E Diel, 1 Nëntor 2026

Turne socialist për të ndarë meritat e humbjes plebishitare

28-06-2011 / Redaksionale

Busull-humburi i PS-së, Edi Rama u shfaq pa pritur në ca media elektronike pas disa ditësh mungesë dhe heshtje, për të thënë “ja ku jam!”. Kësisoj ai ka vijuar dje serialin e takimeve me strukturat e partisë në qarkun e Elbasanit. Për rreth dy orë e gjysmë, në një takim, pa praninë gazetarëve, me drejtuesit e selisë rozë është diskutuar me tone aspak miqësore humbja plebishitare e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit. Ky qark i konsideruar gjithmonë në zgjedhje si hambari i votave socialiste jo vetëm ka pësuar tkurrje të dukshme, porse shumë bashki janë humbur në mënyrë spektakolare. Faji (nuk) është i Saliut. 
Me një llogaritje të thjeshtë aritmetike në qarkun e Elbasanit Partia Socialiste nga 7 bashki ka humbur 5, duke fituar vetëm 2. Një rezultat që flet më shumë se mijëra analiza. Po kështu në gjithë qarkun PS-ja ka humbur plot 19 komuna, duke fituar vetëm 13 nga 32 njësi vendore gjithsej. Faktet janë kokëfortë dhe vërtetojnë gjithçka me rezultatin e Këshillin të Qarkut të Elbasanit, ku Partia Demokratike ka 42 mandate kundrejt 20 mandateve socialiste. Kurse 7 janë ende për t’u konfirmuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjithsesi humbja plebishitare në qarkun e Elbasanit është e vështirë të anashkalohet dhe të barazohet me fitimin e Bashkinë e Elbasanit, kur është e qartë se Këshilli Bashkiak i këtij qyteti dominohet nga koalicioni i “Aleancës për qytetarin”. Afërmendsh humbja e bastioneve të Cërrikut, të Përrenjasit dhe Librazhdit është kthyer në një dhimbje koke për kreun e PS-së, i cili është gati të reformojë të gjitha strukturat e këtij qarku, paçka se në të vërtetë përzgjedhja e kandidatëve humbës është bërë nga zyrat e Ramës pa marrë parasysh mendimin e strukturave në bazë. Ky gjest arrogance nuk ka kaluar pa inate dhe mllefe të akumuluara në rrethet ku janë humbura edhe zona, që ishin të pamundura në letër për t’u humbur.
Kuptohet vetiu se po të votohej sot për zgjedhje parlamentare Partia Socialiste, me këto rezultate që ka marrë në qarkun e Elbasanit, nuk do të kishte më një barazim deputetësh  7/ 7 me PD-në, por do të tkurrej në 5 mandate deputetësh. Kjo llogari e thjeshtë e votave në proporcional është bërë nga vetë PS-ja.  
Sakaq pakënaqësia për rezultatet  e arritura në qarqe janë të mëdha, dhe humbjet siç dihet kanë shumë baballarë.
Një aksident i mëparshëm në qytetin e Beratit, ku nga ana e këshilltarëve pati edhe akuza në drejtim të Ramës dhe kryesisë, pasi ata nuk u pyetën sa duhet për përzgjedhjen e kandidaturave. Ata kanë akuzuar dhe deputetët për punë të pamjaftueshme dhe të njëanshme. Madje, disa drejtues komune janë shprehur se, deputetët po ndërhyjnë dhe në komunë për emërimet e personelit. Gjendja më acaruese ka qenë momenti kur dy drejtues të partisë debatuan ashpër me njëri-tjetrin. Rama si kryetar i Partisë Socialiste, i është drejtuar kryetarit të Partisë Socialiste të rrethit të Kuçovës, Arben Dosti, me shprehjen: “Pse ke ardhur këtu, ti je një humbës, prandaj ik”. Me një llaf një humbës i thotë një tjetër dështaku, humbës.
Sidoqoftë Partia Socialiste po zien nga debatet dhe përplasjet. Pas mbledhjes së parë të Asamblesë Kombëtare ende është e paqartë nëse Edi Rama do të mbajë mbledhjen e dytë, të paralajmëruar të 29 qershorit të Asamblesë Kombëtare, në kushtet kur kontestimet e bazës dhe presionet e ndërkombëtarëve për të ndërprerë bojkotin e Kuvendit po bëhen gjithmonë e më të forta. Edi Rama ka për detyrë të japë sa më shpejt linjën zyrtare që do të ndjekë Partia Socialiste përsa u përket marrëdhënieve me Institucionet Kushtetuese,  me Parlamentin, me Reformat, me Qeverinë “Berisha”, me ndërkombëtarët. Është e nevojshme të kuptojmë nëse ka pasur reflektim serioz dhe të sinqertë pas zgjedhjeve vendore, apo rruga e nisur para dy vitesh me protesta, bllokime rrugësh, greva urie, demonstrata të dhunshme apo revolta popullore.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›