Duka: Fitore për të gjithë shqiptarët, jemi pretendentë
Emocionet të mëdha, pas fitores kundër Norvegjisë në Oslo, janë manifestuar dhe tek figura numër një e futbollit shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka.
Menjëherë pas fërshëllimës së fundit të gjyqtarit Blom, Duka ka zbritur në fushë duke përqafuar me radhë protagonistët e kësaj fitoreje historike, të cilëve në këtë mbrëmje i vijnë falënderimet e sinqerta nga çdo shqiptar kudo që jeton.
“Kjo fitore është për të gjithë shqiptarët, ajo u takon atyre sepse vjen në mënyrën e vet më origjinale dhe i hap rrugët pretendimit tonë për tu kualifikuar në finalet e Botërorit Brazil 2014.
Ne së bashku me të gjithë bashkëkombësit që na duan e na mbështesin më në fund kemi një ëndërr dhe jetojmë me shpresën reale për të prekur atë që brezat e tjerë e dëshiruan pa fund. Gjithsesi për momentin, faleminderit të gjithëve për mbështetjen që na kanë dhënë ” ka mbyllur prononcimin e tij Presidenti Duka.