"Jashtë Shqipërisë nuk të lë njeri të sillesh kështu "
Ismail Kurtishi ka provuar jetën edhe jashtë Shqipërisë por në vende të tjera nuk lejohen zhurmat
TIRANË- Ismail Kurtishi është rreth të 60-tave. Prej disa vitesh jeton në një apartament në lagjen përballë Parlamentit. Pranë banesës së tij ushtron aktivitetin lokali "Living Room", i cili sipas tij është kthyer në një makth për të gjithë lagjen. Para pesë vitesh është transferuar në këtë lagje me mendimin se do të kishte një jetë më të mirë, por nuk ndodhi kështu. Ai pranon të rrëfejë për "Shekullin" stresin e zhurmave të natës por nuk pranon që të dalë me foto pasi pronarët apo punonjësit e lokalizmit mund të ndërmarrin ndonjë veprim ndaj tij.
Z. Ismail mbrëmjen e djeshme lokali që ndodhet pranë shtëpisë suaj ka punuar me zhurma të mëdha. A keni pasur shqetësime nga këto zhurma?
Ka rreth pesë vjet që banoj këtu. Në fillim kur erdha nuk kishim probleme me zhurmat ose më saktë kishte herë pas herë po nuk na shqetësonin. Por, ka gati dy vjet që na është bëra jeta ferr, po rrimë çdo natë pa gjumë. Duke filluar që të mërkurën e deri të shtunën nuk rrihet më në këtë lagje. Vijnë nga ana e anës dhe na shqetësojnë në shtëpitë tona. Mirë muzikës, por kur pinë aty nga ora 02.00-03.00 e mëngjesit fillojnë të ulërasin sikur janë në pyll. Mirë që nuk shkoj në punë dhe fle ditën, po kam djalin me nusen që i duhet të ngrihen herët në mëngjes. Unë i kuptoj ata kanë qejfin e tyre, fundja paguajnë për atë por duhet gjendur një vend tjetër për të ndërtuar lokale të tilla dhe jo këtu në mes të qytetit. Unë kam jetuar edhe në Itali por nuk kam dëgjuar që të ngrihet muzika në qiell. S'të le italiani, ka rregulla atje nëse ankohesh vijnë direkt karabinierët.
I jeni drejtuar ndonjë organi të shtetit në lidhje për këtë shqetësim?
Posi jo, disa herë. Unë jam i ri këtu në këtë lagje dhe akoma nuk i njoh të gjithë po më kanë thënë që kanë dërguar edhe një peticion në Bashki. Kur marr policinë e rendit ato më thonë që merret policia bashkiake me këtë punë. Marr bashkiakët, kur vijnë ata pushon zhurma për pak kohë pastaj vazhdon njësoj, sikur të mos kishin qenë fare.
Keni tentuar të komunikoni me pronarët e këtij lokalit që ju thoni që ju shqetëson?
Nuk e di cili është pronari i tij, por më kanë thënë që e ka një politikan i lartë, prandaj edhe nuk zgjidhet si problem. Pastaj ku pyesin ata, një fqinja jonë kishte shkuar njëherë, e kishin marrë me të mira dhe po njësoj. Ata fitojnë para nga kjo punë s'ka se si të pushojnë vetëm me një të ankuar tonën, duhet më shumë. Ka disa vite që banorët e kësaj lagjeje e kanë përcjellë këtë problem, në bashki dhe polici dhe ende nuk ka gjetur zgjidhje.
Si mendoni ta zgjidhni këtë problem?
Po duhet të ndërhyjë bashkia ose policia kush e ka për detyrë, ta mbyllë ose të marrin masat që të mos dëgjohet zhurma. Unë s'jam kundra lë të punojnë, por nuk durohet më kështu.
Banorët denoncojnë në mënyrë anonime, kanë frikë nga pronarët
"Nuk kemi parë asnjë polic"
Problemi i muzikës me volum të lartë nuk është i pranishëm vetëm në zonën e ish- bllokut. Banorët pranë lokalit "Lulishte 1 maji" dhe "Living Room" kanë të njëjtat ankesa për muzikën që luhet aty çdo mbrëmje. Një burrë rreth të 60-ve, banor në pallatin përbri lokalit "Lulishte 1 maji" pa dashur të identifikohet, thotë se situata aty është shumë e rënduar. Por askush nuk është ankuar. Disa nga mosbesimi tek policia dhe të tjerë sepse kanë frikë nga pronarët e lokalit. Kjo e fundit është edhe arsyeja se përse një pjesë e mirë e banorëve të pyetur nga "Shekulli" kanë refuzuar të japin e emrin e tyre.
Zotëri apartamenti juaj është pranë lokalit "Lulishte 1 Maji" dhe "Living Room". A ju shqetëson muzika që luhet aty?
Këtu gjatë gjithë verës kjo histori është. Po sikur të ishte vetëm muzika se me atë dhe jemi mësuar. Më shumë na shqetësojnë zhurmat e makinave. Trafiku këtu pothuajse në çdo orë të ditës është i rënduar.
Jeni ankuar diku për këtë problem?
Jo nuk jemi ankuar. Po ku të ankohesh pronarët janë miq me policët. Tani për ne kjo situatë është bërë normale
Asnjëherë nuk ka ndërhyrë policia?
Jo s'kemi parë asnjë polic.
"Nuk mund të jetohet në mes të kësaj katrahure"
Një banore e moshuar që jeton pranë lokaleve "Lulishte 1 maji" dhe "Living Room" pohon se muzika që luhet gjatë mbrëmjeve është shumë shqetësuese. Ajo dhe familja e saj kanë pak kohë që janë kthyer nga jashtë shtetit dhe situata nuk ju duket aspak e mirë. E moshuara thotë se përveç muzikës së lartë shumë shqetësuese janë edhe boritë e makinave. Por me gjithë shqetësimin e madh që ka ajo i druhet pronarëve dhe punonjësve të lokaleve dhe për këtë arsye nuk pranon që të tregojë emrin.
