Shalsi: “ILDKP-ja të nisë hetimin mbi pasurinë e deputetes Albana Vokshi”
Nënkryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Eduard Shalsi, i ka bërë thirrje Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të nisë hetimin ndaj pasurisë së deputetes Albana Vokshi. Shalsi ka ardhur me një fakt të ri, që dëshmon lidhjen e deputetes Vokshi me korrupsionin. Sipas tij, Vokshi nuk ka deklaruar në pasurinë e saj bizneset e njeriut me të cilin bashkëjeton, Arian Tartari. Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha vazhdon të heshtë ndaj akuzave që vijnë nga selia rozë.
Deputeti Shalsi, dy ditë më parë ka shtuar dozën e akuzave për përfshirjen e kryeministrit Sali Berisha në bizneset korruptive të bashkëshortit të deputetes Albana Vokshi. Shalsi ka publikuar të tjera fakte që hedhin hije dyshimi në lidhje me konfliktin e interesit të kryeministrit në aferën korruptive të deputetes Vokshi. Shalsi deklaroi se sipas formularit të regjistrimit të degës së kompanisë “Stream Oil” në Shqipëri, rezulton se kjo kompani dhe kompania “Vizion Construction”, e bashkëshortit të Albana Vokshit dhe sekserit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllari, kanë të njëjtën godinë. Kështu, sipas tij, Selmanllari, si mik i familjes Berisha, menaxhon bizneset e saj.
Deklarata
“Albana Vokashi, Arian Tartari me të cilin ajo bashkëjeton, Shkëlzen Berisha apo miku i tij i ngushtë, Rrahman Selmanllari, kanë të drejtë, ashtu si çdo qytetar i lirë, të bëjnë biznes në Shqipëri në përputhje me ligjet dhe rregullat e këtij vendi. Por, ashtu si çdo shtetas tjetër i Republikës së Shqipërisë, Albana Vokshi, Arian Tartari, Shkëlzen Berisha dhe Rrahman Selmanllari nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë biznes në kundërshtim me ligjet e vendit, në konflikt të pastër interesi. Albana Vokshi ka pranuar një dhuratë të majme, por e fshehu këtë fakt. Megjithëse përfiton nga Sali Berisha fusha nafte me vlerë 4 miliardë dollarë për partnerin e saj, nuk merr mundim ta zbardhë këtë fakt në deklarimin e saj të pasurisë”, - u shpreh Shalsi.
Fshehja e pasurisë
Deputeti Shalsi, përballë orvatjeve për të fshehur pasurinë, ka bërë të qartë se ligji i detyron të gjithë deputetët të bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre, edhe të personit që bashkëjeton. Në këtë mënyrë, Shalsi hedh poshtë pretendimin e Vokshit se ligji nuk e lejon një gjë të tillë. “Ish-këshilltarja e kryeministrit Berisha, aktualisht deputetja Albana Vokshi, në deklaratën e pasurisë që ka plotësuar nuk kishte përfshirë babanë e fëmijëve të saj me të cilin bashkëjeton, Arian Tartarin, me pretendimin se ligji nuk e parashikonte një marrëdhënie të tillë”, - u shpreh Shalsi. “Për fatin e keq të zonjës Vokshi, e gjithë kjo është një alibi që nuk e nxjerr atë nga bataku ku është zhytur. Ligji shqiptar e parashikon fare qartë, të zezë mbi të bardhë, detyrimin e zyrtarëve dhe deputetëve për të deklaruar pasurinë apo interesat e biznesit të personit më të cilin bashkëjetojnë”, - shtoi me tej Shalsi.
Zguri: “Fletët e votimit do të digjen pas dekretimit të datës së zgjedhjeve vendore”
Anëtari i KQZ-së: “KQZ-ja duhet të fillojë përgatitjet për infrastrukturën e zgjedhjeve vendore”
Zguri shprehet se kërkesa e disa qytetarëve për referendum është jokorrekte
Djegia e fletëve të votimit sipas procedurave ligjore nuk mund të presë më gjatë marrëveshjen e kahershme për zgjidhjen e krizës politike nga të dyja kampet. Kështu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos presë pa fund negociatat e partive politike dhe do të detyrohet t’i djegë fletët e votimit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, i cili deklaroi se sapo të dalë dekreti i Presidentit për datën e zgjedhjeve vendore, do të nisë puna për zbrazjen e kutive nga dokumentacioni i zgjedhjeve të kaluara.
Deklarata
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk donte të futej në konfliktin që ishte ndërmjet partive politike. Gjithsesi, mendoj që elementi kohë ka efektin e vet në një proces zgjedhor. Jemi fare pranë daljes së dekretit të Presidentit për zgjedhjet lokale dhe me daljen e tij KQZ-ja duhet të ndërtojë një plan orientues të punëve sipas procedurave dhe afateve që ka një proces zgjedhor. Një ndër to është edhe përgatitja e infrastrukturës, logjistikës dhe kutitë e votimit janë pjesë e kësaj infrastrukture. Dekreti është orientues, që KQZ-ja të fillojë në mënyrë intensive përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme. Është e pafalshme për ne në rast se procesi i ardhshëm do të çalojë apo do të vihet në rrezik, qoftë dhe për këtë element”, - tha Zguri.
Djegia e fletëve të votimit
Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shpjegon se fletët e votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009 duhet të digjen. Zguri tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve priti gjatë për një marrëveshje mes partive politike, por tashme Kodi Zgjedhor është i qartë, se fletët dhe kundërfletët e votimit duhet të digjen. “Mbas përfundimit të procesit zgjedhor, mbasi ka mbaruar edhe procesi i ankimimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap kutinë e materialeve zgjedhore, nxjerr dokumentacionin, i cili duhet të ruhet në Arkivin e Shtetit dhe pas kësaj, paralelisht, djeg fletët e votimit së bashku me kundërafletët”, - sqaron Zguri. Kërkesa e disa qytetarëve për referendum, për zgjidhjen e krizës politike, është jokorrekte, sipas Zgurit, i cili veçon mungesën e referencave politike në këtë kërkesë. “Nuk ka asnjë referencë ligjore. Po të shohësh termat, brenda saj përmenden kriza politike, kriza ekonomike që janë të ulura këmbëkryq në familjet e shqiptarëve. Ka terma edhe shumë të rëndë, që situata mund të përkeqësohet dhe të dalë edhe jashtë kontrollit. Janë elemente, të cilat nuk janë në fokus të punës së KQZ-së”, - tha Zguri.
19 Gusht 2010