E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhaferri: Përjashtime edhe për deputetët

Dhuna në futboll, ministri i Sporteve kërkon ndëshkime për personat me imunitet

Pas konsultave me Federatën Shqiptare të Futbollit, Ministria e Sporteve është shprehur “pro” një revolucioni që pritet të kufizojë dhunën në stadiumet shqiptare. Ferdinand Xhaferri, drejtuesi më i lartë i MTKRS-së, ka kërkuar masa shumë të ashpra ndëshkimore për ngjarjet që vazhdojnë t’i shndërrojnë fushat në vend në arena duelesh. Madje, ai ka theksuar se organet e FSHF-së dhe kryesisht Komisioni i Disiplinës, duhet të marrë vendime për përjashtimin nga stadiumet edhe të personave me imunitet, duke përfshirë këtu deputetët apo kryetarët e bashkive. Në fakt, prej kohësh institucioni që drejton sportin më popullor në vend ka shprehur shqetësimin se dhuna ushtrohet ose nxitet nga pushtetarët. “Kemi zhvilluar një takim me presidentin e Federatës së Futbollit, Armand Duka, dhe sekretarin Prodani, të cilëve u kam kërkuar një përgjigje të fortë për këto akte barbare që kanë ndodhur në stadiumet shqiptare. Ajo që ka ndodhur është e patolerueshme”, deklaroi ministri Xhaferri. “Nga kreu i federatës u ngrit shqetësimi se në jo pak raste, kryetarët e bashkive, apo persona të tjerë me imunitet, në kundërshtim flagrant me nenin 47 të ligjit për sportet, hyjnë në fushën e blertë. Ne do të mbështesim me forcë të gjitha vendimet e Komisionit të Disiplinës, për të ndaluar për një apo më shumë vite futjen në stadium për të gjithë ata zyrtarë që do guxojnë të hyjnë në fushat sportive. Kam kërkuar që këta persona, të cilët fshihen pas imunitetit, të përjashtohen deri në tri vjet nga stadiumet shqiptare”.

Xhaferri theksoi gjithashtu se ka ngritur padi penale ndaj pjesëtarit të stafit të Gramozit, Altin Hodaj, për dhunën që ai ushtroi ndaj vijërojtësit Denis Agaraj. Masazhatori i skuadrës kolonjare tashmë rrezikon deri në tre vjet burg. “Lidhur me ngjarjen në ndeshjen Gramozi-Vllaznia, ku pjesëtari i stafit të Gramozit, Altin Petrit Hodaj, goditi barbarisht gjyqtarin anësor, me cilësinë e ministrit të Sporteve, kam firmosur sot kallëzimin penal bazuar në nenin 237 të Kodit Penal. Aty thuhet se ‘goditja që i bëhet punonjësit që kryen detyrën shtetërore apo një shërbim publik, dënohet deri në tre vjet burg’”, shtoi drejtuesi më i lartë i MTKRS-së. Për ndeshjen Flamurtari-Kastrioti, ku krutanët braktisën fushën vetëm 60 sekonda përpara fundit të kohës së rregullt, pas një penalltie të akorduar nga gjyqtari Sokol Jareci, ministri shtoi: “Federata Shqiptare e Futbollit i ka të gjitha instrumentet dhe strukturat ligjore të ndëshkimit dhe Komisioni i Disiplinës pranë këtij institucioni duhet të reagojë ashpër e për të ndëshkuar edhe ata gjyqtarë që prishin rregullat e lojës. Ftojmë komunitetin e sportit, sportistët, gjyqtarët, trajnerët, zyrtarët e federatës dhe median që të punojmë së bashku për të promovuar gjithnjë e më shumë rregullat e lojës së ndershme dhe ‘fair-play’-n në stadiumet tona”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›