E Shtunë, 31 Tetor 2026

...U kry

Nga Celo Hoxha

Sot, Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në një seancë të veçantë për të vendosur një pikë ndarëse në historinë e Kosovës. Pas kësaj seance, të gjitha ngjarjet e deritanishme, përfshi edhe këtë raport me ngjarjet e djeshme në Kosovë, kanë ndodhur në periudhën para pavarësisë.

Nesër e tutje bota do të ketë një shtet të ri, ndërsa qytetarët e Kosovës do të kenë shtetin e tyre.

Pas dështimit të negociatave të Vjenës, mes Prishtinës dhe Beogradit, bota e kishte të qartë se çfarë do të ndodhte, nuk dihej vetëm dita e shpalljes së pavarësisë.

Zyrtarisht nuk dihet ende, por Kosova dhe bota, ditët e fundit janë orientuar tërthorazi, megjithëse presidenti Sarkozi, në Francë, vizitoi një shkollë dhe i këshilloi nxënësit të ndryshojnë hartën e Europës, sepse duhet që në të “të jetë edhe Kosova”.

Dje, mediat e Kosovës dhe të botës botuan axhendën e ditës më të rëndësishme të historisë së Kosovës.

Ndërsa, agjencia “Reuters” bëri të ditur se janë 20 shtete të Bashkimit Europian që do ta njohin shtetin e ri të Kosovës. Ajo pohon se një qëndrim të tillë nuk e mbështesin gjashtë shtete të unionit: Qiproja, Greqia, Sllovakia, Spanja, Bullgaria dhe Rumania.

Por, më e rëndësishmja ka ndodhur. Një ditë para shpalljes së pavarësisë, Bashkimi Europian ka miratuar misionin e shtetit juridik dhe policisë civile për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kosovë. Një personel prej 1 mijë e 800 vetësh të specializuar në polici, detyra të administratës qeveritare dhe në drejtësi mori dje miratimin përfundimtar nga Bashkimi Europian. Ka nisur gjithashtu të mbërrijnë pjesë nga ky mision.

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë, shefat e diplomacive të BE-së do të shqyrtojnë përgjigjen e tyre për vendimin e Kosovës për të shpallur pavarësinë.

Fuqitë e mëdha europiane: Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, ndoshta do të kumtojnë se e njohin pavarësinë menjëherë pas takimit të së hënës, e këtij grupi do t’i bashkohen edhe SHBA-të.

Prishtina tani po përgatitet aktivisht për të ardhmen e saj europiane. Për të ndihmuar këtë demokraci të re të zhvillojë institucione të qëndrueshme, Bashkimi Europian po dërgon atje misionin e tij, më i madhi ndonjëherë, me një objektiv të qartë: të ndihmojë vendosjen e shtetit juridik në Kosovë, e cila që nga viti 1999 ka qenë nën administrimin e OKB-së. “Ne po marrim përgjegjësi të ndryshme nga ato të OKB-së. Pra, kalimi i përgjegjësive nuk është nga OKB-ja në BE, por nga OKB-ja te qeveria e Kosovës. Ata do të marrin pushtetin dhe përgjegjësitë”, - thotë Peterf Feith, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Europian.

Deputetë serbë nëpër enklava

Prishtina dhe gjithë viset shqiptare janë në festë, por rëndësi e madhe po iu kushtohet serbëve të Kosovës. Një grup deputetësh të parlamentit serb pritet të mbërrijnë në enklavat serbe për t’iu dhënë garanci atyre, ndërsa ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiç, ka thirrur në një takim të posaçëm ambasadorët e Bashkimit Europian.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se Serbia nuk duhet të hyjë në Bashkimin Europian përmes “një tregtie të padenjë”.

Nënkryetari i qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliç, ka theksuar se, nëse puna do të shkojë “deri te shpallja e paligjshme e pavarësisë së Kosovës, Serbia do të përdorë gjithë arsenalin dipomatik dhe të masave ligjore.”

Ai tha se është në interes të qytetarëve të Serbisë që të mos përdorin asnjë lloj dhune, meqë kjo përfundimisht do ta “shkëpuste Kosovën nga Serbia”.

Reagime ndaj shpalljes së paralajmëruar të pavarësisë ka patur edhe në mesin e serbëve të Kosovës. Bashkësia e Komunave Serbe në veri të Kosovës iu ka bërë thirrje qytetarëve serbë që ditën e hënë të shpallin të pavlefshme deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar nga Kuvendi i Serbisë që pjesëtarët e forcave paqeruajtëse të KFOR-it që janë nga vendet që e pranojnë pavarësinë, të largohen nga Kosova dhe në vend të tyre “të vendosen trupat serbe të sigurisë”.

Në një deklaratë të Bashkësisë së Komunave Serbe në veri është kërkuar që misioni i ri i BE-së të trajtohet si okupator dhe që qeveria e Serbisë të mos nënshkruajë “me okupatorët një marrëveshje stabilizim-asocimi”.

Gjithashtu, thuhet se kjo bashkësi, së bashku me Ministrinë serbe për Kosovën dhe me qeverinë e Serbisë, në muajin maj do të përgatisë zgjedhjet lokale dhe ato qendrore për Kuvendin serb të Kosovës dhe të Metohisë.

