E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duke pritur rivlerësimin e elitës së ndaluar

Ndriçim Kulla Rikthimi te rrënjët është gjithnjë i shëndetshëm në përndezjen e ideve të reja. Në kushtet e krizës së madhe financiare, sidomos prej stresit që krijoi ajo edhe në Amerikën e madhe e të fortë u përjetua qartë një shfaqje më se e qartë në rikthimin te mësimet e etërve themelues, një nevojë kjo që nëse do të vendosej në prizmin e realitetit tonë, do të dukej një ide si e huaj, ndoshta romantike, ndoshta patetike, e në sytë e cinikëve e skeptikëve, një nacionalizëm shterp.  Por lajmi i mirë është se edhe ne me vullnetin dhe përpjekjet e shumë intelektualëve, por edhe politikanëve, po ndryshojmë dhe jemi në kohën e duhur ku janë pjekur mundësitë dhe kapacitetet, që prurjet e shumta që kanë sjellë botimet dhe studimet shqiptare gjatë këtyre 17 vjetëve në raport me këtë literaturë, pra me trashëgiminë tonë mendore, të kthehen në vlera të organizuara e të administrueshme si të tilla, në mënyrë që të bëhen të përdorshme dhe të aplikueshme edhe për nxënësit apo studentët tanë.     Një ide e këtij lloji ishte dhe theksimi i përgjegjshmërisë dhe ngritjes së këtij nocioni në bazën e fillimit të një ere të re në disa qasje politike ,por dhe në shumë ligjërata të intelektualëve shqiptarë në raport me rivlerësimin e trashgimisë sonë mendore gjatë këtyre kohëve të fundit. Ja, ky është thelbi i etikës moderne të përgjegjshmërisë, që lipset të jetë përmbajtja e qasjes së vullnetit politik, intelektual, e qeveritar ndaj vlerave dhe aktualitetit të mendimit shqiptar të traditës. Zëri që tashmë po vjen prej gjithë kësaj pune përgatitore shumëvjeçare, të shprehur në libra dhe manuale didaktikë, duhet t’i përgjigjet ndërgjegjja kombëtare dhe institucionale, që më në fund nxënësi shqiptar dhe brezat e ardhshëm ta dëgjojnë e ta mësojnë atë, ta përthithin e të formësohen prej tij, duke u bërë më të dijshëm, duke ndjerë se kanë rrënjë e themele të forta, e së fundi duke u ndjerë më krenarë e patriotë.Kam kohë që mendoj se është pjekur koha dhe interesi i lexuesve, në të gjitha nivelet, për botime më të plota, më përfaqësuese, sa më të shtrira e të strukturuara në lëndë, të ndërtuara mbi një shtrat logjik e të pajisura me sprova shqyrtuese mbi veprën e këtyre korifenjve të mendimit shqiptar. Ata janë shumë dhe, nuk teproj asgjë të përsërisë, se përfaqësojnë mbi 2/3 e trashëgimisë sonë mendore dhe vlerat e këtij mendimi njihen fare pak ose aspak për shkak të përbuzjes, ndalimit, censurimit dhe luftës politike që iu është bërë nga sistemi komunist. Le ta ilustrojmë problemin e madh që kemi në këtë drejtim vetëm me një emër emblematik të këtij rangu, Mithat Frashërin ose siç e quajmë edhe ndryshe, Lumo Skëndon. I thumbuar nga çajupi në pamfletin “Klubi i Selanikut”, apo më vonë nga Shefqet Musaraj në “Epopeja e Ballit Kombëtar”, ka ardhur koha te davaritet njëherë e mirë mjegulla që e mbulon dhe komplekson një figurë të tillë kaq të madhe kombëtare dhe politike, për të kuptuar drejt thelbin e aktivitetit të tij shumë-planesh e patriotik. Në kundërvënie të atij portreti përçmimi shfaqet p.sh. memoria e famshme me tetë pika, që ai i dërgon Presidentit ëilson për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris, i theksuar nga qëndrimi i paepur shprehur në fjalët “Të mos japim asgjë nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë!...  Aeropagu i mbledhur në Paris, a ka për synim të sjellë paqen në qetësinë në përgjithësi në botë e në veçanti në Ballkan? Për këtë do të na përgjigjet më së miri zgjidhja që do t’i jepet çështjes shqiptare” - debaton M.Frashëri.Emblematike është edhe sjellja e tij gjatë viteve 1923-1926, si Ambasador i Shqipërisë në Athinë, kur iu drejtua Qeverisë Greke që të shpërndante silogun e paligjshëm të Vorio-Epririt, i cili zhvillonte një veprimtari të provuar antishqiptare dhe rrezikonte marrëdhëniet e mira midis dy vendeve tona. Kjo pati jehonë të gjerë edhe në shtypin grek të asaj kohe. Në një bisedim me Ministrin e Jashtëm grek, Aleksandrin, për këtë veprimtari antishqiptare, Aleksandri i thotë: “Silogëve ua premë fuqinë dhe u thashë të mos trazohen në punët e kufisë, të rrinë urtë… Veçse do të jem i lumtur që të kem ç’t’u them Vorioepirotëve për shkollat greqishte në Shqipëri, që t’u zë gojën”.Mid’hat Frashëri i kthehet: “Përgjigjen e keni gati; u thoni se Shqipëria ka afro 40 shkolla greke që i mban me të hollat e saj, kurse Greqia s’ka për shqiptarët asnjë shkollë shqipe!”Po kështu, në një letër nga Athina, drejtuar K.