Portieri Moçka në reanimacion Shefi i policisë: Provokoi vetë
Presidenti i ekipit të flamurtarit Shpëtim Gjika ka vizituar ditën e sotme Shpëtim Moçkën portierin e ekipit Flamurtari që u dëmtua pas hedhjes së sendeve të forta në stadiumin e Laçit. Prej ditës së djeshme, portieri i Flamurtarit gjendet i shtruar në reanimacionin e spitalit rajonal, nën kujdesin e mjekëve. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Gjika, njëkohësisht president i Flamurtarit ka dënuar aktet e dhunës, të cilat vijnë të përsëritura për ekipin e Vlorës, përgjegjësi kjo direkt e Ridvan Bodes dhe mbështetësve të tij, që po synon tashmë të instrumentalizojë politikisht edhe futbollin. “Futbolli po përdoret politikisht, çka u vërejt dje në stadiumin e Laçit, a thua se futbollistat tanë kishin shkuar për fushatë elektorale. Edhe sportin duan ta politizojnë. Këto janë akte kriminale të një qeverie në ikje. Duhet të hapen hetimet për këtë ngjarje, ndërsa organet kompetente duhet të marrin masa.”
Ndërkohë, Sipas mjekut reanimator Pëllumb Kulla gjendja shëndetësore e Shpëtim Moçkës paraqitet e përmirësuar, por gjithësesi do të mbahet në vëzhgim. Ai tha se Moçka kishte patur probleme me dëgjimin, si dhe ekuilibrin. "Ka një plagë në kokë me një hematomë. Hemoragjia është e pushuar, por i sëmuri nuk mban mend rrethanat e ngjarjes. Ka ende probleme, sepse ka një ulje të dëgjimit në veshin e djathtë", thotë mjeku. Prej ditës së djeshme, portieri i Flamurtarit ndodhet në repartin e reanimacionit. Ngjarja e ndodhur të hënën në stadiumin e Laçit, ka ngjallur edhe zemëratë në opinionin publik vlonjat. Ditën e nesërme, pikërisht gjatë kohës kur do të mblidhet Komisioni Disiplinor i FSHF, tifozët kuqezi do të protestojnë para stadiumit “Flamurtari”.
Policia: Faji ishte i portierit!
Ndryshe mendon organi kompetent, nga i cili pritej një reagim i ashpër. Edhe pse incidenti ishte i rëndë dhe i dënueshëm gjatë të hënës pasdite, shefi i komisariatit të Kurbinit nuk ka fajesuar aspak tifozet e Laçit, ne lidhje me incidentin, por portierin e dëmtuar. Shefi i komisiariatit përpiqet te minimizoje aktin e rende duke deklaruar se “incidenti ishte i provokuar nga vetë portieri”. Sipas numrit një të policisë në Laç, pas ndeshjes “policia ka arritur të neutralizojë një konflikt që mund të kishte rezultuar fatal” ndërsa deklaron se asnjë pjesëar i ekipit të Flamurtarit, nuk ka bërë denoncim në lidhje me situatën. Autobusi i skuadrës së Flamurtarit u sulmua me gurë pas ndeshjes. Numri një i bluve ne Laç, thotë se “është identifikuar autori i thyerjes së xhamit të autobusit të ekipit të Vlorës”.
Laska: Flamurtari kërkoi ta blinte Laçin!
Në Laç askush nuk beson se ngjarja e së hënës, ku u godit në kokë portieri i Flamurtarit nga një send i fortë i hedhur nga tifozët pas portës vlonjate, ka qenë një akt i bërë nga krubinasit, porse ka qenë gjithçka një montaturë e miqve. Presidenti i Laçit, Pashk Laska, ka dalë në një konferencë për shtyp mjaftë i indinjuar. “Nuk kisha ndërmend të reagoj për asnj moment ndaj Gjikës dhe as Flamurtarit, pasi kemi kaluar vazhdimisht mirë me njëri-tjetrin. Ngjarja e fundit, sajesat e paqena dhe balta e hedhur mbi ekipin tim, mbi bashkëqytetarët e mi e mbi mua , nuk është gjë tjetër përveçse një shpifje. Unë e prisja që ndeshja të ishte e fortë, pasi gjatë gjithë javës kam patur telefonata që unë t’i lija ndeshjen ekipit të Flamurtarit. Po kështu, Gugash Magani, më ka thënë të japë fletën e bardhë e vendos numrin me sa zero të doja, por nuk kam pranuar, pasi Laçi nuk mundët të blihet dhe as nuk mundë të shitet. Jam i hapur për të bashkëpunuar me organet e prokurorisë, të zbardhë telefonatat e të veproj në mënyrë të paanshme. I vetmi mëkat që kemi bërë është se nuk fituam ndeshjen dhe këtë e arriti Shpëtim Gjika, duke ulur vrullin tonë, me inskenimin e dëmtimit të Moçkës,” ka përfunduar Laska.