E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka i qetë: Tani ka dëshirë për zgjidhje

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, e vlerësoi me nota pozitive takimin me përfaqësuesit e shtatë skuadrave të Kategorisë Superiore. Ai i ka dhënë të drejtë klubeve që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme të problemit, por ka pretenduar edhe bashkëpunim. "Vendimet e FIFA-s dhe UEFA-s për të pezulluar Shqipërinë janë një shqetësim i përbashkët i futbollit shqiptar. E cilësoj si një hap mjaft pozitiv takimin e sotëm (djeshëm), pasi aty u arrit diçka", tha Duka. "Ndodhemi në një moment tejet delikat që kërkon vëmendje dhe gjakftohtësi nga të gjithë aktorët. Mendoj se klubet i kanë bërë këto ultimatume për të mbrojtur investimet e tyre dhe është më se normale që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, por për të arritur deri aty duhet të bashkëpunojmë".

Iniciatorë të bojkotit ishin 50 për qind e klubeve elitare (Tirana, Partizani, Besa, Shkumbini, Elbasani e Vllaznia), të cilët pretendonin nga FSHF-ja zgjidhje të konfliktit me Ministrinë e Sporteve. Pas takimit të dështuar ndërmjet presidentit të federatës dhe ministrit Pango, gjashtë drejtuesit arritën të siguronin edhe mbështetjen e 15 klubeve të tjera, madje duke pretenduar Asamble të Jashtëzakonshme. "Fillimisht të gjithë kërkonin bojkot, ndërsa në këto momente ekziston dëshira për të bashkëpunuar dhe gjetur një zgjidhje të problemit, theksoi Duka. Në takimin që përfaqësuesit e shtatë klubeve të Kategorisë Superiore zhvilluan me Komitetin Ekzekutiv (të FSHF-së) u arrit marrëveshja. Ata do të drejtohen edhe në ministri (MTKRS) për t‘i kërkuar sqarimet e duhura z.Pango". Gjithsesi mbetet kërkesa për Asamble, e cila pritet të mos miratohet nga FIFA. Drejtuesi më i lartë i futbollit në vend, tha: "Të enjten e ardhshme Komiteti Ekzekutiv do të takohet me presidentët e 12 klubeve të Superiores. Aty do të diskutojmë rreth Asamblesë, pasi klubet kanë kërkuar që të ndryshojnë nenin ku është bërë ndërhyrje. Kërkesat për Asamble i kisha dëgjuar vetëm nëpërmjet mediave, pasi askush nuk kishte ardhur në zyrat e federatës për ta zyrtarizuar diçka të tillë. Gjërat nuk funksionojnë kështu".

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›