E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koha për pavarësinë e Serbisë

Ka ardhur koha. Ka ardhur koha për Serbinë që të deklarojë njëanshmërisht pavarësinë e saj. Ky vend i pavarur mundet atëherë të mbrojë të drejtat e të gjithë njerëzve në Kosovë, veçanërisht të serbëve etnikë, po aq mirë sa mbron trashëgiminë e saj historike atje. Kjo Serbi e pavarur do të mundë atëherë t’i japë fund përgjithnjë luftërave në Ballkan, të nisura që në 1990, nëse ajo do të kapë Ratko Mlladiçin dhe ta çojë atë së bashku me ata që e kanë fshehur pas supeve të popullit serb në Hagë. Kjo Serbi e çliruar dhe e pavarur do të mundë atëherë të lejojë fuqinë krijuese dhe zotësinë e popullit të saj të ndërtojë një shoqëri të drejtë dhe të përparuar dhe të bëhet demokracia më e rëndësishme e rajonit. Shumë keq, nëse nuk do ndodhë një gjë e tillë. Udhëheqësit serbë hedhin poshtë pavarësinë e Kosovës dhe kësisoj ata hedhin poshtë pavarësinë e Serbisë. Radikalët serbë mohojnë madje edhe lidershipin mohues të këtij vendi.
Populli serb nuk do asgjë më shumë sesa pavarësinë e tij të vërtetë e për pasojë fitoren mbi të shkuarën, por ata janë duke thënë se serbët “e vërtetë” nuk duan fitore. Serbët e “vërtetë” duan një betejë, ku të humbin, të ndjekur nga një diskutim spiritual të gjatë sa shekujt mbi atë se kush dhe çfarë e shkaktoi humbjen.
Por, pa një kampion të besueshëm serb për pavarësinë e Serbisë, popullit të shkëlqyer të këtij vendi nuk i shërbehet një dietë tjetër nga ajo e vjetra, gjithnjë disfatiste, dija konvencionale mbi historinë e Serbisë.
Kështu, si një amerikan praktik, i shkolluar në rrugën e politikës së mundësive, madje edhe me ndonjë rrezik, unë kam pyetur veten shpesh se pse një lider i zgjuar serb nuk i ofron popullit të tij pa hezitim pavarësinë që ai dëshiron.
Gjatë viteve si ambasador i vendit tim në Beograd, unë e kam bërë këtë pyetje me ngulm, drejtpërdrejt dhe kam marrë të njëjtën përgjigje nga një anë e shoqërisë serbe:
1) Populli e sheh të ardhmen e Serbisë me një Kosovë brenda saj dhe për këtë është i bindur të luftojë dhe
2) nëse një lider, nuk ka rëndësi sesa popullor është, do të mbështesë pavarësinë e Kosovës, ai do të bënte vetëvrasje politike. Një argumetim i ngjashëm, ndonëse pak më i dobët, vlente edhe për kapjen e Radko Mlladiç.
Një numër analistësh, vendas dhe të huaj, ndajnë të njëjtën pikëpamje mbi atë se pavarësia e Serbisë nga e kaluara e saj do të kërcënojë Serbinë demokratike dhe stabilitetin e rajonit.
Unë nuk pres që kjo të ndodhë.
Serbia nisi të ndërtojë demokracinë e saj pas humbjes në Bosnjë dhe aventurës në Kosovë dhe u bë më produktive si komb pas fundit të martesës së palumtur të Malit të Zi me të.
Do të jetë një Serbi më e mirë pas pavarësisë së Kosovës dhe pasi Mlladiç të mbesë gjithashtu pas saj. Unë nuk mendoj se shumica e popullit të shquar të Serbisë ka frikë për jetën pas Kosovës, por retorikat e nxehta të politikanëve bëjnë që një argument populist kundër “të poshtërve, amerikanëve vendgrabitës, evropianëve dhe Gjykatës antiserbe në Hagë” të marrë jetë.
Ne tashmë kemi kaluar afatet më të fundit të kërkesave të komunitetit ndërkombëtar për pavarësinë e Serbisë. Më 10 dhjetor 2007, treshja e BE, SHBA dhe Rusisë përfundoi përpjekjet e saj për një zgjidhje të negociuar të çështjes së Kosovës.
S’pati asnjë zgjidhje. Më 3 shkurt, një kandidat me bindje demokratike dhe i orientuar kah Europa rifitoi zgjedhjet në Serbi. Fatkeqësisht, ai është bërë pjesë e retorikave të shumicës së drejtuesve serbë për Kosovën. Zgjidhja e vetme për Kosovën dhe më e rëndësishmja për Serbinë është e mirënjohur.
Kosova do të ndahet nga Serbia pa një marrëveshje të negociuar me Beogradin, duke fituar një status të pavarur nga Serbia. Por Kosova nuk do jetë tërësisht e pavarur nga përgjegjësitë e saj për të ndërtuar një shoqëri të drejtë për të gjithë njerëzit e popullit të saj, aq sa është e nevojshme.

* Michael C. Polt është një diplomat karriere dhe ka shërbyer si ambasador amerikan në Serbi nga viti 2004 deri në vitin 2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›