Berisha si Del Piero
Sulmuesi kosovar shënon sërish duke i dhënë fitoren Brisbejn Roar ndaj Melburnit, dhe arrin kështu në renditjen e golashënuesve legjendën Del Piero
Besart Berisha, sulmuesi shqiptar që aktivizohet në ligën e parë Australiane me Brisbejn Roar, ka shënuar sërish dje, në ndeshjen që ekipi i tij luajti kundër skuadrës së Melburnit, të vlefshme për javën e 26-të elitës së futbollit australian.
Ish-lojtari i Kombëtares shënoi golin e parë për vendasit në minutën e 13-të me anë të një 11-metërshi, duke i dhënë kështu avantazhin ekipit të tij, ndërsa në minutën e 31-të, kolegu i repartit të avancuar Tomas Broih, dyfishoi me një gjuajtje spektakolarë prej 25 metrash.
Edhe në pjesën e dytë vendasit ishin më të mirë, patën disa raste madje goditën edhe shtyllën, por shifrat nuk ndryshuan. Me këtë rezultat, ekipi i Berishës shkon në vendin e 5-të në renditje, me 32 pikë, duke patur kështu mundësinë të luajë në finalet e A-League, që zhvillohen pas mbylljes së sezonit të rregullt.
Ky ishte goli numër 13 për sulmuesin nga Prishtina, i cili barazon kështu në numër golash, legjendën italiane Alesandro Del Piero, që aktivizohet me Sidnei FC, ndërsa ka vetëm tre më pak se kryegolashënuesi i momentit MekBrin. Në ndeshjen tjetër te luajtur në kampionatin australian të futbollit, mes Uestern Sidnei Uonderers dhe Sidnei FC, është aktivizuar dhe sulmuesi Labinot Haliti.
Haliti, i cili në të kaluarën ka veshur dhe fanellën e Teutës, në kampionatin shqiptar, hyri si zëvendësues në minutën e 55-të dhe krijoi disa raste për ekipin e tij por që nuk u konkretizuan siç duhej. Ekipi i 28-vjeçarit nga Prishtina, Uestern Sidnei barazoi kundër Sidnei FC të Alesandro Del Pieros, duke ruajtur kështu vendin e parë në renditje.