Duka: Teksti i Historisë, është shkelur integriteti profesional
Historiania dhe shefja e departamentit të historisë në UT, Valentina Duka, shprehet se historianët nuk duhet të bien në pozitën e publicistit
TIRANË - Shefja e departamentit të historisë pranë universitetit të Tiranës, Valentina Duka, e ka cilësuar si të nevojshëm përfshirjen e ngjarjeve të 1997-ës në tekstet e historisë, por ajo thotë se interpretimet e historianëve për ngjarje që nuk janë formuar plotësisht, cenojnë etikën dhe profesionalizmin e tyre.
Sipas saj, teksti i "Historisë së Shqipërisë" për shkollat e mesme, në të cilin janë vënë re interpretime nga ana e autorëve është alternativ dhe jo zyrtar.
Në vazhdim, Duka deklaron se në ndryshim nga qëndrimi i Ministrisë së Arsimit për mostërheqjen e tekstit nga shkollat, në pozitën e historianes, ajo ndan tjetër mendim. Kurse për sa i përket ndryshimit të metodës që ndiqet nga Ministria e Arsimit për hartimin teksteve të historisë, ajo mendon se ndërmarrja e një veprimi të tillë do të ishte një hap mbrapa.
Znj. Duka, ditët e fundit, opinioni publik është njohur me një tekst të "Historisë së Shqipërisë" të klasës së 12, të autorëve Dëzhgiu e Meta, ku ndërmjet të tjerave janë komentuar edhe zhvillimet politike të pluralizmit shqiptar.
Mënyra sesi ata e kanë paraqitur këtë pjesë të historisë së demokracisë së vendit tonë ka ngjallur një reagim të ashpër jo vetëm nga ana e opozitës, por edhe nga opinioni i gjerë.
Ju në cilësinë edhe të shefes së departamentit të historisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si do ta konsideronit përfshirjen dhe interpretimet e ngjarjeve të tilla në tekstin e "Historisë së Shqipërisë"?
Mendoj që historia e tranzicionit shqiptar duhet të jetë pjesë e tekstit, por këto ngjarje duhet t'ua paraqisnin nxënësve të papolitizuara dhe ashtu sikundër edhe kanë ndodhur.
Mendoj që historianët i kanë të gjitha mundësitë që të japin mendimin tyre të ftohtë për historinë e sotme të Shqipërisë. Historianët janë shkencëtarë dhe nuk duhet të bien në pozitën e publicistit ose folkloristit, përndryshe historia që ata shkruajnë mund të jetë gjithçka, por jo shkencë.
Historiani mund të thotë fjalën e tij edhe për ngjarje të ditës, por ai mund të arrijë tek e vërteta historike vetëm pasi të ketë në dorë dokumente primare, të cilat ndodhen nëpër arkiva. Pasi ai t'i disponojë ato, i ka të gjitha mundësitë të bëjë një analizë shkencore të ngjarjeve historike.
Ministria e Arsimit ka deklaruar se nuk do ta tërheqë historinë nga shkollat, pasi ajo plotëson të gjitha standardet shkencore dhe didaktike. A mendoni se ky mendim është i drejtë nga pikëpamja profesionale?
Si historiane ndaj tjetër mendim. Ministria e Arsimit, në vitin 2005 ka ndërmarrë një reformë shumë të rëndësishme. Para saj sistemi i prodhimit, autorizimit dhe shpërndarjes së teksteve të historisë ka qenë i centralizuar tërësisht në duart e shtetit, rrjedhimisht, Ministria e Arsimit luante një rol krucial në përgatitjen dhe shpërndarjen e teksteve, ashtu siç ishte përgjegjëse edhe për përmbajtjen e tyre.
Duke qenë kështu, tekstet e prodhuara në periudhën postkomuniste deri në vitin 2005, pavarësisht nga ndryshimet e mëdha që kanë me ato paraardhëse, mbartin në vetvete edhe defekte që lidhen si me ndërhyrjen politike të partisë në pushtet, ashtu edhe me kufizimet e vetë historianëve të përfshirë në këtë proces.
Me zbatimin e kësaj reforme, MASH-i hoqi dorë përfundimisht nga të pasurit e monopolit në procesin e prodhimit dhe të shpërndarjes së teksteve shkollore.
