E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mukaj: Kjo, ndeshja e sezonit për ne

Kupa e Shqipërisë Tirana-Besa, trajneri uron që gjyqtarët të mos ndikojnë në rezultat

Përballja me Besën në ndeshjen e dytë të turit çerekfinal të Kupës së Shqipërisë, do të jetë edhe ndeshja më e rëndësishme e këtij edicioni për Tiranën, e cila do të synojë arritjen e trofeut të dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar për të shpëtuar një sezon thuajse totalisht të dështuar për objektivat e saj. Për këtë arsye, bardheblutë do të provojnë edhe kartën e fundit, pasi atyre u duhet të përmbysin me çdo kusht rezultatin e sfidës së parë në Kavajë, ku humbën 2-0. Trajneri Devis Mukaj nuk beson se kavajasit do të bëjnë një lojë mbrojtëse, ndërsa vetë premton se do të hedhë në fushë katër futbollistë sulmues, duke tentuar me çdo kusht kalimin e turit. “Duke parë si kanë ardhur gjërat, për ne kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit, pasi vetëm në Kupë shpresojmë të fitojmë trofe, tha Mukaj. Do të jetë një ndeshje e vështirë, si për ne edhe për Kavajën, sepse luajmë në një terren tepër të rënduar”. Kjo çerekfinale, që ka vënë përballë dy ekipet më të forta të Superiores, do të luhet pa tifozë, gjë që sipas Mukës ndikon jo pak në fushë. Një tjetër pikë ku Mukaj vë theksin janë edhe gjyqtarët, të cilët, sipas tij, kanë “mëkatuar” shumë në këtë sezon ndaj bardhebluve dhe uron që në këtë ndeshje “bluzat e zeza” të mos bëhen përcaktues. Ndërkohë Dinamo udhëton në Peqin përballë Shkumbinit në ndeshjen e parë, pasi nuk luajti për shkak të terrenit të vështirë. Vllaznia pret Skënderbeun në shtëpi pas një ndeshjeje të parë pa gola, ndërsa Gramozi zhvillon ndeshjen e parë në Ersekë me Teutën, pasi dy javë më parë kjo ndeshje u ndërpre për shkak të borës.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›