E Shtunë, 31 Tetor 2026

"G-7" bën prapaktheu, sot në fushë

Zgjidhet përkohësisht kriza në futbollin shqiptar. Klubet "rebele" kanë pranuar që të heqin dorë nga bojkoti i ndeshjeve të javës së 24-ërt të Superiores, duke konfirmuar se sot do të zbresin rregullisht në fushën e lojës. Përfaqësuesit e Vllaznisë, Tiranës, Partizanit, Elbasanit, Besës, Shkumbinit dhe Kastriotit janë takuar me Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së, ku kanë diskutuar rreth përjashtimit të Shqipërisë nga FIFA dhe UEFA. Pas më shumë se tri orësh diskutime, është arritur në konkluzionin se skuadrat duhej të zbrisnin rregullisht në fushë, ndërsa gjatë javës do të organizohej një takim tjetër mes drejtuesve të klubeve të Superiores, Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së dhe ministrit Pango. Gjatë javës do të diskutohet edhe kërkesa për Asamble të Jashtëzakonshme, pasi më parë këto klube duhet të paraqesin listën me firmat e konfirmuara të përfaqësuesve të klubeve.

Drejtuesit e shtatë klubeve bënë të ditur që në fillimin e javës se do të bojkotonin ndeshjet e kampionatit, ashtu siç ndodhi realisht gjatë ditës së djeshme. Ndonëse FSHF kishte bërë të ditur se nuk do të toleronte mosparaqitjet, drejtuesit e këtij institucioni kanë shprehur gatishmërinë që të uleshin në bisedime me të ashtuquajturin grupi "G-7". Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u ka bërë të qartë klubeve se zgjidhja e situatës nuk ishte në dorën e tij, pasi përjashtimi kishte ardhur pas ndërhyrjes së MTKRS-së. Ai i kërkoi klubeve që të ruanin këtë autonomi dhe të mos vazhdonin bojkotin e kampionatit, pasi situata do të përkeqësohej edhe më shumë. Klubet kanë kërkuar mbledhjen e Asamblesë së Jashtëzakonshme, për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të statusit të FSHF-së sipas kërkesave të MTKRS-së. Në këtë pikë, drejtuesit e Komitetit Ekzekutiv kanë bërë të qartë se në rast të depozitimit të 22 firmave, një mbledhje e tillë do të interpretohej si e paligjshme nga FIFA dhe UEFA, pasi do të cilësohej si shkak i ndërhyrjeve politike. Si përfundim, u caktua një tjetër mbledhje në mesjavë, ku 12 klubet e Superiores do të takoheshin përsëri me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv dhe më pas do të kërkonin edhe një takim me ministrin Pango, për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit që po mban peng futbollin në vendin tonë.

Një gjë të tillë e konfirmoi edhe presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, një nga iniciatorët e bojkotit të kampionatit. "Ndeshjet do të luhen normalisht nesër (sot). Të enjten kemi një takim tjetër ku do të marrin pjesë të gjithë presidentët e Superiores dhe ku do të kërkojmë të dimë të vërtetën. Do të flasim edhe me MTKRS, pasi në këtë konflikt nuk është vetëm federata", u shpreh ai. Ndërkohë, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka kërkuar që takimi i skuadrës së tij me Flamurtarin të shtyhej për ditën e mërkurë, pasi disa prej lojtarëve ishin lënë pushim për shkak se mendohej që këtë javë nuk do të luhej futboll.

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›