E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët vlerësojnë dëmet në çdo shtëpi

 SHKODER - Grupet e punës së ekspertëve shkuan dje shtëpi më shtëpi për të verifikuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fillim janarit. Lagjja "Ajasëm" ka qenë zona e parë në qytetin e Shkodrës nga ku është filluar për të bërë mbledhjen e dëmeve. Gjatë paradites së djeshme, në lagjen "Ajasëm", janë verifikuar rreth 20 banesa nga 60 të tilla që ka në plan ky grup pune për këtë lagje. Grupi i punës ka bërë verifikimin e dëmeve të shkaktuara në pjesët fizike të objekteve, në pajisje shtëpiake, orendi etj, si dhe të dëmeve që mund t'u jenë shkaktuar kulturave bujqësore e blegtorale. Ndërkohë që një grup pune i seksionit të tatim-taksave po bën verifikimin e pretendimeve të dëmeve që i janë shkaktuar biznesit në këtë zonë. Këta të fundit kanë pasur për detyre që të verifikojnë lëndët e para duke i krahasuar ato me regjistrat e hyrje-daljeve që disponojnë bizneset. Nga informacionet e marra nga Qarku Shkodër, i cili menaxhon këtë periudhë të post-emergjencës, ecuria e punës së grupeve të verifikimit të dëmit ka qenë e kënaqshme edhe pse dje ka qenë dita e parë e një pune që cilësohet tepër e vështirë. I vetmi shqetësim për ditën e parë të punës është shfaqur nga disa përfaqësues të biznesit në lagjen "Ajasëm", të cilët kanë pretendime për mungesën e përfaqësuesve të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët do të kishin për detyrë që të bënin verifikimin e dëmeve që u janë shkaktuar pajisjeve dhe teknologjisë së biznesit në këtë zonë. Ndonëse në grupet e punës ka 14 persona, asnjë prej tyre nuk është i aftë për të bërë vlerësimin e makinerive. Pritet që specialistë të Ministrisë së Ekonomisë për dëmet në teknologji t'i bashkohen grupit të punës. Dita e parë e punës të komisioneve ka treguar se një punë e tillë do të jetë tejet e vështirë pasi çdo zonë ka problematikën e ndaj dhe shqetësimet e banorëve do të jenë të ndryshme. Në qarkun e Shkodrës janë organizuar 9 grupe pune, për çdo njësi vendore të përfshirë në përmbytje.      r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›