E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasan Lika: Trajnerët nuk janë e keqja Ish-trajneri i Partizanit: “Mendoj se futbolli në Shqipëri ka shumë probleme, që kanë lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë"

Bledar KUKA -  Nuk është tip mediatik, ndonëse nuk i shmanget dot ftesave të vazhdueshme të studiove televizive apo telefonatave për intervista. Hasan Lika kërkon ta jetojë futbollin brenda vetes, brenda fushës së stërvitjes e zyrave në klub. Nuk është më trajner i Partizanit, skuadër me të cilën thuajse doli kampion sezonin e kaluar, por përjetimin e kësaj ndarjeje nuk dëshiron ta ndajë me të tjerë. Veçse një gjë e thotë me bindje.

“E keqja e futbollit nuk janë trajnerët”. Nuk dëshiron të ndajë faje apo përgjegjësi, por mjaftohet duke i çliruar kolegët e tij nga autorësia mbi problemet që futbolli në vendin tonë i ka, madje të shumtë. “Vërej se niveli i trajnerëve në kampionatin shqiptar është rritur mjaft, - është mendimi i Likës, - një pjesë kanë qenë futbollistë shumë të mirë, kanë studiuar, kanë marrë pjesë nëpër kurse”.

Ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga trajnimi. “Po, do të vazhdoj sipas mundësive që do të më jepen, - shprehet, - ky është profesioni im. Normalisht që do të jem trajner edhe më tej”. Presidenti i Partizanit, Albert Xhani, ka bërë një deklaratë publike sipas të cilës Lika mund të jetë një nga drejtuesit në klub, së bashku me Bejkush Birçen, Genc Tomorin e të tjerët.

Natyrisht, Lika ka parë shumë në karrierë. Ai ka qenë ndihmës i Sulejman Starovës në sezonin shumë të suksesshëm 1992-1993 kur të kuqtë fituan kampionatin dhe kupën, titulli i fundit tek Partizani, por ka drejtuar edhe Lushnjen (si i parë dhe në krah të Mario Kempesit për një muaj) kurse me Teutën e Durrësit kishte krijuar një “dashuri” të vërtetë. Nuk bën të harrohet se edhe Besa e Kavajës e ka pasur trajner për disa kohë.

“Mendoj se futbolli në Shqipëri ka shumë probleme, që kanë lidhje me gjendjen në të cilën ndodhet vendi ynë, - vazhdon ai, - në shumë profesione të tjerë, po marr si shembull gazetarinë, mund të shkosh në një zyrë komode, të ulesh para kompjuterit dhe të punosh si njeri, kurse futbollistët në shumicën e rasteve duhet të stërviten në ambiente aspak të përshtatshme, si rrjedhojë u mbeten kaq shumë defekte”.

Pavarësisht se i rrahur mirë me vështirësitë, në zërin e Likës e ndjen sesa i vështirë është futbolli kur jeton brenda tij. Dikur ka qenë trajner i Shqipërisë U21 dhe e kishte dëshirë që topkëmba të vendosej në baza më të organizuara. Propozimi ishte të krijohej një shkollë shqiptare futbolli, ku të studioheshin karakteristikat e futbollistëve tanë dhe të punohej në mënyrë të orientuar.

Nuk qe e thënë të realizohej. “Ne jemi shqiptarë, ne kemi cilësitë tona, pozitive dhe negative që janë krijuar në bazë të kushteve, - thotë ai, - nuk mund të kopjojmë modele të vendeve të tjera që kanë karakteristika të tjera. Italia është kampione e botës dhe nuk mundet të luajë në mënyrë ofensive vazhdimisht, e ka të pamundur. Ndaj ka krijuar modelin e saj të futbollit. Shqipëia nuk shmanget dot nga këto rregulla”.

Por nuk janë vetëm kushtet, është edhe mentaliteti. Si trajner ende aktiv, Lika ka pak dëshirë të bëhet kritizer. “Megjithatë ju theksoj se në gjithë botën nuk ndërhyhet tek trajneri që të aktivizojë filan apo fistek futbollist, që mund të ketë miq, çuna tezesh, baballarë me emër apo që kanë bërë karrierë në futboll”, - flet si me zemërim.

“Është çështje parametrash, jo gjithkush mund të luajë futboll, ju po më tregoni një histori për Oto Bariçin që e ka këshilluar të birin të mos bëhej futbollist, por diçka tjetër. Kjo është krejt normale, kështu kanë vepruar edhe shumë në Shqipëri”, - përfundon trajneri Hasan Lika. Ai vetë është një nga ata, ndërsa unë kujtoj edhe një nga trajnerët më të respektueshëm në Shqipëri, Luan Senglën.

E Merkure, 12 Nentor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›