E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhet Franca

Gazeta Shqip

Spanja i eliminon Gjelat dhe gjen Portugalinë në gjysmëfinale.

Kampionët në fuqi kualifikohen, falë fitores 2-0 me dopjetën e Ksabi Alonsos, që shënoi nga një gol për pjesë. Një paraqitje e shëmtuar e francezëve, që nuk e rrezikuan asnjëherë Kasijasin.

Gjithnjë dhe vetëm Spanja: një Francë shumë e shëmtuar për të qenë e vërtetë i dorëzohet furisë së kampionëve në fuqi të botës dhe të Europës, që fitojnë 2-0, duke thyer kështu edhe tabunë.

Superklasikja e Europës, Spanjë-Francë, është luajtur në stadiumin Donbass Arena të Donetskut, që ishte edhe çerekfinalja e tretë e Euro 2012. Të dyja skuadrat ishin shumë të motivuara dhe ambicioze për kalimin e turit. Blank kishte befasuar me vendimin për të hedhur në kahun e djathtë të mbrojtjes Reveiler, ndërsa Debushi luante më i avancuar në mesfushë. Por ashtu i kishte shkundur pluhurin Maludasë për ta aktivizuar në të majtën e mesfushës, ndërsa në qendër luante Kabaje. Trajneri francez e kishte vendosur skuadrën sipas modulit shumë difensiv 4-1-4-1, me Riberi në mbështetje të Benzemasë dhe kishte lënë jashtë Nasri. Për sa i përket Spanjës, Del Boske propozonte sërish vendosjen taktike 4-3-3 të parë kundër Italisë, atë me nëntën false, Fabregas, në vend të Torresit, që ishte akomoduar në pankinë. Spanja nuk e kishte mundur kurrë Francën në kompeticionet zyrtare. Precedenti i fundit datonte në çerekfinalet e Botërorit 2006, kur Bleus përmbysën golin fillestar të Davit Vijas me atë të shënuar nga Riberi, Vieira e Zidane. Ndërsa mbrëmë në Donbass Arena është luajtur një pjesë e parë më shumë histori, përveç asaj të Furive të Kuqe.

Ishte logjike që skuadra e Del Boskes do të menaxhonte lojën dhe 11 francezët do të vendoseshin prapa linjës së topit. Pavarësisht dominimit në planin e qarkullimit të topit, iberikët nuk krijonin shumë raste për gol, përveç një ndërhyrjeje të dyshimtë ndaj Fabregas, ku pretenduan për penallti. Por në minutën e 19 arritën të çajnë mbrojtjen e Blank. Iniesta zbuloi në të majtë Hordi Alban, që e arriti topin me shpejtësi dhe lëshoi një kros të bukur në shtyllën e dytë te Ksabi Alonso, që me një goditje me kokë mposhti portierin Loris. Megjithatë Furitë e Kuqe nuk arrijnë të dyfishojnë rezultatin, dhe Gjelat apatikë dhe pa ide vazhdojnë të mbeten ende në lojë. Në minutën e 33-të në një goditje këndi, Kasijas zotëron me vështirësi topin. Në të 38-n provon Pike, por goditja e tij me kokë është e pasaktë dhe nuk inkuadron kuadratin e portës. Në pjesën e dytë, Franca duket se është më e bindur se duhet të shtyjë përpara dhe provon ta bëjë këtë, por e ka të vështirë të gjejë të çara në mbrojtjen spanjolle. Iberikët vazhdojnë tika-takan e tyre dhe nxjerrin Fabregas para portierit Loris, i cili ka meritën që i hoqi nga këmba topin në momentin e fundit. Blan hedh në fushë Menes e Nasri për të ndryshuar ndonjë gjë, por pa sukses. Përveç një krosi të rrezikshëm të Riberisë, nuk ka shumë raste të tjera. Në minutat e fundit Spanja fiton një 11-metërsh me Santi Kacorlan, që kthehet në golin e 2-0 nga Ksabi Aloso. Ky gol shuan shpresat e francezëve që eliminohen, ndërsa konfirmon kualifikimin në gjysmëfinale, ku i pret Portugalia.

SPANJË-FRANCˠ  2-0

SPANJA (4-3-3)

Iker Kasijas; Alvaro Arbeloa, Zherard Pike, Serxho Ramos, Hordi Alba; Ksavi Hernandez, Serxho Buskets, Ksabi Alonso; David Silva (Pedro Rodriguez 65), Sesk Fabregas (Fernando Torres 67), Andres Iniesta (Santi Kacorla 84)

Tr.: Visente del Boske

FRANCA (4-1-4-1)

Hugo Lloris; Antoni Reveiler, Adil Rami, Laurent Koshielni, Gael Klishi; Jann M´Vila (Olivier Giroud 79); Matijë Debushi (Zheremy Menez 64), Johan Kabaje, Florent Maluda (Samir nasri 65), Frenk Riberi; Karim Benzema

Tr: Loren Blank

Gjyqtar: Nikola Ricoli (Itali)

Shënues: Ksabi Alonso 19′, 90 (11-m)

Kartonat të verdhë: S. Ramos 31′ / Kabaje 42, Menez 76

Shuhet Franca burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›