Duka: Jo ndëshkimeve penale ndaj aktorëve të futbollit
FSHF është kundër aplikimit të ndëshkimeve penale për aktorët e futbollit, ndërkohë që premton se do të përgatisë një projektligj, i cili duhet të parashikojë ndëshkimet edhe për njerëzit me imunitet, si deputetë, prokurorë e gjykatës, të cilët mund të futen në fushë për të ushtruar presion ndaj protagonistëve të futbollit. Ky ka qenë thelbi i deklaratës së bërë dje nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, menjëherë pas një takimi të veçantë, të zhvilluar dje në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit me ministrin Ferdinand Xhaferi, të cilët më parë kishin diskutuar në lidhje me mbështetjen ndaj komisioneve përkatëse të disiplinës në federatë, dhënien e sanksioneve po kaq të rrepta karshi dhunës së cilido futbollisti lojtari, trajneri, drejtuesi, por edhe ndaj arbitrave që cenojnë garën, duke provokuar indirekt edhe tension në stadiumet shqiptare. Shtysë për këtë takim kokë më kokë mes tyre ka qenë pikërisht incidenti i dhunshëm i së shtunës në ndeshjen Gramozi-Vllaznia, ku është ushtruar dhunë në fushë dhe është goditur brutalisht gjyqtari anësor Denis Agaraj, nga pjesëtari i stafit të Gramozit, Altin Hodaj. Në daljen nga ky takim, numri një i organit më të lartë të futbollit në vendin tonë është dukur i kënaqur, por nuk ka harruar të bëjë të njohura kundërshtimet në lidhje me një propozim të ministrit Xhaferi. Duka garanton mbështetjen maksimale në ndëshkim të dhunës. “Ne do të bëjmë një propozim tonin për një draft-ligj, për të ndëshkuar ata njerëz me imunitet që hyjnë në fushë”, nënvizoi Duka, duke iu referuar incidenteve të fundit, ku deputetë apo njerëz të tjerë me imunitet janë shndërruar në protagonistët kryesorë të dhunës. Presidenti ka mbrojtur rregulloret e FSHF-së, duke shtuar se “masat ndëshkimore i kemi të ashpra, më të ashpra se gjithë të tjerët. Ndërsa rasti konkret i Ersekës do të marrë një dënim maksimal, ashtu si të gjitha rastet e tjera”. Për sa i përket pohimit të ministrit Xhaferri, se ka firmosur procedimin penal të Hodajt, Duka ka shprehur kundërshtinë e tij, duke shtuar: “I kam thënë ministrit, që unë nuk jam për ndërhyrje në fushën e sportit. Nuk jam për ndëshkime penale në fushën e lojës, me aktorët e lojës”. Menjëherë më pas ka ardhur edhe një deklaratë për shtyp e FSHF-së, nëpërmjet së cilës, qeveria e futbollit në vendin tonë është “tejet e shqetësuar për shfaqjet e dhunës të shfaqura dhe kërkon të tërheqë vëmendjen e klubeve, futbollistëve trajnerëve, gjithë opinionit futbolldashës në Shqipëri, për këtë ngjarje të rëndë. FSHF i dënon këto akte dhe konfirmon se çdo shfaqje dhune, intolerancë dhe mungesë respekti, ndaj kundërshtarëve, gjyqtarëve nuk do të tolerohet”.
#