Beker: “Kapllani do të luajë një rol qëndror”

Për Karlsruhen e Edmond Kapllanit, 2007-a ishte i jashtëzakonshëm: kampion i Bundesligës 2 në maj të vitit 2007 dhe vendi i gjashtë në Bundesliga 1 në dhjetor të vitit 2007. Një pjesë të madhe të suksesit, sidomos në pjesën e parë të vitit ka dhe sulmuesi shqiptar, autor i 17 golave në Bundesliga 2 dhe një nga faktorët thelbësore të marshimit të Karlsuhes. Gjatë një interviste të trajnerit Edmund Beker dhënë gazetë lokale gjermane "Pforzheimer Zeitung", Beker flet edhe për zhvillimet e pritshme në merkaton e Karslruhes, ku midis të tjerash përmend edhe repartin e vijës së parë. "Ne kemi në sulm një rritje të potencialit, por padyshim kemi nevojë për një lojtar me përvojë. Nga ana tjetër ne kemi me Frajs dhe Kapllanin, dy lojtarë të rinj të talentuar, të cilët edhe në të ardhmen do të luajnë një rol qëndror". Kapllani ende nuk e ka shënuar golin e parë historik në Bundesligë. Beker pohon se një nga qëllimet e Karslruhes është të arrijë në zonën e Kupës UEFA, pavarësisht se objektivi kryesor është arritja sa më shpejt e kuotës së 40 pikëve, që do të garantonte matematikisht edhe qëndrimin në Bundesligë.