OSBE: Zgjedhjet më të mira se ‘05
BLEDAR HOTI
Zgjedhjet e 28 qershorit ishin më të mirat që janë realizuar ndonjëherë në Shqipëri. Ky është qëndrimi i zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, pas takimeve që ka pasur gjatë ditës së djeshme me përfaqësues të Tiranës zyrtare dhe me faktorin politik shqiptar. “Jemi të kënaqur nga zgjedhjet, pasi ka pasur përmirësime dhe në përgjithësi ne mund të themi se këto janë zgjedhjet më të mira të zhvilluara në vend. Megjithatë, ka ende nevojë për të punuar dhe akoma edhe më tepër për të bërë. Unë ftoj politikën shqiptare që të bashkëpunojë në të mirë të vendit”, tha Gossruck. Përfaqësuesi i lartë i OSBE-së ka vënë theksin se këto votime kanë qenë më të mira se në vitin 2005, të cilat mbahen edhe si një rritje të standardeve ndërkombëtare. “Përgjithësisht më duhet të konfirmoj se ishin zgjedhjet më të mira, por duhet të punoni çdo ditë për përmirësimin e zgjedhjeve të ardhshme. Unë nuk isha këtu në vitin 2005, pasi në Uashington mbahej Asambleja e OSBE-së, por kolegët e mi që kanë qenë vëzhgues atëherë më kanë bërë të ditur se nuk mund të krahasohen këto zgjedhje me ato të mbajtura katër vjet më parë, pasi procesi i 28 qershori ishte shumë më i mirë dhe profesional. Gjithashtu edhe Kodi i ri Elektoral përsa i përket transparencës dhe elementëve të tjerë ishte shumë më i mirë”, deklaroi Grossruck. Ai në takimet zyrtare shprehu kënaqësinë që zgjedhjet ishin të mira dhe pa tensione dhe se u konstatuan vetëm disa problem teknike. Grossruck u shpreh se raporti i OSBE/ODIHR, i cili do të dalë më vonë, do të përmbajë natyrisht rekomandime për përmirësimin e këtyre problemeve dhe ftoi autoritetet shqiptare t’i merrnin ato në shqyrtim. Përpara publikimit të raportit final të ODIHIR-it, përfaqësuesi i Asamblesë së OSBE-së dha disa vlerësime pozitive mbi ecurinë e zgjedhjeve, por që në të njëjtën kohë përmendi edhe disa probleme teknike që duhet të përmirësohen në të ardhmen nga klasa politike, si nga maxhoranca dhe opozita. “Për sa i përket zgjedhjeve në fund të shtatorit, do të publikohet edhe raporti ynë për këtë proces”, shprehet Grossruck. Zyrtari i lartë në këto takime që zhvilloi me kryeministrin, kryetaren e Parlamentit, liderin e PS-së, shoqërohej nga ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch. Zv/presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, austriaku Volfgang Grosruk u caktua nga kryesia e OSBE-së si koordinator special i ekipit të përkohshëm të vëzhguesve të OSBE-së në Shqipëri. Ai erdhi në Shqipëri pas konfliktit që qeveria shqiptare pati me kreun e misionit vëzhgues të ODIHR-OSBE-së, Audrey Glover. Kryeministri Berisha pati shprehur rezerva për caktimin e ambasadores si drejtuese të misionit, duke bërë pas disa javësh të caktohet një përfaqësues i OSBE-së për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve, përpos Gloverit. Zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri u konsideruan si shumë të rëndësishme për rrugën e vendit tonë drejt integrimit në Bashkimin Europian. Ato shihen si test për procesin e integrimit, pasi qeveria shqiptare ka paraqitur zyrtarisht më 28 prill të këtij vit kërkesën zyrtare të anëtarësimit në BE. Raporti përfundimtar i ODIHR-it pritet të ndikojë edhe në vlerësimet e organizmave të tjerë ndërkombëtarë, si Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Komisioni Evropian. Pas daljes së raportit përfundimtar, Këshilli i Evropës pritet të japë vlerësimet e tij në lidhje me plotësimin e standardeve ndërkombëtare në zgjedhjet e 28 qershorit.