E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e shet, Rusia s’e jep

Edhe në ministrinë e Jashtme të Serbisë janë habitur me dy hapat diplomatike, që ka ndërmarrë Rusia në drejtim të Shqipërisë për një çështje, të cilën presidenti serb e ka klasifikuar kohët e fundit, si një çështje dypalëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë. Hapi i parë është deklarata e zëdhënësit të MPJ të Rusisë, Aleksandër Lukasheviç, publikuar në 'websaitin' zyrtar të ministrisë se: Idetë nacionaliste të krijimit të "Shqipërisë së Madhe" vijnë në kundërshtim me përpjekjet ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, që synojnë për të forcuar sigurinë në rajon dhe duhet të marrin një përgjigje adekuate nga ana e komunitetit ndërkombëtar. Mbështetja në pretendime të tilla, të bazuara në një logjikë mesjetare, mund të çojë në konsekuenca ekstremisht negative. Hapi i dytë është përçapja diplomatike e ambasadës së Rusisë në Tiranë për të sanksionuar protestën ruse pranë autoriteteve zyrtare të Shqipërisë, duke dorëzuar notë dhe deklaratën e mësipërme të zëdhënësit, si një komunikim zyrtar i Moskës në drejtim të qeverisë së Tiranës. Në këtë mënyrë Rusia e vendos në një profil të lartë dhe i kushton një vëmendje disproporcionale formulës së "Shqipërisë së Madhe", gjë që nuk mund të mos habisë për angazhimin dhe sipërmarrjen zyrtare të diplomacisë dhe të shtetit rus. Formula e "Shqipërisë së Madhe" si objekt bisedimesh mes Serbisë dhe Shqipërisë, është hedhur në qarkullim diplomatik kohët e fundit nga presidenti serb, Boris Tadiç. (Shih "Gazeta Shqiptare", 6 qershor 2011).
Në fillim duhet thënë se Moska ndërmerr një përçapje diplomatike zyrtare, kur pretendimi për "Shqipërinë e Madhe" nuk haset i prononcuar zyrtarisht nga asnjë prej zyrave të rëndësishme apo të parëndësishme shtetërore në Tiranë. Rregulli diplomatik e kërkon që një shtet të reagojë ndaj një shteti tjetër, nëse çështja në fjalë prek drejtpërdrejt marrëdhëniet mes dy shteteve ose nëse prek drejtpërdrejt interesat jetike të shtetit protestues. Moska e kanalizon përçapjen e vet për të ashtuquajturën "Shqipëri e Madhe" në një nivel dhe interpretim zyrtar dhe për më tepër me një gjuhë të ashpër, e cila ka në përmbajtje edhe elemente kërcënimi.
Me sa duket drejtuesit e diplomacisë ruse kanë gjykuar, se duhet protestuar në adresë të Shqipërisë dhe duhet gjetur një pretekst për të justifikuar mesazhin e rëndë diplomatik të Moskës. Preteksti u sajua me vështirësi, duke qëmtuar thënie të njërit nga katër milion shtetasit e zakonshëm të Shqipërisë pa asnjë funksion zyrtar, dhe të një shtetasi nga shteti tjetër i Kosovës. Me një fjalë, mungon objekti diplomatik për një përçapje diplomatike. E analizuar në kuadrin e tërësishëm diplomatik, në të cilin po trajtohet formula e "Shqipërisë së Madhe", duket se qëllimi i Rusisë nuk ka qenë aq shumë Shqipëria se sa Serbia, e cila është protagonistja e vendosjes në tavolinë të kësaj formule. Nëpërmjet protestës në këto momente ndaj Shqipërisë është synuar t'i dërgohet një paralajmërim vetë Serbisë. " Shqipëria e Madhe" është hedhur si ofertë bisedimesh dypalëshe serbo-shqiptare nga vete shteti serb në nivelin më të lartë, presidenti Boris Tadiç, i cili u paraqit i gatshëm të pranonte krijimin e "Shqipërisë së Madhe", si rrugë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.
Propozimi i presidentit të Serbisë, i cili para se të hidhej në publik është sonduar nga Beogradi në disa tavolina diplomatike, duket ka shkaktuar një shqetësim serioz në Moskë. Shqetësimi nuk vjen se do të krijohet apo mund të krijohet "Shqipëria e Madhe", me gjysmën apo me treçerekun e Kosovës. Shqetësimi vjen nga rrethana e re ballkanike, ku Moska konstaton se Serbia po troket në rrugën e kërkimit të një zgjidhjeje për lëmshin, ku e ka futur veten me mosnjohjen e Kosovës. Konfuzioni diplomatik i Serbisë për Kosovën, i cili dëshmohet nga pesë apo gjashtë formula të ndryshme, që Beogradi ka ofruar gjatë tre muajve të fundit për zgjidhjen e "çështjes së Kosovës", provon se Serbia ndodhet në një udhëkryq diplomatik dhe politik, nga i cili po kërkon një rrugëdalje. Kjo strategji diplomatike e Serbisë për daljen nga tuneli i Kosovës ka prishur disa llogari ruse dhe ka shkaktuar pakënaqësi në Moskë.
