E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kryebashkiaku kërkon referendum për portin e Peshkimit

 DURRES - Vangjush Dako kërkon referendum të qytetarëve durrsakë për portin e ri të peshkimit. Përmes një konference për shtyp Dako tha se "duhet të jenë qytetarët ata që duhet të vendosin". Por mbajtja e referendumit cilësohet nga mijëra peshkatarë profesionistë dhe koalicioni PD-LSI si një tymnajë e Dakos për të skaduar afatet. Investimi 15 milionë dollarësh i Bankës Islamike, i ratifikuar edhe nga Parlamenti shqiptar në vitin 2008 me votat e PD dhe të PS skadon në fund të muajit shkurt, nëse KRRT-ja e bashkisë nuk miraton sheshin. Nisur nga ky këndvështrim Dako ka dalë kundër vullnetit jo vetëm të PD-së në Parlament, por edhe të të gjithë deputetëve socialistë që mbështetën investimin arab. "Bashkia e Durrësit është kundër ndërtimit të portit të peshkimit pranë shëtitores bregdetare dhe ne do të vazhdojmë të mbajmë këtë qëndrim për arsye se mbrojmë interesat e qytetit", u shpreh Dako në takimin me mediat. Sipas Dakos janë tre arsye që ai kërkon të bllokojë investimin arab dhe që kanë të bëjnë me mjedisin, trafikun dhe imazhin turistik. "Ndërtimi i portit në vendin ku e parashikon Ministria dhe investitori krijon një ndotje mjedisore", bëri me dije ai ."Ne si Bashki hedhim idenë e realizimit të një referendumi ku të jenë vetë qytetarët e Durrësit që do të vendosin për vendin se ku duhet ndërtuar ai port peshkim", tha kryebashkiaku. Kryebashkiaku Dako është shprehur se "ai është kundër, nisur nga interesat e qytetit, pasi në zonën që kërkojnë të ndotet me portin e peshkimit, Bashkia kërkon të ndërtojë një port jahtesh që jep një imazh shumë më të bukur turistik". Menjëherë ka reaguar Ministria e Mjedisit. Sipas saj, ndërtimi i Portit të Peshkimit në qytet bëhet si në çdo vend të botës e konkretisht shtetet fqinjë, Itali apo Mal i Zi. "Ideja e kryebashkiakut per referendum qytetar është një lojë e keqe politike thjesht për të fituar kohë. Kushtetuta nuk lejon organizimin e referendumeve për çështje qe lidhen me buxhetin apo me financimet", pohohej në deklaratën e këtij institucioni. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›