Protesta kundër shpalljes së pavarësisë kanë paralajmëruar edhe studentët e Universitetit të Beogradit.

Ndërsa kisha ortodokse iu bëri thirrje dje serbëve të Kosovës për qetësi dhe të qëndrojnë në vend, në vigjilje të shpalljes së pavarësisë nga drejtuesit shqiptarë.

“Ne iu dërgojmë të gjithëve mesazhin të qëndrojnë të qetë dhe të mos largohen nga Kosova e shenjtë”, - deklaroi peshkopi Artemije përpara besimtarëve gjatë një meshe në pjesën veriore, kryesisht serbe, të qytetit etnikisht të ndarë të Mitrovicës. Peshkopi që shoqërohej nga pretendenti i fronit të Serbisë, princi Aleksandër, e dha meshën përpara disa qindra besimtarëve në kishën e Shën Dimitrit. “Më e rëndësishmja për ju është të ruani qetësinë dhe të qëndroni këtu”, - tha princi Aleksandër Karagjorgjeviç. Ai iu bëri thirrje për “ndihmë” miqve të Serbisë, duke deklaruar: “Ne kemi nevojë për Evuropën dhe jo për izolim. Nuk më pëlqen të shikoj këtu një situatë të ngjashme me Palestinën”, - shtoi ai.

Tirana: Dita më e rëndësishme pas 1912-ës

Tirana zyrtare ka reaguar përmes kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Ai ka përshendetur mbështetjen unanime nga të gjitha vendet e BE-së të misionit EULEX, si dhe arritjen e grupeve të para të këtij misioni në Kosovë. “Ky është një kontribut i madh i BE-së për paqen, stabilitetin e demokracinë në Kosovë dhe për rajonin në tërësi. Duke miratuar plotësisht këtë mision, qeveria shqiptare do të kontribuojë dhe do të bashkëpunojë ngushtë me BE-në në zbatimin e tij”, - thuhet në një deklaratë të zyrës së shtypit.

Berisha u shpreh dhe më herët se pavarësia e Kosovës hap mundësitë për një kapitull të ri mes kombit shqiptar dhe atij serb.

Në një ceremoni të organizuar me rastin e anëtarësimit në radhët e PD-së të një grupi të rinjsh, kryeministri Berisha në përshendetjen e tij u ndal edhe te shpallja e pritshme e pavarësisë së Kosovës.

Duke e vlerësuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje për kombin shqiptar si “më e madhja nga viti 1912 deri më sot”, ai theksoi se, “me të merr fund një histori koloniale dhe hapet një kapitull i ri paqeje në rajon.”.

Shkupi: Do të jemi të balancuar

Nga Maqedonia vijnë lajme se Shkupi zyrtar do të përpiqet që të jetë i përmbajtur dhe i balancuar sa i përket pavarësisë së Kosovës. Për Maqedoninë të rëndësishme janë edhe lidhjet me Serbinë.

Nga autoritetet në Shkup dëgjohen hapur deklarata se Maqedonia do të ndjekë hapat e BE-së, që nënkupton njohjen e shtetit kosovar.

Megjithatë, presidenti Branko Cërvenkovski tha se Maqedonia nuk do të jetë ndër vendet e para që do ta njohin Kosovën. Këtë e dinë edhe zyrtarët në Kosovë.

Nga ana tjetër, shqiptarët e Maqedonisë do të bëjnë presion që Maqedonia të njohë sa më shpejt që është e mundur shtetin e ri të Kosovës.

E gjetur mes dy anëve, Maqedonia do t’i mbajë kufijtë hapur. Komunikimet do të vazhdojnë normalisht. Për këtë do të luajnë një rol shqiptarët e Maqedonisë.

Këtë e tha edhe ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, duke bërë të ditur se kufijtë nuk do të mbyllen.

Mendohet se për këtë kanë biseduar të premten në Shkup edhe dy kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Nikolla Gruevski.

Nga ana tjetër, Maqedonia mendohet të jetë edhe një mundësi tjetër krahas Shqipërisë për futjen e mallrava në Kosovë në rast të një embargoje serbe.

Në të gjitha qytetet me shqiptarë në Maqedoni po përgatiten festime.

Mbi një mijë gazetarë në Kosovë

Qindra gazetarë e fotoreporterë nga mbarë bota po ndjekin zhvillimet lidhur me përcaktimit e statusit të Kosovës.

Sipas tyre, ky interesim vjen pasi ngjarja kryesore në rajon është Kosova dhe statusi i saj.

Në Prishtinë është krijuar “Qendra Mediale” në të cilën janë akredituar më shumë se 600 gazetarë, ndërkohë që numri i tyre po rritet nga ora në orë.

Qysh të premten Kosova ka qenë lajmi kryesor i mediave të mëdha ndërkombëtare, siç është BBC, CNN, AP, FP, ARD, VOA etj.

