E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaçi: “Viktimat e aksidenteve në Shqipëri, si vrasjet në Afganistan”



Ministria e Brendshme, e drejtuar nga Lulzim Basha, nuk ka ndikuar me punën e saj në uljen e aksidenteve rrugore në vend. Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, deklaroi dje se numri i aksidenteve në vend është rritur krahasuar me një vit më parë. Deputeti Gaçi reagoi dje pas deklaratës së ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, i cili u shpreh se siguria në rrugë është përmirësuar dhe se ka rënë numri i vdekjeve nga aksidentet. Deklaratën e tij, deputeti Gaçi e ka cilësuar një gënjeshtër.
Deklarata
Deputeti Gaçi i ka bërë thirrje ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, që në vend që të humbasë kohën në fushata propagande e mashtrimi që pakkush ia beson, të angazhohet seriozisht për të adresuar këtë situatë që po u kushton jetën e shëndetin dhjetëra qytetarëve shqiptarë e po nxin imazhin e vendit. “Në një kohë kur viktimat e aksidenteve rrugore në Shqipëri kanë kapur nivele të përafërta me vrasjet në Afganistan, Lulzim Basha del e bën lojëra fjalësh duke u përpjekur të mbulojë paaftësinë e tij në menaxhimin e sigurisë së rrugëve. Lulzim Basha deklaroi se ka rënë numri i aksidenteve me pasojë vdekjen, kur në fakt jo vetëm që numri i aksidenteve ka qenë më i lartë, por më shumë qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e këtyre aksidenteve se një vit më parë”, - u shpreh Gaçi.
Numri i aksidenteve
Sipas deputetit Gaçi, ministri Basha, në detyrën e tij si ministër i Mbrojtjes, nuk ka ndihmuar kurrsesi në uljen e aksidenteve rrugore, por akoma më shumë janë shtuar. Ai deklaron se në muajin korrik të vitit 2010, sipas të dhënave të vetë Policisë së Shtetit, pati 151 aksidente, prej të cilave humbën jetën 51 qytetarë, krahasuar me 148 aksidente e 48 jetë të humbura në korrikun 2009, kur Ministrinë e Brendshme nuk e drejtonte Lulzim Basha. “Vetëm dje në rrugët e Shqipërisë një qytetar humbi jetën dhe 13 të tjerë u plagosën. Lulzim Basha mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për kasaphanën që ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në rrugët e Shqipërisë gjatë këtij sezoni turistik”, - tha Gaçi.

Durrës, Basha: “Përgëzoj efektivat e policisë për uljen e numrit të aksidenteve”

Ndryshe nga akuzat e opozitës, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, shprehet optimist për uljen e numrit të aksidenteve në vend. Ministri Basha, dje, gjatë një takimi pune në Durrës, ka përgëzuar efektivat e policisë së këtij qarku për menaxhimin e mirë të sezonit turistik dhe fluksit të njerëzve dhe automjeteve, ndërsa kërkoi më shumë përkushtim dhe profesionalizëm pa lënë pas dore ruajtjen e rendit publik në qytete dhe fshatra. Durrësi është qarku që përballet me fluksin më të madh të turistëve në vend. Duke iu referuar numrit të lartë të turistëve dhe automjeteve në rrugë, Basha vuri në dukje se reduktimin e ndjeshëm të aksidenteve me vdekje në superstradën Durrës-Tiranë, si dhe të ngjarjeve kriminale në lidhje me pushuesit. Pas takimit në Drejtorinë e qarkut Durrës, ministri Basha, i shoqëruar nga kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe drejtues të policisë lokale, inspektoi sportelet e reja të çelura në terminalin e trageteve në vendkalimin kufitar të Portit të Durrësit, ku deklaroi se investimet e bëra do të ndikojnë dhe në liberalizimin e shpejtë të vizave për shqiptarët. Liberalizimi i vizave, që ishte premtuar të bëhej në mesin e këtij viti, tashmë duket i largët, por për ministrin Basha ai ngelet çështje muajsh.

Bashkia e Tiranës: Qeveria fsheh dështimin e saj përmes shpifjeve

Pas akuzave të deputetit të Partisë Demokratike, Florion Mima, në adresë të kryebashkiakut Edi Rama, se po benotizon Tiranën, ka reaguar menjëherë Bashkia e kryeqytetit. Zëdhënësi Florion Serjani u shpreh se Florion Mima është një nga të paditurit e Bashkisë për shpifje në adresë të kryetarit të saj. “Sot, për zotin Mima do të vijojnë kallëzimi dhe padia e radhës, përsëri për shpifje ndaj Bashkisë së Tiranës”, - tha Serjani. Sipas tij, dështimi i qeverisë dhe korrupsioni i saj, i bërë publik përmes dëshmive e fakteve, po mundohen të fshihen pas tymnajës së shpifjeve ndaj Bashkisë. “Kushdo që shëtit sot në Parkun e ripërtërirë të Liqenit të Tiranës e prek fare lehtë vizionin e Bashkisë së Tiranës, i cili është i ndryshëm si dita me natën me vizionin e qeverisë, që preket po lehtësisht, duke u ngjitur përmes gropave të rrugës kombëtare në Parkun e malit të Dajtit”, - nënvizoi Serjani. Por, sipas zëdhënësit Serjani, qeveritarëve të sotëm nuk u intereson as e vërteta dhe as publiku, po vetëm xhepi dhe pushteti i tyre i korrupsionit e i gënjeshtrës.

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›