E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Duka baltë Tiranës për pazaret e Kombëtares”

 

Leonard Karaj

Armand Duka është personi që fshihet pas basteve dhe dyshimeve për trukime ndeshjesh. Deklarata vjen nga Nr.1 i KF Tiranës, Refik Halili, i cili thekson se pas hetimit që ka nisur UEFA për ndeshjen Stabaek-Tirana e Kupës së Kampioneve është pikërisht, presidenti i federatës Shqiptare të Futbollit. "Nuk kam as dyshimin më të vogël se pas gjithë kësaj mjegullnaje dhe meseleje është ai, Armand Duka. Normalisht Duka nuk ka gjë me Tiranën, si klub. Nuk ka shansin që të ketë me Tiranën, por kjo është një luftë e hapur e tij ndaj meje personalisht. Unë kam qenë jam dhe do jem një zë i fortë kundër çfarëdolloj padrejtësie dhe korrupsioni që ka bërë Armand Duka në kurriz të futbollit shqiptar dhe këtë gjë do ta denoncoj sa herë që të më jepet rasti", ka pohuar presidenti i Tiranës, Refik Halili.
Kombëtarja
Sipas presidentit bardheblu, kreu i FSHF-së baltos KF Tiranën, për të fshehur gjithë pazaret që ka bërë gjatë kësaj kohe me Kombëtaren shqiptare. "Duka ka iniciuar këtë hetim vetëm e vetëm që të largojë vëmendjen dhe të fshehë të gjitha pazaret që ai ka bërë në dëm të futbollit shqiptar me Kombëtaren. Le të përmendim këtu ndeshjen në Rumani (6-1), ndeshjet Shpresave, etj. Për çfarëdo rasti që do të kemi mundësi do ta denoncoj në organet e prokurorisë. Madje theksoj se në rast se ky njëri (Armand Duka) do të mendojë të rikandidojë sërish si president i Federatës Shqiptare të Futbollit unë do të angazhohem personalisht dhe do të nxjerr në mediat përditë falte që implikojnë Dukën me afera korruptive që ai ka bërë gjatë këtyre viteve në drejtim të federatës së futbollit", ka vazhduar Halili.   
Tirana
Klubi bardheblu është në listën e ndeshjeve të dyshuar për trukim porsa i përket përballjes së dytë të Kupës e Kampioneve ndaj Stabaek në Norvegji (4-0). Përsa më sipër presidenti bardheblu ka mbajtur një qëndrim të njëllojtë me kryesinë e klubit, kur ka theksuar se është gati të vihet në dispozicion të UEFA-s për çfarëdolloj dokumentacioni që ajo kërkon lidhur me këtë takim. "Nuk kemi asnjë problem me UEFA-n. Në rast se do të na kërkojë dokumentacion do të vihemi në dispozicion pasi jemi ne të parët që dëshirojmë që të zbardhet sa më parë e vërteta. Një gjë është e sigurt se gjatë gjithë historisë së klubit të Tiranës nuk është përmendur ndonjëherë kjo skuadër për trukime, ndaj na lind e drejta të dyshojmë se edhe ky hetim ka ardhur direkt nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe jo nga UEFA. Gjithsesi ne do të kërkojmë direkt nga ky organizëm shpjegime mbi hetimin", ka përfunduar presidenti i Tiranës, Refik Halili.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›