Duhet të vështrosh edhe në Veri, zoti Kryeministër!
Zoti Berisha! Kam ndjekur për vite me radhë turet tuaja në Jug të vendit dhe përcaktimet për zonat bregdetare si perla të turizmit shqiptar. Ndoqa me vëmendje edhe turin e fundjavës së kaluar në Himarë, si dhe inkurajimin për banorët e bregdetit të Jonit që të jenë më efektivë dhe më intensivë në sipërmarrjet e tyre për shtimin e kapaciteteve turistike. Së bashku me një angazhim të dukshëm të qeverisë për të ndërhyrë e përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën, sidomos atë rrugore, si dhe furnizimin me ujë, krijohen premisa më afektive për turistët vendas dhe të huaj. Turizmi, i cili do të përbëjë për Shqipërinë mundësinë më të madhe për zhvillim, kërkon, domosdo, paralel, si zhvillimin e iniciativës private, ashtu dhe angazhimin e strukturave shtetërore dhe marrjen e përgjegjësive për të impulsuar ky sektor kyç i ekonomisë sonë kombëtare. Ajo që ndihet në Jug të vendit është fakti se ka mjaft zona që janë kthyer në atraktive si për pushuesit vendas, ashtu edhe për të ardhurit nga jashtë, të cilët sa vijnë dhe rriten. Po kështu, turizmi po merr ngjyra gjithnjë e më shumë perëndimore, duke u bërë në vijimësi relaksues.
Rritja e kapaciteteve turistike, por edhe ndryshimi rrënjësor i infrastrukturës, veçanërisht asaj rrugore, kanë mundësuar një hop, i cili të krijon optimizëm. Qeveria e ka vlerësuar si një prioritet të rëndësishëm mbështetjen me investime shumëplanëshe zhvillimin e turizmit në bregdetin e Jugut, duke çmuar edhe natyrën shumë impresionuese që ka kjo zonë. Kjo duhet përshëndetur, por ama, mua më lind edhe një xhelozi pozitive. Dhe besoj se kam arsye që të ndodhë kështu. Edhe bregdeti i Adriatikut, e veçanërisht zona nga derdhja e lumit Buna deri në Shëngjin, mbetet ndër zonat me vlera si turistike, ashtu dhe kurative, nga më të lakmueshmet përgjatë gjithë këtij bregdeti. Por, në ndryshim nga investimet e kryera e vëmendja e treguar nga ana e qeverisë në Jug, në zonën bregdetare të Veriut, pohoj me dhimbje se gjërat po ecin ngadalë.
Duke u përpjekur t’ju mirëkuptoj zoti Kryeministër për efektivitetin e investimeve të kryera në shumë zona të Jugut të vendit, mund t’ju sjell në vëmendjen tuaj se edhe një fshat që quhet Velipojë kthehet në qendrën, ndoshta më të madhe të vendit në periudhën e verës. Natyra i ka falur shumë kësaj zone; njerëzit, nga ana e tyre kanë investuar në mënyrë spontane, por mbase ka ardhur koha që edhe ky bregdet, një ndër pasuritë më të mëdha të Shqipërisë, të jetë pjesë e një strategjie tjetër zhvilluese nga ana e qeverisë. Ju mund ta vizitoni vetë dhe mund të merrni impresionet e nevojshme, dhe jam i sigurt se do t’ju nxisin për të ndërmarrë iniciativat e nevojshme mbështetëse. Velipoja është qendra e një komune, por ajo nuk mund të menaxhohet kurrsesi nga administrata e këtij niveli dhe mbase, që prej këtu, mund të fillojë rikonceptimi si administrativ, ashtu edhe zhvillues i kësaj qendre. Ky vit dëshmoi se mijëra e mijëra turistë që erdhën mbetën të afektuar në maksimum nga resurset e mëdha natyrore, por të zhgënjyer nga shumë elemente infrastrukturore për të cilat nuk mund të hidhet i tërë faji mbi supet e vogla të një administrate komunale; të paktë si në numër, ashtu edhe në vizion. Gjykoj se zhvillimi urban i bregdetit nuk mund të bëhet i copëtuar; ai duhet të jetë pjesë e një plani rregullues harmonik të të gjitha segmenteve bregdetare që, në mënyrë kapilare, të funksionojnë me njëri-tjetrin. Po kështu, ata konceptohen në tërësi edhe në arkitekturën e ndërtimeve, duke ruajtur normalisht edhe veçantitë e zonave dhe të terrenit ku ngrihen.
