Erikson: “Më bëni dhuratë Ronaldinjon!”

Trajneri Sven-Goran Erikson pranoi se ai dëshiron që pronari i Mancester Sitit, Taksin Shinavatra të blejë Ronaldinjon gjatë merkatos së verës. Sulmuesi brazilian, aktualisht i dëmtuar, mund të lërë Barcelonë gjatë verës dhe vëllai i tij, njëherësh edhe në rolin e menaxherit Roberto de Assis u pa të hynte në stadiumin e Mancester Sitit pranë drejtuesve të klubit në humbjen 2-0 me Celsin. "Është hera e parë që unë e dëgjoj një gjë të tillë, kështu që unë shpresoj se do të jetë e vërtetë", - tha Erikson për sportinglife.com. "Ne do të ishim të aftë të gjenim një vend për të në ekip, unë mund ta garantoj këtë. Unë do të flas në telefon me pronarët. Ishte një surprizë, por nëse ata dëshirojnë të ma bëjnë dhuratë Ronaldinjon për mua, unë do ta pranoja dhe do të isha shumë i lumtur". Erikson ka kohë edhe për një batutë: "Unë do të isha i lumtur të merrnim edhe Kakanë në të njëjtën kohë". Për Ronaldinjon luftojnë edhe Milani, Celsi e Interi.