E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duket zyrtare, De Biazi drejt pankinës së kombëtares shqiptare

TIRANE - Xhani De Biazi duket se do të jetë trajneri i ri i Shqipërisë. Italiani i lindur në Trevizo dhe i bërë i njohur për drejtimin e skuadrave të vogla të Serisë A e B, duket i përzgjedhuri i Dukës për pankinën kuqezi. Tre kandidaturat italiane, De Biazi, Bereta e Karbone kishin njësoj shanse për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare, por diferenca mesa duket është bërë nga paratë. Federata nuk ka dashur të shpenzojë shuma të çmendura, pasi nuk është në momentin e saj më të mirë financiar, por ish-tekniku i Torinos, Levantes dhe Udinezes, ka qenë i gatshëm të pranonte ofertën shqiptare. Aktualisht ai është i papunë dhe bën komentatorin për Mediaset Premium, kështu që drejtimi i një ekipi kombëtar duket një luks për të. Zyrtarizimi pritet të bëhet javën e ardhshme, megjithatë në FSHF flasin se Duka tashmë është i bindur për zgjedhjen e bërë.

Kush është
Xhani De Biazi është 55 vjeç dhe deri më tani, ka drejtuar kryesisht skuadra të vogla, duke i marrë ato shpesh në momente shumë të vështira. Kështu ka ndodhur me Levanten në sezonin 2007-2008, kur ekipi galician ishte në vendin e fundit. De Biazi e ngriti disi, por mungesat e blerjeve në merkaton e janarit, bënë që ekipi të binte nga kategoria. Në prill 2008, prishi kontratën me Levanten dhe mori drejtimin e Torinos, duke e shpëtuar nga rënia edhe pse ajo ishte në një pozicion tmerrësisht të keq. Në sezonin pasardhës, kreu i Torinos Urbano Kairo e shkarkoi pas 15 javësh, pas një humbje 1-4 me Fiorentinën dhe 12 pikëve të grumbulluara deri atëherë. Në dhjetor 2009, zëvendësoi Paskuale Marinon tek Udineze, por aventura zgjati vetëm dy muaj, pasi kreu i friulianëve Poco e shkarkoi, duke marrë sërish Marinon. Që atëherë, De Biazi bën rolin e komentatorit me Bruno Longin në Mediaset Premium. Por, ai është një trajner shumë i respektuar në Itali. Në fund të viteve '90 mori çmimin "Pankina e Artë", pasi ngjiti Modenën nga Seria C1, në Serinë A.
(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›