Me heqjen e këtij monopoli, hipotetikisht u rrëzua mundësia e përgatitjes së teksteve të politizuara, sepse nuk ishte Ministria e Arsimit ajo që caktonte grupet e historianëve që do të përgatisnin tekstin zyrtar të historisë, çka rriste mundësinë e ndërhyrjes së politikës në shkrimin e saj.
Reforma e re pati edhe sfidat e veta. Në qoftë se sot kemi tekste të politizuara akoma, sikundër është teksti në fjalë, kjo nuk vjen nga diktati politik, por nga fakti se historianët që kanë marrë pjesë në shkrimin e tij kanë shkelur integritetin e tyre profesional.
Por edhe komisioni i seleksionimit të teksteve nuk e ka kryer si duhet misionin e tij në qoftë se e ka përcaktuar këtë tekst si tekst fitues.
Pavarësisht debateve institucionale, një ndër problemet më të rëndësishme është se një pjesë e maturantëve do ta mësojnë ndryshe këtë pjesë të historisë dhe të tjerë ndryshe. Si mund të shmanget ky problem?
Ky tekst është alternativ dhe jozyrtar, që do të thotë se në qarkullim ka edhe tekste të tjera të shkruara më me profesionalizëm. Shpresoj që mësuesit e historisë të përzgjedhin tekstet më të mira.
A duhet të ndryshojë metoda që ndiqet nga Ministria e Arsimit për hartimin e teksteve dhe veçanërisht për tekstet e historisë?
Kurrsesi jo. Reforma është moderne dhe perëndimore. Kthimi tek tekstet zyrtare të historisë do të jetë një hap mbrapa. Ajo që ka vend të përmirësohet është mënyra e seleksionimit të teksteve alternative.
Diku iu referuar edhe rastit konkret, sa ndikon politika në shkrimin e historisë, pasi shpeshherë kemi parë drejtues të lartë që flasin për rishkrimin e historisë?
Zyrtarisht aspak, gjë që si profesioniste më bën shumë të lumtur. Një gjë e përbashkët për tekstet e historisë të të gjitha niveleve dhe në përgjithësi, për të gjithë historiografinë shqiptare të periudhës postkomuniste, është prania e miteve apo dhe e çështjeve tabu, që në të shumtën e rasteve lidhen me glorifikimin e disa ngjarjeve kombëtare apo e disa figurave historike mit, për të cilat nuk vihet në dukje asgjë negative në të gjithë periudhën e zhvillimit apo ekzistencës së tyre.
Pra, vazhdojnë të jenë ende të pranishme rastet e trajtimit "bardhezi" të ngjarjeve, dukurive dhe figurave historike. Një rol të veçantë në këtë drejtim luan edhe mentaliteti i prapambetur, si dhe formimi kulturor dhe historiografik i mangët i mjaft personave të caktuar si autorë të këtyre teksteve.
Teksti
Në qoftë se sot kemi tekste të politizuara akoma, sikundër është teksti në fjalë, kjo nuk vjen nga diktati politik, por nga fakti se historianët që kanë marrë pjesë në shkrimin e tij kanë shkelur integritetin e tyre profesional. Por edhe komisioni i seleksionimit të teksteve nuk e ka kryer si duhet misionin e tij, në qoftë se e ka përcaktuar këtë tekst si tekst fitues.
Pavarësisht debateve institucionale, një ndër problemet më të rëndësishme është se një pjesë e maturantëve do ta mësojnë ndryshe këtë pjesë të historisë dhe të tjerë ndryshe? Si mund të shmanget ky problem?
Ministria e Arsimit
Ministria e Arsimit, në vitin 2005 ka ndërmarrë një reformë shumë të rëndësishme. Para saj sistemi i prodhimit, autorizimit dhe shpërndarjes së teksteve të historisë ka qenë i centralizuar tërësisht në duart e shtetit, rrjedhimisht, Ministria e Arsimit luante një rol krucial në përgatitjen dhe shpërndarjen e teksteve, ashtu siç ishte përgjegjëse edhe për përmbajtjen e tyre.
Duke qenë kështu, tekstet e prodhuara në periudhën postkomuniste deri në vitin 2005, pavarësisht nga ndryshimet e mëdha që kanë me ato paraardhëse, mbartin në vetvete edhe defekte që lidhen si me ndërhyrjen politike të partisë në pushtet, ashtu edhe me kufizimet e vetë historianëve të përfshirë në këtë proces.