E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS: Topi të zgjidhë krizën, Berisha si në ‘97

BLEDAR HOTI 

Grupi parlamentar i PS-së dënon ashpër sulmet e kryeministrit ndaj Edi Ramës dhe i kërkon zyrtarisht presidentit Bamir Topi të garantojë transparencën e votës së lirë.
Një ditë pas ashpërsimit të qëndrimeve politike, socialistët mblodhën grupin e tyre parlamentar, për të analizuar veprimet e mëtejshme si forcë opozitare. Të majtët pas diskutimeve kanë hartuar një deklaratë ku theksohej vendosmëria për t’i shkuar deri në fund hapjes së kutive të votimit. Deputetët socialistë shprehen se “Dënojmë me indinjatë të thellë gjuhën e krimit dhe të urrejtjes, e cila shpalos konceptin që Kryeministri i vendit ka për Kuvendin, duke shpërfytyruar foltoren më të lartë të përfaqësimit të popullit, e duke e kthyer Kuvendin e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant të BE-së në një poligon për eliminimin e opozitës dhe si pronë e klaneve qeveritaro-mafioze me kryeministrin në krye”. “Hedhim poshtë me vendosmëri të gjitha kërcënimet dhe shpifjet, harbutërinë e shfrenuar ndaj Kryetarit të PS, deputetëve dhe familjeve të tyre, kërcënimet ndaj mediave, biznesit dhe institucioneve të pavarura. Denoncojmë tentativat ogurzeza të Sali Berishës për ta vënë përfundimisht qeverisjen përballë me të qeverisurit, për të nxitur urrejtje dhe provokuar ndarje të forta partiake, krahinore dhe midis grupeve të militantëve, duke tentuar ta çojë vendin drejt përshkallëzimit të një konflikti me pasoja të paparashikueshme”, thuhet në deklaratë. Të majtët shprehen se “e paralajmërojmë kryeministrin të heqë dorë njëherë dhe mirë nga gjuha dhe skenarët e vitit 1997, përndryshe do të mbajë jo vetëm përgjegjësi historike, por edhe përgjegjësi ligjore deri në fund”. Për herë të parë socialistët i janë drejtuar publikisht kreut të shtetit, për të ndërhyrë në këtë situatë politike të krijuar. “Kërkojmë nga presidenti dhe të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, që të garantojnë për shqiptarët e të gjitha përkatësive politike transparencën e plotë të procesit zgjedhor, për t’u dhënë fund manipulimeve mafioze të zgjedhjeve në Shqipëri”, thuhet në deklaratë. Ndërsa kanë bërë të ditur se në të tilla kushte nuk do të jenë pjesë e parlamenti. “Shprehim edhe njëherë vendosmërinë dhe bindjen në drejtësinë e vendimit tonë: Për të vazhduar veprimin tonë politik për transparencë të procesit zgjedhor, deri në plotësimin e kushteve thellësisht demokratike dhe ligjore të paraqitura nga ne Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese; Për të refuzuar të jemi pjesë e këtij Kuvendi, për sa kohë që vepron nën diktatin e interesave të paligjshme të familjes së Sali Berishës”, thuhet në deklaratë e lëshuar pas mbledhjes së grupit. Deputetët e partisë më të madhe opozitare kanë marrë vendimin për të vazhduar protestat për realizmin e kërkesave të tyre për hapjen e kutive të votimit. Socialistët pas protestës tre ditore i vendosën si ultimatum afat 10 ditor deri në marrjen e vendimit nga ana e maxhorancës për pranimin e kërkesës së hapjes së kutive të votimit. Me datën 5 dhjetor opozita ka paralajmëruar mitingun e radhës, si dhe kryerjen e një forme të re proteste, atë mos bindjes civile, duke refuzuar shërbimet për qytetarët nga ato bashki dhe komuna që drejtohen nga të majtët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›