Jam i bindur se, pavarësisht vullneteve pozitive të njërit apo tjetrit kryetar komune për ta bërë këtë, ky mbetet një mision i pamundur, por edhe një situatë e pakorrigjueshme në të ardhmen, nëse vazhdohet të punohet pa kriter dhe për interesa klienteliste.
Velipoja sot, zoti Kryeministër, ka vetëm një oaz me kushte bashkëkohore, oaz që vendasit e quajnë kompleksi “Fishta”. Këtu, realisht, çdo gjë është në një nivel të admirueshëm dhe me standarde bashkëkohore. Ana arkitektonike e tij, por edhe gjithë kompleksi i shërbimeve që është këtu, krijojnë një kënd mjaft të kërkuar nga turistët, si vendas, ashtu dhe të huaj. Ata ndjehen mirë brenda asaj sipërfaqeje, e cila duhet zgjeruar për të qenë një mundësi edhe më e madhe e plotësimit të kërkesave në rritje. Bile, edhe mjedisi i gjelbër është një pikë referimi pozitive dhe inspiruese për të gjithë. Janë të mbjella jo pak, por 2898 rrënjë pemë, të cilat janë shumë më tepër se ato që mbillen në një rrugë të Tiranës, ku kamerat që urdhëron kryetari i Bashkisë nuk mungojnë asnjëherë. Mbjellja e këtyre pemëve nuk ka shërbyer asnjëherë si lajm deri tani, por është një realitet, i cili dëshmon se ka njerëz me vizion, të cilët nuk kujdesen për reklamën e punës së tyre, por për efektivitetin. Nëse do të ishin shumë komplekse të tilla, sigurisht që do të kishim edhe një Velipojë tjetër, por edhe një adresë turistike shumë më të kërkuar; do të ishte edhe një krenari e denjë për të gjithë ne.
U nisa nga ky rast pasi ky oaz ka nevojë për shumë oaze të tjera përgjatë gjithë bregdetit të bukur të Adriatikut, por ka nevojë edhe për një mbështetje të rritur nga ana e qeverisë. Rruga për të ardhur deri në Velipojë, e cila u rikonstruktua 10 vjet më parë, në kohën që zoti Meta ishte kryeministër i vendit, ka shumë nevojë për një ndërhyrje të re. Fluksi i madh i lëvizjes bën që ky aks të ndjehet ngushtë në përballimin e kërkesave në rritje të qarkullimit të mjeteve, por edhe në normalitetin e lëvizjes dhe moskthimin në stres të udhëtimit të turistëve drejt bregdetit.
Ju jeni në vendin tuaj, zoti Kryeministër, dhe unë nuk kam tagrin t’ju bëj ftesë në Velipojën tonë, por, i motivuar edhe me ndjesinë qytetare për ta parë çdo cep të vendit të zhvilluar, gjykoj se një vizitë këtu mund të ishte fillimi i një ndryshimi të domosdoshëm.
Ju keni qenë disa herë gjatë kësaj vere në Jug. Shumë mirë keni bërë, pasi aty kemi një Shqipëri shumë të bukur dhe shumë të kërkuar, por hajdeni edhe te ne, pasi edhe këtu ka një Shqipëri sërish shumë të bukur, por gati të harruar. Një vëmendje tjetër qeveritare sigurisht do të krijonte një Velipojë tjetër dhe krejt ndryshe nga kjo e sotmja. Urojmë të ndodhë shpejt kështu...!
20 Gusht 2010