Partizani, hapat fals rrezikojnë objektivin
Pas fitores së fundit ndaj Burrelit, drejtuesit e skuadrës kërkojnë fitimin e dy ndeshjeve të radhës, në mënyrë që në dy përballjet pasardhëse me Pogradecin dhe Mamurrasin, gjendja në renditje të jetë favorizuese
Partizani vijon stërvitjen në përgatitje për ndeshjen e ardhshme, e cila do të zhvillohet ndaj Dinamos. Në kampin e kuq ekziston një frymë pozitive, e gjithë kjo pas marrjes së tri pikëve ndaj Burrelit. Sipas burimeve në klub, drejtuesit kërkojnë tashmë vazhdimësinë e rezultateve në ndeshjet në vijim, pasi hapat fals do të ndikonin gjendjen psikologjike të skuadrës dhe objektivin sezonal.
Në ndeshjen e fundit, një nga lojtarët që bëri diferencën në skuadër ishte Devolli, hyrja e të cilit në pjesën e dytë i dha më shumë frymëmarrje skuadrës në fazën sulmuese. Stafi teknik ka kërkuar në stërvitje që paraqitja e pjesës së dytë ndaj Burrelit të pasqyrohet edhe në ndeshjet e ardhshme.
Partizani do të luajë në fundjavë ndaj Dinamos, një sfidë delikate kjo për të kuqtë, pasi derbet e kryeqytetit kanë rezervuar gjithnjë surpriza në rezultatet e tyre, pavarësisht formës në të cilën janë ndodhur ekipet. Një problem ende i pazgjidhur mbetet dilemma rreth stadiumit, ku nuk dihet ende se ku do të përballen skuadrat.
Një problem i tillë vijon të mbetet një pengësë e madhe për ekipet e kryeqytetit, të cilat shpeshherë janë detyruar të luajnë ndeshjet e tyre larg kryeqytetit. Partizani në fundjavë luajti në fushën e Yrshekut ndaj Burrelit, duke arritur një fitore të rëndësishme për objektivat në kampionat.
Kjo ndeshje u luajt pikërisht në këtë fushë për shkak së të dy stadiumet e kryeqytetit nuk ishin të gatshme të prisnin zhvillimin e kësaj sfide. Duhet theksuar se Partizani nuk ka arritur të marrë në asnjë rast tri fitore radhazi në kategorinë e parë, e cila tregon se të kuqve i ka munguar vazhdimësia si ekip pretendent.
Kjo gjë pritet të arrihet në dy ndeshjet e ardhshme, ku pas Dinamos, Partizani do të presë Ilirinë e Fushëkrujës në shtëpi. Pas zhvillimit të këtyre ndeshjeve, Partizanin e presin dy sfida vendimtare, ku fillimisht do të udhëtojnë në Pogradec dhe pas një jave të kuqtë do të presin Mamurrasin e vendit të dytë.
Pikërisht, përpara përballjes në këto sfida, Partizani synon të marrë pikët e plota në dy ndeshjet në vijim, ndaj Dinamos dhe Ilirisë, e cila do ti krijonte mundësinë skuadrës që të gjenin ritmin e duhur dhe forcimin e gjendjes psikologjike.