Arsimi, rruga e integrimit të shqiptarëve
Matilda Merxhani Shqipëria po ndjek rrugën e integrimit. Lëvizja e lirë e shqiptarëve është ëndërr që largohet e afrohet nëpër vite drejt realizimit.Të presësh s’është asgjë; të kontribuosh sadopak, do të thotë se ke filluar të ndiesh dhe të besosh në përpjekjet që po zhvillohen, si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për atë evropian.Por, shpesh-herë më ngacmojnë pyetje të njëpasnjëshme që gjejnë vetëm një përgjigje të mjegullt apo të pasigurt. A është fuqia punëtore shqiptare e kualifikuar për të përballuar konkurrencën ndërkombëtare?A është edukimi në Shqipëri një sistem i konvertueshëm thjesht në të gjitha vendet e BE-së apo jo?Arsimi është pika kyçe dhe hapi më i sigurt për të përforcuar besimin në vetvete për gjithsecilin kudo të ndodhet. Një diplomë e njohur kudo është një ego profesionale. Njohuritë kur janë të matshme dhe të vlerësueshme, sipas të njëjtit sistem, bëjnë të mundur harmoninë në grup.Reformat në arsim në Shqipëri po zhvillohen ndjeshëm dhe kjo jep një kornizë të qartë për sistemin apo strukturat akademike. Ajo çka mbetet dhe që kërkon vëmendje, janë: shkollat profesionale teknike të mesme, masterat profesionale teknike, ashtu si edhe shkollat pasuniversitare teknike.Jo të gjithë kanë dhunti karriere akademike, apo jo të gjithë kanë atë kërkesë profesionale, jo të gjithë kanë atë lloj mundësie. Arsimimi i mëtejshëm nuk duhet të jetë një kriter kualifikimi apo skualifikimi.Edukimi duhet të jetë një njohuri e matshme për mbarëvajtjen e detyrave apo përgjegjësive që i ngarkohen dikujt në pozicionin e punës, që operon apo që do të operojë.Qëllimi i këtij lloji është tepër praktik. është ajo çka ka nevojë fuqia punëtore shqiptare. është ajo çka ka nevojë turizmi shqiptar, është ajo çfarë kërkon qoftë edhe mënyra e mësimdhënies. Pothuajse të gjitha Universitetet në Shqipëri, shtetërore apo private, ofrojnë mundësi vetëm akademike. Mastera në shkenca komunikimi, apo në shkencat administrative apo në menaxhim biznesi etj, ku vazhdojnë të thellohen njohuritë tepër teorike për studime dhe kërkime të mëtejshme dhe që japin mundësi për gradime të tjera hierarkike profesionale akademike.Karta e Bolonjës ishte një reformë që u realizua me sukses. Duket qartë se arsimi në Shqipëri ka ndryshuar tërësisht pamje. Investime të shumta janë bërë, por nuk duhet mjaftuar me kaq. Shqipëria kërkon një reformë më të thellë në mbështetje të programit të qeverisë, duke mos anashkaluar këtu arsimin privat për cilësi dhe autonomi, investimin në infrastrukturën laboratorike, investimin në zonat rurale, etj.Heqja e TVSH-së për arsimin privat është një lehtësim që shteti i jep jo vetëm biznesit të këtij lloji, por edhe aplikantëve, duke ulur vlerën e regjistrimit, por kjo nuk do të thotë që thjesht rrit mundësinë e marrjes së një diplome, por rrit përgjegjësinë që duhet të ketë gjithsecili ndaj procesit të mësimdhënies, ndaj procesit të vlerësimit, ndaj procesit të hartimit të programeve të reja etj., duke rritur këtu konkurrencën dhe duke u përqendruar në cilësi.Koha e reformës është e lidhur ngushtë edhe me zhvillimin e një vendi. Sa më shpejt të iniciohen metoda të integruara, aq më shpejt jepet edhe impakti në administratën shtetërore apo private dhe përmirësimin e shërbimit apo të performancës së një institucioni.Pra strategjia për një arsim më modern dhe më të integruar kërkon:Përforcimin e shkollave profesionale;Fokusimin në Masterat Profesionale;Krijimi i një modeli strukture të njëjtë për tezat e provimeve, si në shtet, edhe në privat;Ngritja e zyrës së projekteve të trajnimeve specifike për administrata specifike;Ngritja e një strukture model të vlerësimit të pedagogeve nga studentët dhe transparenca e këtij vlerësimi;Motivimi i studentëve apo nxënësve të shkëlqyer;Dhënia e rëndësisë te praktika e studentëve përpara diplomimit; etj.Pra siç shikohet ka vend gjithmonë e më shumë nëse sheh detaje në çdo proces për përmirësim.Duke falënderuar reformat e vazhdueshme që po ndërmerren nëpërmjet një angazhimi tepër serioz dhe integrues, shpreh edhe mendimin se reformat në arsim janë mënyra e realizimit të një demokracie transparente dhe të vërtetë.