çekrezit, më 1925, M. Frashëri e quan çështje kombëtare çështjen e Kishës Autoqefale Shqiptare: “ç’punë kanë bajlozët e huaj në një çështje kombëtare shqiptare?” – revoltohet ai nga shkaku i ndërhyrjes së Kishës Greke në punët e Kishës Autoqefale Shqiptare.Ai shfaqet gjithmonë një enciklopedist i madh i referimeve për historinë e Shqipërisë, për veprat e albanologëve të huaj; si pikënisës i madh i librave shkollorë të arsimit tonë kombëtar; apo si pararendës i fushës së studimit dhe mësimit të shqipes. E vlefshme ka qenë përpjekja e vazhdueshme e M.Frashërit për një gjuhë letrare të përbashkët për të gjithë shqiptarët, që nuk mund të bëhej me dekrete, por me punën e mjeshtërve të gjuhës e të literaturës shqiptare, të shkollës e të teksteve shkollore dhe të komunikimit kulturor kombëtar. Kështu, kur ishte në Paris si kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, ndihmoi së bashku me albanologun e shquar Mario Rrokes çeljen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Parisit, madje jepte edhe vetë mësim atje, ndonëse ishte i ngarkuar me problemet e mëdha të diplomacisë shqiptare. Po nisma e tij për themelimin e një Instituti Albanologjik në Tiranë ishte, natyrisht, përpjekja më serioze për hedhjen e bazave të studimit shkencor të gjuhës shqipe në fushat albanologjike. Më tej, së bashku me Faik Konicën ai shfaqet si një nga dy shkrimtarët e parë shqiptarë të lëvrimit të prozës së shkurtër, që në vitin 1898; Lumo Skëndo na paraqitet si njohës vërtet i mirë i karaktereve njerëzore dhe mjeshtër i portreteve. Gjejmë kështu, portrete për figura të rëndësishme si Franklin, Uashington, Linkoln, Galilei, Garibaldi, Napoleoni etj, apo dhe shqiptarë si Naim Frashëri, Ali Pashë Tepelena, Kristo Luarasi etj.  “Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e njerëzve e të gjithë atyre që së bashku formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzetekatër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij,  ç’shërbim ka bërë për Shqipërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie, që e quajmë komb. “Kjo ishte një këshillë në mësimet e Mithat Frashërit, por dhe mesazhi tërësor i jetës dhe veprës së  këtij intelektuali të madh. Në ambientin e duhur e të lëvruar për dashamirësinë ndaj kësaj literature, unë do të doja të shprehja edhe një shqetësim që po e bluaj prej kohësh, në lidhje me mungesën e raportit të kësaj literature me dijet tona mësimore. Por ajo që të bën më shumë përshtypje, është se ajo indiferencë dhe keqdashësi e viteve të komunizmit mbi këtë pasuri kaq të rëndësishme kombëtare, e shfaqur nga akademikët dhe pedagogët tanë të shumtë nëpër universitete, vijon edhe sot. Më vjen keq të dëshmoj ende indiferentizmin dhe paaftësinë e tyre të gjatë në këtë fushë, në një kohë kur armata e tyre e madhe e mbushur me tituj, grada dhe rroga të majme, duhet të ishin pararoja e kësaj lëvizjeje. Nga ana tjetër, nuk mund të mos habitem dhe të mos jap dot përgjigje për mos-angazhimin ende të një numri të madh Institutesh apo Drejtorish pedagogjike, me një armatë e tërë specialistësh, në ndihmë të këtij problemi për ta përpunuar këtë literaturë. Si vallë një fluks i pazakontë në histori i botimeve të kësaj dekade a më shumë, t’i ketë lënë kaq indiferentë? Si është e mundur që emisione e shkrime nëpër gazeta e revista, që kanë konvergjuar të gjitha në një mendim, në rëndësinë dhe impaktin e rëndësishëm që ai duhet të ketë direkt mbi kurrikulat shkollore, kanë rënë për kaq kohë në vesh të shurdhër? Ka ardhur koha, për të  nisur një proces real, për të rivlerësuar dhe integruar në të gjitha nivelet elitën e ndaluar shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›