Edi Rama: Nuk i njohim zgjedhjet
“Partia Socialiste nuk i shet zgjedhjet e grabitura”. Kjo ishte deklarata e kreut socialist Edi Rama pas takimit që zhvilloi dje në selinë rozë me zv/presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE dhe kryetar i delegacionit monitorues të kësaj asambleje, Wofgang Grossruck. Në takimin në Partinë Socialiste ku morën pjesë sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, si dhe deputetët Damian Gjiknuri e Ditmir Bushati, Grossruck është njohur me qëndrimin e PS për zgjedhjet e 28 qershorit. Në daljen e tij të parë publike që pas Asamblesë Kombëtare, kreu socialist përsëriti vendimin e marrë nga kjo asamble se nuk do të njohë zgjedhjet dhe rezultatin e tyre për shkak të manipulimeve të bëra në to. “Ishte një takim ku u dëshirua dëgjimi i pikëpamjes tonë. Pikëpamja jonë është e qartë, ne nuk i shesim zgjedhjet e grabitura të 28 qershorit. Nuk do të tërhiqemi pa e zbardhur deri në fund krimin elektoral të 28 qershorit. Për ne rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe i gjithë aksioni ynë politik do të jetë i fokusuar në betejën për të mos lejuar që deformimi i rëndë i 28 qershorit të kthehet në bazë për një ecuri normale të një jete politike, e cila tanimë është e kushtëzuar nga domosdoshmëria për të vënë në vend dinjitetin e votës dhe të votuesve shqiptarë, të cilët nuk e panë rezultatin e votës së tyre të shprehur si funksion i një procesi të lirë dhe të ndershëm nga fillimi deri në fund”, u shpreh Rama. Kreu socialist e cilësoi deklaratën e përfaqësuesit të lartë të OSBE-së se zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat e bëra në Shqipëri, si personale. “Është një deklaratë thjesht personale, për të cilën unë nuk kam asnjë koment. Ajo që unë dëshiroj të theksoj është se ne jemi jo vetë të informuar, por edhe plotësisht të vetëdijshëm për gjithçka ka ndodhur, siç janë të vetëdijshëm të gjithë shqiptaret e shqiptarët, që nuk duan të jetojnë në një skemë të mbyllur, ku populli voton dhe pushteti numëron. Por, duan të jetojnë në një vend të lirë demokratik, ku pushteti është rezultat i vullnetit të pacenuar dhe të pacenueshëm të popullit që voton”, u shpreh Rama. Për kreun socialist zgjedhjet e parakohshme mbeten objektivi i vetëm.
“Zgjedhjet e parakohshme janë pa as më të voglin dyshim, një objektiv, që buron jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga duart e një partie në duart e një partie tjetër, por nga një domosdoshmëri jetike për demokracinë në vend, për rivendosjen e asaj baze pa të cilën nuk ka jetë demokratike dhe politike normale. Nuk ka bashkërendim dhe bashkëpunim mes palëve politike, nuk ka dialog dhe nuk ka shanse për të realizuar ato konsensuse që i duhen një shoqërie demokratike dhe një vendi që ka gjithë këto sfida dhe objektiva siç është vendi ynë. Për këtë arsye, ne jemi absolutisht të bindur se misioni ynë, sot si opozitë është në radhë të parë të mbrojmë demokracinë e kërcënuar. E kërcënuar për të gjithë ata që sot pas zgjedhjeve janë vënë në shënjestrën e pushtetit, si sipërmarrës, media, qytetarë, që për shkak të bindjeve të tyre dhe për shkak të qëndrimeve të tyre gjatë fushatës dhe në 28 qershor, goditen sot, por edhe ato familje shqiptare pavarësisht bindjeve të tyre, që sot po e shohin qartë dhe do ta shohin edhe do ta ndiejnë përditë e më qartë, se kjo krizë e gjithanshme është në fund të fundit një krizë, që ndikon drejtpërdrejtë edhe në cilësinë e jetës së tyre”, u shpreh Rama.