E Diel, 1 Nëntor 2026

"Ngrin" futbolli, pesë ndeshje spostohen me 24 orë

E shtunë 22 mars... një ditë ndryshe nga fundjavë tjetër. Kaosi që mbizotëron në futbollin shqiptar ka ndërprerë lojën më popullore në vend. Pas ultimatumit që gjysma e klubeve elitare i bënë federatës stadiumet janë bosh. Topi rrotullohet vetëm në Lezhë. Por, ajo që të bie në sy është fakti se ende pa u zhvilluar takimi ndërmjet përfaqësuesve të klubeve me Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, të gjithë ishin të bindur se ndeshjet do të shtyheshin vetëm me 24 orë. Në Elbasan, sfida e prapambetur me Skënderbeun nuk u luajt sërish: 60 minuta përpara ndeshjes, presidenti Laze ka zhvilluar një mbledhje me skuadrën, e cila është tërhequr dhe ka filluar të bënte një seancë të lehtë stërvitore. Ndërkohë, këshilli mbikëqyrës i klubit dhe kryebashkiaku Sejdini kanë vendosur se takimi do të luhej me një ditë vonesë. Skuadrat janë akomoduar në hotelet respektive, por edhe gjyqtarët kanë qëndruar në qytet. Tirana udhëton drejt Peqinit, shkon përpara stadiumit, por gjen dyert e kyçura dhe rikthehet në hotel, duke pritur që takimi të luhet sot. Besa dhe Partizani as që e kanë marrë mundimin të udhëtojnë respektivisht drejt Vlorës dhe në Durrësit. Edhe pse Flamurtari e Teuta janë përgatitur për ndeshje, stadiumet kanë mbetur të heshtur. Përfaqësuesit e këtyre dy skuadrave kanë menduar edhe se sipas rregullores e meritojnë fitoren në tavolinë. Por, nëse vlonjatët kanë qenë disi më të përmbajtur (nga FSHF-ja i kanë lajmëruar se takimi ishte shtyrë për një ditë) e njëjta gjë nuk mund të thuhet për trajnerin e "Djemve të Detit", Kiço Mile. "Do të kërkojmë tri pikët në tavolinë për mosparaqitjen e Partizanit, tha ai. Gjithsesi, edhe nëse nuk do të na i japin në tavolinë, pikët do t‘i marrim në fushën e lojës". Në takimin e fundit të kësaj jave, atë ndërmjet Kastriotit dhe Vllaznisë, asnjë nga dy skuadrat nuk ka udhëtuar drejt Kavajës, ku 90 minutëshi do të luhej në fushë asnjanëse. Të pranishëm ishin vetëm katër gjyqtarët dhe vëzhguesi i ndeshjes, të cilët më pas kanë marrë urdhrin për t‘u larguar. "Takimi do të luhet të dielën", ishte komunikimi i radhës nga zyrat e institucionit që drejton futbollin.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›