E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Lituaninë, të gjithë në provë

tifoz me plis ne koke dhe flamur ne fytyrNga Feliks Papanikolla

Tekniku De Biazi ka menduar të shfrytëzojë miqësoren me baltikët për të provuar të gjithë lojtarët që ka në dispozicion

Pas fitores historike në Oslo të premten, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për sfidën e radhës që do të luhet nesër, në orën 20:00, në stadiumin Kombëtar Qemal Stafa. Pritet që në miqësoren me Lituaninë, trajneri De Biazi, të aktivizojë të gjithë grupin e lojtarëve, në mënyrë që të krijojë një ide më të qartë se cilët do të jenë zëvendësuesit e tri mungesave të rëndësishme në ndeshjen e kthimit me Norvegjinë.

Në sfidën në shtëpi me nordikët, përfaqësuesja jonë do të vuajë mungesën e tri lojtarëve kryesorë, siç janë Cana, Lila dhe Roshi, të cilët janë të pezulluar për shkak kartonësh. Në këtë mënyrë tekniku italian do përqendrohet më tepër në qendrën e mbrojtjes duke provuar të gjithë alternativat e mundshme, ku dyshja që pritet ta nisë këtë takim do të jetë dyshja Curri Mavraj.

Qendërmbrojtësi që aktivizohet te Gençlebirligi, u rikthye në Tetor, pas një viti mungesë nga Kombëtarja dhe ndaj Lituanisë pritet të nisë ndeshjen e tij të parë si titullar pas dëmtimit të gjatë që pësoi vitin e kaluar, ndërsa në kampionatin turk, Curri ka kryer vetëm dhjetë paraqitje duke mos arritur ende formën e tij më të mirë.

Ndryshime pritet të ketë dhe në krahët e mbrojtjes, ku pas dëmtimit të Dallkut në ndeshjen me Norvegjinë, De Biazi nuk do kërkojë të rrezikojë dhe mund të provojë që nga minuta e parë lojtarin e Empolit, Elseid Hysaj, i cili luajti dhjetë minutat e fundit në të njëjtin pozicion në ndeshjen ndaj Norvegjisë. Në Kombëtare rikthehet dhe Veliu, pas mungesës në ndeshjen kundër Noregjisë.

Mbrojtësi i Flamurtarit nuk udhëtoi në Oslo me Kombëtaren, për shkak se ishte plotësuar numri i 23 lojtarëve të lejuar nga UEFA, megjithatë përballë Lituanisë, shtatlarti vlonjat pritet të provohet qe nga minuta e parë, si alternativë në krahun e majtë.

Tekniku italian po mendon aktivizimin në krahun e majtë të Veliut me Agollin, për të zbehur disi mungesën e rëndësishme të Lilës dhe Roshit, të cilët mbuluan atë krah kundër norvegjezëve.

Në mesfushë alternativat janë të shumta, ku si titullarë mund të kemi katërshen e përbërë nga Agolli, Basha, Lilaj dhe Meha, ndërsa tekniku nga Trevizo,mund të hedhë në fushë në rolin e mesfushorit të tërhequr, Tefik Osmanin, i cili javët e fundit, ka mbuluar të njëjtin rol të Teuta.

Në sulm do ndihet mungesa e ngritësit të Oslos, Hamdi Salihi. Sulmuesi shkodran i kërkoi leje trajnerit dhe është larguar menjëherë për në Kinë, për të qenë i gatshëm sa më parë për ekipin Jiangsu, në të cilin aktivizohet.

Kështu, mendohet se zgjedhja e parë për repartin e avancuar do të jetë dyshja Çani Sadiku, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të luhet me skemën fituese të Oslos, ku mbrapa Çanit mund të aktivizohet Vajushi. Gjithsesi ndaj Lituanisë De Biazi pritet të aktivizojë thuajse të gjithë lojtarët që nuk gjetën hapësira në ndeshjen e së premtes kundër Norvegjisë.

Për sa i përket mënyrës së lojës, dhe në seancat stërvitore tekniku italian u ka kërkuar të tijve që të luajnë me topa të ulët, pasime të shpejta dhe vertikalizime nga krahët dhe ndeshja me Lituaninë pritet të jetë një test për lojtarët dhe për adaptimin e tyre me lojën e kërkuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›