Zyrtare, Lorik Cana firmos kontraten me OM

Lorik Cana, lojtari i fuqishëm i Kombëtares shqiptare është duke përjetuar një dhjetë ditësh nga më fantastikët në jetën e tij sportive. Dy fitore me Shqipërinë kundër Luksemburgut, më 2 dhe 6 qershor, firmosje të kontratës së re me Olimpikun, më 7 qershor dhe lojtari më i mirë marsejez sipas sondazhit të sitit francec lephoceen.fr.
"Të enjten e kaluar firmosa zyrtarisht kontratën e re me Olimpikun e Marsejës, që më lidh me ekipin deri në vitin 2012", tha për Albania-sport.com Loriku, përmes një komunikimi telefonik nga Prishtina ku gjakovari po kalon pushimet. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Cana ndoqi si i ftuar edhe një ndeshje të ekipit të qytetit të tij të lindjes, Gjakovës. Mesfushori, i cili pas një muaji do të mbushë 24 vjec (më 27 korrik), foli edhe për merkaton e ekipit të tij: "Me 25 milionë eurot që klubi morri nga shitja e Frenk Riberisë do të blejë 3-4 futbollistë cilësorë". Zëvendëskapiteni i Marsejës, i cili luajti për klubin e tij gjatë këtij sezoni 44 ndeshje (43 si titullar, 3941 minuta në total) në të gjitha kompeticionet pritet të jetë kapiteni i ri i ekipit. "Habib Beje nuk po bie dakord me klubin, kështu që mund të largohet", - shtoi Cana, i vlerësuar me notën mesatare 5.7, një ndër vlerësimet më të mira për futbollistët e klubit.