Duhet të ndryshojmë të gjithë
Shteti i ri i Kosovës nis ditën e tij të parë të punës, pas një mbështetjeje të qartë ndërkombëtare për formimin e tij dhe me entuziazmin e duhur për të mobilizuar energjitë shtetformuese të shoqërisë së Kosovës. Pas festimeve dinjitoze të ditës së dielë, pikëpyetjet e mëdha qëndrojnë te mënyra se si ky shteti i ri, i prodhuar nga një aleancë e pashembullt ndërkombëtare kundër nacionalizmit serb, do të mund t’u mbetet besnik idealeve demokratike, shoqërisë së lirë dhe reformave të tregut. Serbia ka reguar me egërsi dhe dëshpërim nga pafuqia për ta ndalur formimin e shtetit të Kosovës, por kjo është çështje emocionale. Problemi i parë i Serbisë është se duhet të mësohet me idenë se Kosovën tashmë e ka fqinjë dhe jo provincë të sajën. Sa më shpejt të mësohet me këtë ide, sa më mirë të ndryshojë kursin e saj nacionalist ndaj Kosovës, aq më shpejt do të shuhen pasojat e mitologjisë në politikën e Beogradit. Njerëzit e dëshpëruar që sulmonin dje ambasadën amerikane në Beograd janë realisht produkt i kësaj politike që në thelb ka kundërshtimin e kursit perëndimor të Serbisë. Kosova tashmë nuk është më problem i brendshëm i Serbisë, por sjellja ndaj Kosovës është problem që do të dominojë si test për orientimin perëndimor poltikën serbe. Ata duhet të ndryshojnë se Kosova ndryshoi fatin e saj dhe nuk e ka më të lidhur me Serbinë. Duhet të ndryshojnë për veten e tyre, jo për Kosovën. Kosova e ka garën me veten jo me ata. Kosova mund të shkojë në BE para tyre ose shumë kohë pas tyre, jo nga fakti se si do t’i ketë marrëdhëniet me Serbinë, por si do të respektojë vlerat perëndimore në shoqërinë e saj. Serbia, po ashtu duhet të ndryshojë edhe për shkak të nevojës që duhet të ketë për të respektuar serbët e Kosovës. Pakica serbe në Kosovë nuk mund të keqpërdoret përjetësisht nga Beogradi. Liritë dhe të drejtat që u ofron me ligj dhe vullnet politik Kosova nuk ka mundësi t’ua garantojë kurrë Beogradi edhe sikur nesër ata të jetojnë të gjithë në qendër të Beogradit. Nëse kjo pakicë do ta shikojë realisht të ardhmen e saj në Kosovë, Serbia duhet të ndryshojë sjelljen ndaj shtetit të kësaj pakice, që është Kosova. Kjo pakicë është mirë të jetë urë bashkëpunimi për Serbinë dhe Kosovën dhe jo arsye për konflikt që rëndon jetën e tyre. Serbia duhet të ndryshojë tërësisht historinë e saj me Kosovën për t’u zgjuar sot në mëngjes si një fqinjë dhe jo si një vend në luftë.
Së dyti, duhet të ndryshojë edhe Shqipëria. Sinqeriteti kombëtar i shqiptarëve në Kosovë nuk mund të fshihet. Ata festojnë kuq e zi dhe e përjetojnë pavarësinë si shqiptarë. Festimet në Tiranë, Shkup e deri në diasporë nuk i fshehin pasionet kombëtare për këtë ngjarje. Por, tashmë Kosova është shtet fqinj me Shqipërinë dhe jo pjesë e saj. Politika e Kosovës, pavarësisht raporteve shumë të mira më Tiranën zyrtare duhet ta ndërtojë identitetin e saj shtetëror jo aq përmes simboleve, sesa përmes reformave të tregut dhe rritjes së autoritetit të shtetit ligjor. Kur thuhet për retorikë se të dy vendet do të takohen në BE, nuk duhet nënkuptuar se mund të takohen edhe në Kukës. Secili prej dy shteteve që humbet garën europiane dëmton rëndë shtetin tjetër. Shqipëria dhe Kosova janë si dy binjakë, njërit prej të cilit iu dha atësia 93 vjet më vonë. Ata tashmë janë të dënuar të dëmtojnë njëri-tjetrin nëse nuk funksionojnë si shoqëri të lira. Një regres i Shqipërisë drejt Europës apo një regres i Kosovës drejt standardeve të një shoqërie demokratike vë në pikëpyetje të madhe të ardhmen e dy shteteve shqiptare në Ballkan. Pavarësia e Kosovës ishte një shpërblim i madh i historisë për shqiptarët, por nëse ne e marrim lehtë, ai mund të kthehet në një ndëshkim të madh. Deri më sot kemi pasur përgjegjësi për vete, tani kemi edhe për njëri-tjetrin. Ashtu sikundër Serbia humbi gjithçka, sepse donte gjithçka edhe ne mund të dëmtohemi, duke menduar se tani beteja jonë mbaroi.
Së fundmi, duhet të ndryshojnë edhe fqinjët e tjerë të Kosovës, si Maqedonia dhe Mali i ZI. Kosova është shteti më i ri i botës, i rrethuar ende nga shqiptarë në çdo kufi të saj. Fqinjët e saj jo shqiptarë duhet ta përdorin këtë si shans për të forcuar miqësinë me Kosovën dhe për ta ndihmuar atë në mëkëmbjen e saj.
Kosova u bë shtet dhe dita e parë e shtetit është ditë pune edhe për ne të tjerët që nuk jemi qytetarë të këtij shteti. Kosova ndryshoi dhe tani duhet të ndryshojmë të gjithë, duke respektuar këtë realitet të ri. Ajo e ka garën me veten, e ka garën me standardet që duhet të përmbushë për të justifikuar mbështetjen perëndimore dhe luftën e shqiptarëve për pavarësi. Të gjithë duhet ta pranojmë këtë realitet të ri që po fillon të ndërtohet para syve tanë.