Kampioneve është një mision i pamundur, por ajo që mbetet për tu parë është nëse katalanasit do të rimarrin veten, apo vërtet bëhet fjalë për kapitullim të tyre. Kujtojmë se për kapitullim dhe fund cikli për Barcelonën u fol edhe pas humbjes që Barcelona pësoi ndaj Milanit në San Siro në çerekfinale.

Shpërthejnë polemika për aktivizimin e Mesit
Humbja e thellë 4-0 përballë Bajern Mynih ka sjellë edhe polemikat e para në adresë të stafit teknik të Barcelonës, pasi tifozët dhe specialistët në Spanjë kanë kritikuar vendimin e marrë për të aktivizuar gjatë 90 minutave Lionel Mesin. Argjentinasi nuk ishte në një formë të mirë dhe kjo dukej qartë, pasi praktikisht la skuadrën e tij me 10 lojtarë gjatë të gjithë ndeshjes. Edhe vetë menaxheri i futbollistit ka pranuar se nuk priste që argjentinasi të aktivizohej në këtë sfidë, të paktën jo që nga minuta e parë. Babai i Mesit më tha në drekë se nuk ishte në gjendje për të luajtur, ishte pohimi i Zhozep Maria Minguella, përfaqësuesi i lojtarit argjentinas. Vetë Mesi ka insistuar se ishte në gjendje të luante në këtë sfidë, ndërsa ka pranuar se tashmë gjithçka ka mbaruar dhe duhet të mendohet për sezonin  ardhshëm. Ishin më të mirë se ne, shumë më të fortë. Ata na mundën në çdo aspekt, ishin superiorë. Unë kisha shumë kohë që nuk luaja por e ndjeja veten mirë para takimit ndaj vendosa të isha i gatshëm. Përmbysja është shumë e komplikuar. Do të provojmë ta bëjmë edhe pse Bajern është një ekip shumë i mirë. Tani duhet të ngremë kokën, të fitojmë kampionatin dhe të provojmë përmbysjen. Nëse nuk mundemi, do të mendojmë për sezonin e ardhshëm, tha argjentinasi që mendohet se do të qëndrojë pushim edhe në këtë fundjavë për të qenë sa më i freskët për takimin e kthimit ndaj Bajern Mynih.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›