Rusia e ka manifestuar hapur se nuk është aspak e interesuar, që të zgjidhet mosmarrëveshja Serbi-Kosovë dhe as që dy shtetet të bashkëjetojnë në mënyrë normale në Ballkan. Armiqësia Serbi-Kosovë, e cila gjeneron tension në marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe në rajon, i nevojitet Rusisë për të mbajtur të gjallë një vatër konflikti të ngrirë në Ballkan. Moska nuk e ka hallin tek Kosova apo tek pavarësia e saj, sepse pas legjitimimit, që i bëri pavarësisë së Kosovës, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe pas veprimit të vetë Rusisë për të shpallur si të pavarura dy rajone të Gjeorgjisë, të cilat i pushtoi në gusht të vitit 2008, Rusisë nuk i ka mbetur asnjë lloj skrupulli për të ruajtur në këtë drejtim. Por Rusisë dhe strategjisë së saj ballkanike, i intereson që konflikti i Serbisë me Kosovën të rrijë si një lëmsh i madh sherri dhe si një mundësi e hapjes së thesit të ngatërresave ballkanike, për t'u përdorur prej saj sa herë që diplomacisë ruse do t'i duhet ta luajë kartën e "bombës" ballkanike, si objekt shkëmbimi në tratativat e saj globale me SHBA-të, me NATO-n dhe me BE-në. Ndaj Moska del tani me kaq forcë kundër formulës së "Shqipërisë së Madhe" të propozuar nga Serbia, duke u vënë në atë pozitën e pakëndshme, kur siç thotë proverbi i vjetër, "i zoti e shet dhe tellalli s'e jep".
Rusia i sheh përpjekjet e reja të Serbisë për t'u çliruar, në një farë mënyre, nga lëmshi i Kosovës edhe si një avancim i mëtejshëm i Serbisë drejt alternativave europiane të saj, drejt një afrimi më të madh me Bashkimin Europian, i cili i ka kërkuar dhe ia ka bërë të qartë Beogradit se anëtarësimi në BE kalon nga njohja e Kosovës. Në mënyrë të veçantë, Moska i trembet një perspektive të rritjes së atyre forcave politike demokratike në Serbi, të cilat mund të kërkojnë që edhe Serbia, ashtu si gjithë Ballkani Perëndimor, të futet në rrugën e integrimit atlantik. Avancimi i Serbisë në drejtim të marrjes së statusit të shtetit kandidat në BE, të cilin sipas burimeve nga Brukseli, mund ta marrë në vjeshtë dhe nxitimi i BE-së për t'i ofruar Serbisë madje edhe një datë të hapjes së bisedimeve të pranimit brenda gjashtë muajve nga marrja e statusit të kandidatit, e kanë alarmuar Moskën, se afrimi europian do ta largojë Serbinë nga influenca ruse. Ndaj përpjekjet e diplomacisë ruse janë intensifikuar, për t'i vënë pengesa dhe bllokazhe të llojeve të ndryshme çdo hapi avancimi real apo virtual të ecjes së Serbisë drejt një integrimi europian ose atlantik. Gjatë vizitës së kryeministrit rus Vladimir Putin, në Beograd më 23 mars të këtij viti, Serbia u kërcënua zyrtarisht dhe publikisht se, në qoftë se ajo do të hyjë në NATO dhe do të lejojë elementë të sistemit atlantik antiraketë, Rusia do t'i gradojë raketat e saj bërthamore ruse drejt territorit serb. Një kërcënim i tillë i ashpër, që Moska ia drejton aleatit të saj të vetëm strategjik në Ballkan, jep të qartë shqetësimin dhe obsesionin e Moskës për të penguar çdo alternativë të përfshirjes së Serbisë në integrimin atlantik.
Rusia është përpjekur dhe po përpiqet ta lidhë Serbinë me të gjitha llojet dhe format e marrëveshjeve dhe joshjeve, që nga projektet energjetike e deri tek ato ushtarake apo me Traktatin e Miqësisë dhe të Bashkëpunimit. Këto përpjekje janë intensifikuar shumë kohët e fundit dhe kanë marrë forma të tilla, që e klasifikojnë politikën e Rusisë ndaj Serbisë si "koloniale dhe poshtëruese", sipas përkufizimit të ish zëvendës/kryeministrit të Serbisë dhe kryetarit të partisë Liberale Cedomir Jovanoviç.
Moska po shfrytëzon çdo rast, që i jepet për t'i dërguar paralajmërime Beogradit, si në kanale të drejtpërdrejta, ashtu dhe të tërthorta. Ndaj përçapjet e protestës diplomatike, që tani Rusia i drejtoi Tiranës për "Shqipërinë e Madhe", janë një mesazh paralajmërimi ndaj presidentit të Serbisë dhe ndaj shtetit serb, që të mos kërkojnë rrugëzgjidhje për udhëkryqin e tyre kosovar dhe të vazhdojnë me konservimin e konfliktit të ngrirë në zemër të Ballkanit.
Natyrisht, ndonëse sulmi rus ndaj formulës së "Shqipërisë së Madhe" ka një konfiguracion të tillë diplomatik, ai në të njëjtën kohë, është edhe një lëvizje ruse për të trembur Tiranën dhe për ta bërë sa më apatike në drejtim të forcimit të autoritetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Veprimtaria shumëdrejtimëshe ruse në Tiranë është intensifikuar së tepërmi, sidomos pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›