E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi-Totozani:Të respektohen të drejtat e PAK

Ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht të personave me aftësi të kufizuar.

Duke folur në konferancën me temë “Të drejtat e PAK, pjesë integrale e të drejtave të njeriut”, ambasadori Sequi theksoi se aksesi në shërbime është një e drejtë themelore e personave me aftësi të kufizuar.
 

Sipas tij, Bashkimi Europian ka financuar një sërë projektesh për kategorinë e personave me aftësi të kufizuar ndërsa ka shtuar se Shqipëria si vend aspirant në Bashkimin Europian duhet të respektojë të drejtat e PAK. Gjithashtu ambasadori Sequi ka vlerësuar punën e qeverisë shqiptare për të përmirësuar kuadrin ligjor në ndihmë të kësaj kategorie.


Nga ana e tij, Avokati i Popullit Igli Totozani ka theksuar se Shqipëria ka bërë hapa pozitivë për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara por ato nuk janë të mjaftueshme. Sipas tij, kjo kategori vuan mungesën e shërbimeve shëndetësore si dhe të arsimimit.
 

Ai ka theksuar se legjislacioni në fuqi ka nevojë për plotësime të cilat duhet të bëhen në përputhje me konventën e të drejtave të njeriut. “S`mund të ketë politika afatgjate pa diskutime dhe angazhimin e të gjithë aktorëve. Ne duhet të përpiqemi që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të jenë të garantuar në mënyrë që të realizohet integrimi i plotë i tyre në shoqëri” shtoi Totozani.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›