Zonjë a ju shqetëson muzika që luhet tek lokali pranë?
Sigurisht. Nuk flemë gjumë gjithë natën, pasi muzika këtu sidomos në fundjavë ka volum shumë të lartë. Unë jam e moshuar dhe kjo më shqetëson shumë.
Po policë keni parë që të vinë këtu te lokali?
Jo nuk kemi parë. Po të ishin në rregull gjërat këta nuk do të silleshin kështu.
Ju jeni ankuar diku për këtë situatë?
Ende jo. Besoj se komshinjtë që kanë qenë gjithë kohës këtu duhet të jenë ankuar. Nuk mund të jetohet në mes të kësaj katrahure.
Lejla Shahu ndan një mur me lokalin "Living Room", por veç muzikës për të shqetësim janë edhe klientët dhe shoferët e taksive
"Njerëzit bëjnë zhurmë edhe kur dalin nga lokali"
TIRANË- Lejla Shahu banon në të njëjtin pallat ku gjendet edhe lokali "Living Room". Vetëm një mur e ndan apartamentin e saj nga lokali. Thuajse çdo natë të javës ajo qëndron zgjuar deri në orët e para të mëngjesit, kur pushon muzika. Vetëm në atë kohë në këtë zonë bie qetësia dhe mund të flihet pak. Orët e gjumit të natës mundohet t'i bëjë ditën, por nuk është e njëjta gjë. Veç muzikës me zë të lartë ajo thotë se shumë shqetësuese janë edhe zhurmat e makinave.
Ju jetoni në të njëjtin pallat ku ndodhet edhe lokali "Living Room". A ju shqetëson muzika që luhet aty?
Muzika aty fillon rreth orës 23:00 dhe nuk mbaron deri sa zbardh dita. Kulmi është të premten dhe të shtunën. Këto ditë është më mirë që të mos jesh në shtëpi se të ikën mendja. Po sikur të ishte vetëm muzika e lokaleve. Ne po na çmendin edhe makinat qe parkohen këtu poshtë. Këta klientët kur dalin sikur të mos mjaftonte zhurma që bëjnë brenda lokalit fillojnë të bërtasin, shpesh herë edhe me një fjalor të pahijshëm. Këta janë njëra pjesë. Nga ana tjetër janë shoferët e taksive të cilët vënë muzikë për qejfin e tyre. I lënë hapur dyert e tyre dhe ngrenë edhe ata muzikën në kupë të qiellit. Jeta këtu është bërë një ferr i vërtetë. Ata banorë që kanë mundësi kanë izoluar shtëpitë e tyre, ne të tjerët që nuk kemi jemi të detyruar të jetojmë në këtë gjendje.
Si arrini të flini gjumë mes kësaj zhurme?
Unë jam pa punë dhe arrij të pushoj pak gjatë ditës. Nuk di se si do t'ia bëja po të isha në punë.
A jeni ankuar diku për këtë gjendje?
Kemi bërë disa herë peticion në Bashki po nuk ka ndodhur asgjë. Muzika vazhdon njësoj si gjithmonë. Ankesat tona kanë vajtur në vesh të shurdhër. Askush nuk ka lëvizur për të zgjidhur situatën. Kështu që ne jemi mësuar me këtë situatë, nuk kemi çfarë të bëjmë se jemi dhe të pa fuqishëm për të zgjidhur problemin që kemi.
"Ti ankohesh pronari i lokalit shkon dhe i rregullon gjërat duke dhënë ryshfet apo ne ndonjë mënyrë tjetër"
"Muzika dhe të sharat e "Living Room" nuk durohen"
Janë të shumtë banorët që nuk pranojnë të denoncojnë publikisht problemin që kanë me lokalet e natës, për shkak të frikës nga pronaret e tyre. "Jetojmë në një vend ku dikush të vret vetëm sepse e pe vëngër, e jo më sepse po i kërcënon biznesin" apo" nuk mund të flas sepse jam familjar" janë fjali që i dëgjohen shpesh nga banorët që nuk duan të identifikohen për shkak të problemeve që mund t'u lindin me pronarët e lokaleve. Edhe zotëria që ndan shqetësimin me "Shekullin" për të njëjtat arsye nuk dëshiron të bëjë publik emrin e tij.
Zotëri ju banoni pranë një lokali nate. Cili është shqetësimi juaj?
Muzika, muzika dhe vetëm muzika. Ajo është më shqetësuesja. Nuk po arrijmë të bëjmë dot gjumin rehat. Deri në pesë të mëngjesit kjo histori është. Muzika është njëra pjesë e problemit. Ne edhe në orën katër të mëngjesit çfarë nuk dëgjojmë, sherre dhe të shara pa fund. Një natë kishin dalë disa njerëz nga lokali, me sa duket ishin të pirë dhe po flisnin me një fjalor shumë të pisët. Ne kemi edhe fëmijë në shtëpi, të cilët i dëgjojnë fjalët e rënda..
Jeni drejtuar tek organet kompetente?
U jemi drejtuar institucioneve përgjegjëse, si Policisë së rendit dhe asaj Bashkiake por ata na hedhin tek njeri-tjetri dhe gjendja mbetet përsëri e njëjtë. S'ka se si të bëhet ndryshe, ti ankohesh pronari i lokalit shkon dhe i rregullon gjërat duke dhënë ryshfet apo ne ndonjë mënyrë tjetër. Është e pa tolerueshme kjo.