Duka zgjedh: Holandezi Ari Haan drejt bankinës kuqezi

Nga drejtimi i Samuel Eto-së te Edmond Kapllani, nga "luanët" e Kamerunit, te "shqiponjat" e Shqipërisë. Nuk ka më asnjë dyshim. Pasuesi i kroatit 75-vjecar Oto Baric do të jetë holandezi 59-vjecar Ari Han.
KOMITETI- Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka preferon ish-trajnerin e Kinës, ndërkohë që do të jetë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, që brenda kësaj jave do të konfirmojë zyrtarisht edhe emrin e trajnerit të 19-të që do të drejtojë Shqipërinë dhe të katërtin rresht të huaj, pas italianit Xhuzepe Dosena, gjermanit Hans Peter Brigel dhe kroatit Oto Baric. Duka zhvilloi një serë takimesh në kryeqytetin austriak, Vienë ku dëgjoi dhe diskutoi edhe mbi platformat dhe projekteve të kandidatëve potencialë.
PREFERENCA - "Brenda dy-tri ditëve do të vendosim për një nga dy kandidaturat për trajner të ekipit Kombëtar, Ari Han dhe Hans Krankëll", - pohoi bosi i FSHF-së, që shfaqi edhe preferencën e tij për holandezin, kjo edhe për eksperiencën e tij më të madhe ndërkombëtare. Ari Haan konsiderohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të shkollës së Ajaksit, së bashku edhe me Johan Krujf në kohën e futbollit total të shpikur nga Rinus Mishels.
EKSPERIENCA - "Janë dy emra shumë të mëdhenj të futbollit, por më shumë eksperiencë trajnimi ka holandezi Ari Haan". Kandidaturat e tjera cilësore (Xhentile, Zenga, Shefer, Sidka, etj.) u larguan pasi u njohën përmes menaxherëve të tyre edhe për shumën e ofruar nga FSHF-ja (jo më shumë se 300 mijë euro për një edicion), ndërkohë që dy kandidaturat e fundit alternative kanë pranuar edhe pagesën modeste të qeverisë së futbollit shqiptar.
KARRIERA - Ari Haan, i njohur edhe si një interpretues i shkëlqyer i futbollit total (ka një eksperiencë 15-vjecare si futbollist profesionist), ka drejtuar 10 skuadra në nivel klubesh (Antverp-Belgjikë; Anderleht-Belgjikë; Shtutgard -Gjermani; Nuremberg-Gjermani; Standard Liezh-Belgjikë; PAOK- Greqi; Omonia-Qipro; Austria Vienë-Austri dhe Persepolis-Iran) si dhe dy skuadra në nivel kombëtares: Kinën dhe Kamerunin. Shqipëria do të jetë eksperienca e tij e tretë.
SAMUEL ETO'O- Kur ka drejtuar "luanët e Afrikës", Kamerunin, në gjirin e skuadrës së të cilës ka qenë edhe sulmuesi më i mirë i Afrikës, Samuel Eto, i cili aktivizohet me Barcelonën. Ish-trajneri i Kinës, nga 21 dhjetori i vitit 2002 deri më 17 nëntor 2004, e mori detyrën e drejtimit të Kamerunit, pikërisht pas gjermanit Vinfrid Shefer, njëherësh edhe një nga kanditurat mediatike më të përfolura për të marrë drejtimin e Shqipërisë. Në fakt, Ari Haan, sipas lajmeve të botuara në median kamerunase, kishte kontratë deri në vitin 2008.