E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka u shpall luftë fenomeneve negative në futboll

Federata Shqiptare e Futbollit ka mbledhur sot Asamblenë e Zakonshme Vjetore, e cila do të marrë disa nga vendimet kryesore për futbollin shqiptar për periudhën e ardhshme. Në fjalën e tij,presidenti i FSHF-së Armando Duka theksoi se do të zhvillohet luftë pa kompromis për fenomenet negative në futbollin shqiptar. “Askush që cënon lojën e futbollit nuk do t'i shpërtojë rregullave strikte. Rruga e mashtrimit është shumë e shkurtër” tha ai. Kreu i Federatës deklaroi se është shpallur luftë e hapur ndaj fenomeneve negative në këtë sport, duke kërkuar nga të gjithë kontribut për mbrojtjen e futbollit. Duka kërkoi marrjen e vendimeve të përbashkëta në të mirë të sportit të futbollit. Ai theksoi se deri më sot nuk janë sjellë fakte të forta që vërtetojnë dyshimet për fiksime rezultatesh, ndërsa foli për arritjet e deritanishme në infrastrukturën e stadiumeve. "Janë vendosur impiante ndricimi në 6 stadiume. Shembull pozitiv është rikonstruksioni i stadiumit të Laçit", tha Duka. Gjatë punimeve në Asamblenë e sotme pritet të bëhet miratimi i raportit financiar, teksa pritet që FSHF të ketë një buxhet afro 5 milionë euro për vitin që vjen. Asambleja pritet të ketë debate të zjarrta, kjo edhe për shkak të situatës së krijuar në kampionat. Klubet i kanë shfrytëzuar gjithnjë mbledhje të tilla për të shprehur hapur akuzat ndaj njëri-tjetrit, sidomos duke parë ndasitë e krijuara në dy edicionet e fundit të kampionatit. Në Asamble mori pjese edhe i dërguari i UEFA-s, një nga zyrtarët më të lartë të saj, Theodhori Theodhoridhu.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›