Interesim i jashtëzakonshëm për zhvillimet që lidhen me vendimin për statusin kanë treguar edhe media të rajonit, duke përfshirë këtu edhe ekipe të shumta gazetarësh nga Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Greqia, Kroacia, Mali i zi.

Axhenda për shpalljen e pavarësisë

10:00 - Kryeministri niset nga qeveria drejt Parlamentit të Kosovës, dorëzon kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të parlamentit;

11:00 - Kryeministri e bën publike kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të parlamentit;

12:00 - Takimi i Kryesisë së Kuvendit;

13:30 - Takimi i grupeve parlamentare;

15:00 - Seanca plenare e Parlamentit të Kosovës;

18:00 - Deklaratat e të tre liderëve në Prishtinë: Media Center - hotel “Grand”;

18:30 - Ngritja e obeliskut të pavarësisë para Pallatit të Rinisë në Prishtinë;

19:00 - Koncerti i Filarmonisë së Kosovës, salla “1 Tetori”;

20:00 - Koncert në sheshin e Prishtinës;

22:50 - Presidenti dhe kryeministri i drejtohen masës së tubuar;

23:00 - Ndezja e fishekzjarreve në katër pjesë të ndryshme të Prishtinës.

Datat kryesore në Kosovë

“Assocciated Press”

1968 - Demonstratat e para pro pavarësisë nga shqiptarët etnikë në Kosovë, kur ishte pjesë e Jugosllavisë, shumë prej tyre arrestohen.

1991 - Ndërkohë që Jugosllavia po shpërthente, separatistët deklarojnë Kosovën republikë, e cila njihet nga fqinjët shqiptarë.

1996 - Shfaqet Ushtria për Çlirimin e Kosovës pro pavarësisë, e cila merr përgjegjësinë për sulmet ndaj disa shënjestrave policore.

Mars-prill 1998 - Dhjetëra persona vriten gjatë një sulmi të policisë serbe kundër të dyshuarve si separatistë shqiptarë. Serbët kundërshtojnë ashpër ndërhyrjen ndërkombëtare për referendumin në Kosovë. Sanksione të reja ndërkombëtare imponohen ndaj Jugosllavisë.

Korrik-shtator 1998 - UÇK merr kontrollin e 40 për qind të Kosovës përpara se të zmbrapsen nga ofensiva serbe. Forcat ushtarake sulmojnë fshatrat; 22 shqiptarë etnikë gjenden të masakruar në Kosovën qëndrore.

Tetor 1998 - Aleatët e NATO-s autorizojnë sulmet ajrore kundër pozicioneve ushtarake serbe.

15 janar 1999 - 45 shqiptarë etnikë gjenden të masakruar jashtë Raçakut. Zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë hetim për krime lufte.

Mars 1999 - Autoritetet e Beogradit kundërshtojnë një marrëveshje paqeje të ofruar nga ndërkombëtarët, ndërsa shqiptarët etnikë e firmosin atë.

24 mars 1999 - NATO nis fushatën e sulmeve ajrore për 78 ditë në Jugosllavi.

Mars-qershor 1999 - Serbët detyrojnë mbi 800 mijë shqiptarë etnikë të arratisen nga Kosova në drejtim të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

10 qershor 1999 - Lideri jugosllav, Sllobodan Millosheviç, pranon që të tërheqë trupat nga Kosova dhe hyrjen e NATO-s në Kosovë dhe qeverisjen e saj nga OKB-ja. Pushojnë sulmet ajrore. Rreth 50 mijë paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja hyjnë në Kosovë, refugjatët nisin kthimin, ndërsa serbët arratisen duke iu trembur sulmeve hakmarrëse.

6 tetor 2000 - Millosheviçi largohet pas demonstratave masive pas refuzimit për të pranuar humbjen në zgjedhje.

28 qershor 2001 - Millosheviçi ekstradohet në Hagë për t’u përballur në gjykatë për krime lufte, por vdes para përfundimit të gjyqit.

Shkurt 2002 - Kosova zgjedh parlamentin dhe qeverinë, me Ibrahim Rugovën si president.

Tetor 2003 - Bisedimet e para direkte mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës.

Mars 2004 - Grupe të shqiptarëve etnikë sulmojnë serbët në shpërthimin më të keq të dhunës që nga lufta.

Janar 2006 - Rugova vdes pasi vuante nga sëmundja e kancerit në mushkëri.

Shkurt 2006 - Nisin bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës, me ndërmjetësimin e OKB-së.

Tetor 2006 - Gjatë një referendumi serb, Kosova deklarohet si pjesë integrale e Serbisë.

26 janar 2007 - I dërguari i OKB-së, Martti Ahtisaari, zbulon propozimet për krijimin e shtetit të Kosovës.

Prill 2007 - Rusia hedh poshtë propozimet e Ahtisaarit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Qershor 2007 - Presidenti Bush deklaron se Kosova duhet të bëhet e pavarur, sa më shpejt.

Korrik 2007 - Kryeministri i Kosovës thotë se procesi i përgatitur nga OKB ka dështuar dhe bën thirrje për një deklaratë pavarësie në fund të vitit.

Shkurt 2008 - Kosova përgatitet për të deklaruar pavarësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›