E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, kreu i KESH 150 minuta dëshmi në Prokurori

 SHKODER/ RITVAN DIBRAPër rreth 2 orë e gjy-smë, drejtori i KESH, Muharrem Stojku jep llogari për përmbytjet në Shkodër. Menaxhimi i situatës hidroenergjetike dhe momenti i vendosjes së shkarkimit të ujërave nga hidrocentralet, sipas rregullores, kanë qenë çështjet për të cilat është pyetur Stojku. Marrja e dëshmisë së tij është bërë në masa të larta sigurie, duke mbajtur larg median. Ajo që është mësuar nga burime të prokurorisë është fakti se kreu i Korporatës Energjetike Shqiptare u thirr dje nga ky institucion akuze, në cilësinë e personit që ka dijeni për hetimin e çështjes. Nga ana tjetër, burime konfidenciale pranë organit të akuzës pohuan se Stojku është pyetur në lidhje me zbatimin e rregullores për shkarkimin e ujërave nga hidrocentralet në përmbytjet e këtij muaji dhe nëse janë të dokumentuar të gjithë urdhrat në lidhje me veprimet e kryera nga specialistë e këtyre HC-ve. Kanë qenë këto shkarkime që shkaktuan përmbytjet e mëdha të ditëve të para të janarit në qarkun e Shkodrës. Stojku ka mbërritur paraditen e djeshme në godinën e Prokurorisë së Shkodrës, ku ka qëndruar aty për rreth 150 minuta. Gjatë kësaj seance mësohet se drejtori i KESH-it të ketë dhënë sqarimet e tij në lidhje me atë se si kanë rrjedhur ngjarjet, për urdhrat e ardhur nga drejtuesit më të lartë të menaxhimit të kaskadës së lumit Drin si dhe mënyrën e shkarkimeve të bëra nga 3 hidrocentralet. Mësohet gjithashtu se thëniet e Stojkut janë krahasuar me dokumentet që prokuroria ka në dispozicion, dokumente këto që i përkasin dispeçereve qendrore dhe atyre të hidrocentraleve. Pas akuzave të opozitës në lidhje me keq menaxhimin e situatës në kasakadën e lumit Drin që përfundoi me përmbytje masive të zonave të qarkut Shkodër, Prokuroria e Shkodrës nisi hetimin e kësaj çështjeje, duke bllokuar të gjithë dokumentacionin e muajve nëntor-dhjetor dhe të verifikimit të ndjekjes së procedurave, duke e krahasuar atë me rregulloren përkatëse. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur gjithashtu se krahas KESH-it do të jenë të gjitha institucionet përkatëse si ato të energjetikës apo strukturat që merren me menaxhimin e argjinaturave, të cilëve u është kërkuar që të dorëzojnë raportet në lidhje me detyrat që duhet të zbatonte secili institucion sipas rregullores për një situatë të tillë. Gjatë deklaratave pas përmbytjes, PS-ja reagoi duke u shprehur se hapja e portave është bërë në fillim të këtij viti, ndërsa Stojku u shpreh se kjo ka ndodhur në fund të dhjetorit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›