E Diel, 1 Nëntor 2026

Duka gol Berishës, Topi ndërkombëtarizon topin

Ndërhyrja e Presidentit të Republikës, Bamir Topi në "fushën e futbollit", duket se prodhoi edhe fundin e një konflikti 3-vjecar midis shtetit shqiptar dhe shoqatës "Federata Shqiptare e Futbollit", pasoja e të cilit ishte edhe pezullimi ndërkombëtar i Shqipërisë nga FIFA e UEFA për shkak të ndërhyrjes së rëndë politike.
Ministri përgjegjës për Sportet, Ylli Pango (i dyti në qeverinë Berisha) pranoi gjatë një konference shtypi se do të firmoste nenin problematik (60) të statutit sipas variantit që do t'i sillte atij institucioni i drejtuar nga Armand Duka. Bosi i FSHF-së nga pozicioni i mbrojtësit, tashmë, ndodhet në një status të ri, atë të golashënuesit ndaj portës qeveritare.
"Presidenti (Topi) ka kuptuar shumë qartë, që ky nen (60) është ndryshuar se është kundër ligjeve. Ai ka dhënë një sugjerim dhe ne presim që ai të merret në parasysh nga FSHF-ja. Le të më vijë ky nen i statutit të ndryshuar si të duan ata (FSHF)", - tha Pango, i cili gjatë firmosjes së statutit shtoi togfjalëshin "sipas legjislacionit shqiptar".
"Sugjerimi i presidentit kerkon te merret si shembull ligji italian, francez, apo ndonjë tjetër dhe ky nen të jetë sipas një vendi të zhvilluar europian, pasi nuk ekziston ky nen në asnjë statut të ndonjë federate që është pjesë e UEFA-s", - sqaron minisri.
"Jo më larg se dje (të hënën) jam takuar me këshilltar të presidentit dhe kemi rënë dakord. Pres që zoti Duka të bëjë këtë (shkrimin e nenit) dhe është e mbaruar cështja".
Por, nëse dy pikat nga tre pikat e kërkuara nga FIFA e UEFA, ato të statutit dhe cështja e shitjeve të ndeshjeve me Bjellorusinë e Rumaninë, pika e tretë, ajo e kontrollit financiar është ende e nxehtë.
Ministri Pango deklaroi se ajo nuk i përket institucionit të tij, por Ministrisë së Financave. Drejtoria e Përgjithshme e Auditit e ka përfunduar tashmë auditin dhe pjesë të tij janë publikuar në disa media shqiptare, përfshirë edhe gazetën "Rilindja Demokratike", gazetë e Partisë Demokratike.
Shqipëria ka afat deri në muajin maj, kohe kur mblidhet edhe Kongresi i UEFA-s për të shpëtuar nga pezullimi, por zhvillimet e fundit duket se do ta rikthejnë sërish vendin tonë në arenën ndërkombëtare për të luajtur miqësoren me Poloninë (27 maj), pasi më parë kishte humbur miqësoret me Arabinë Saudite (21 mars) dhe Moldavinë (26 mars).
Sido që të përfundojë telenovela më e gjatë e futbollit shqiptar, fituesi i madh nuk është as kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe as presidenti i Republikës, Bamir Topi në rolin e mediatorit, por topi shqiptar, i cliruar një herë e mirë e përgjithmonë nga ndikimi politik, që her merr ngjyra blu (të djathta) dhe her të kuqe (të majta).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›